Kuqezinjtë marrin ngarkesë të plotë

0

 

Dita e dytë e përgatitjeve për kuqezinjtë ka nisur që paradite, më trajnerin dhe stafin e tij që kanë programuar një fazë me nga dy seanca stërvitore në ditë, deri të enjten kur skuadra do të niset drejt Stambollit me misionin e madh për të siguruar një fitore që mban gjallë shpresat për të shkuar në Europian.

Ka qenë një seancë e fokusuar më tepër te aspekti fizik, për të optimizuar gjendjen në prag të një sfide ku do të duhen shumë energji. Lajmi i mirë është se trajneri Reja mund të mbështetet te një grup i plotë, me përjashtim natyrisht të Hysajt që pas dëmtimit që pësoi në Serinë A, do t’i duhet të qëndrojë rreth një muaj jashtë fushës së blertë.

Tekniku kuqezi ka vendosur që për momentin të mos thërrasë një zëvendësues, indikacion se i konsideron të mjaftueshme alternativat brenda grupit në repartin e mbrojtjes. Edhe futbollistët që të hënën kishin kryer një program specifik, për shkak të impenjimeve me skuadrat respektive, përkatësisht Gentian Selmani, Kristi Qose, Ylber Ramadani, Keidi Bare, Ledjan Memushaj, Ermir Lenjani dhe Thomas Strakosha, janë bashkuar me grupin duke marrë ngarkesën e plotë stërvitore.

Optimizëm dhe frymë e mirë, pas fitores në takimin e fundit ndaj Islandës, por edhe fakti se ndryshe nga çka ndodhte rëndom në të kaluarën, këtë herë shumë prej futbollistëve vijnë me minuta në këmbë në klubet respektive, çka padyshim i ndihmon për të qenë më të qetë dhe besimplotë në prag të një ndeshjeje ku Shqipërisë i duhet të bëjë një mrekulli sportive për të triumfuar.

PËRGJIGJU