Analistët: Mandati për formimin e qeverisë së re i takon Vetëvendosjes

0

 

Pavarësisht diferencës së vogël të votave që kanë Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK, sipas analistëve, është e qartë që mandati për formimin e qeverisë së re i takon Vetëvendosjes.

Por, analistët shohin vështirësi në arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet këtyre dy subjekteve, që dolën i pari përkatësisht i dyti në zgjedhjet e së dielës.

Përkundër që kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të dielën tha se do t’i nisë menjëherë bisedimet me LDK-në për formimin e koalicionit qeverisës, por kjo nuk pritet të ndodhë pa u numëruar të gjitha votat. Në këtë situatë, analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë që LDK-ja të paraqesë probleme gjatë negocimit për formimin e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen. Analisti Imer Mushkolaj thotë se problemi mund të paraqitet pasi që LDK-ja do të insistojë në postin e kryeministrit.

“Po të flasim për postet që mund t’i ndajnë LDK e Vetëvendosje, atëherë në ‘Pazar’ janë që të tria postet. Pavarësisht që Vetëvendosje do të insistojë që ta mbajë postin e kryeministrit, aty është posti i kryeparlamentarit, por edhe i presidentit, pasi që mandati i Thaçit po shkon drejt fundit”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Të vështirë e sheh një koalicion ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së analisti politik, Blerim Burjani, i cili thotë se LDK-ja nuk beson mjaftueshëm te Vetëvendosje.

“Sa i përket Vetëvendosjes dhe LDK-së, ka shumë vështirësi. E para është zgjedhja e kryeministrit, që LDK-ja nuk dëshiron fare të flasë rreth kësaj çështje se kush do ta qeverisë vendin, sepse nuk beson në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk beson në kapacitetet e saj, nuk beson në aftësitë që mund t’i kenë”, tha Burjani për Radio Kosovën.

Në këtë rast, njohësi i çështjeve kushtetuese, Xhavit Shala, thotë se Vetëvendosje e LDK nuk duhet të jenë të ngurtë gjatë negociatave për formimin e qeverisë.

“Të arrijnë kompromis. Në momentin që ai që e merr pozitën e kryeministrit të jetë më tolerant që të krijojë një shumicë të qëndrueshme. Në këtë rast e kam fjalën për Vetëvendosjen, që duhet të jetë më e hapur me LDK-në”, tha Shala.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, që është edhe kandidat për kryeministër i këtij subjekti që doli fitues në zgjedhje, të dielën pasi shpalli fitoren tha se menjëherë do t’i nisë bisedimet me LDK-në për arritjen e marrëveshjes së koalicionit. Por, LDK-ja ka thënë se bisedimet për koalicion me Vetëvendosjen, do t’i nisë vetëm pasi të numërohen të gjitha votat.

PËRGJIGJU