Muzgu i Kolosit Muzgu i Kolosit

0

 

Agim Mala

Në Kosovë arti ka histori të shkurtër. Nisë diku në vitet e para të pasluftës së Dytë Botërore. Aty diku nisë edhe Muharrem Qena karrierën e tij prej regjisori e aktori, prej këngëtari e liriku.

Njerëzit e mëdhenj thuhet se më shumë i takojnë shkencës, i takojnë diplomacisë e politikës. Ata dalin nga popujt e mëdhenj. Popujt e vegjël të cilëve u mungon fuqia ekonomike, të cilëve shpesh u mungon edhe liria, japin artistë të mëdhenj.

Një prej më të mëdhenjve që e dha Kosova është ky njeri fytyrëmprehtë në foto, i ulur diku, në ndonjërën nga kafenetë e vjetra të Prishtinës ku bashkëqytetarët e kujtojnë si bohem të dikurshëm, e tash me shishen e Coca-Colas përpara.

Është nismëtar i teatrit në Kosovë. Në vitet e gjashtëdhjeta e punoi dramën “Erveheja”. I thirri njerëzit në teatër dhe për herë të parë u tregoi se çka është teatri modern, i ashtuquajturi teatri i bardhë që kishte nisur në Paris e Munih me Becketin e Ionesconn.

Edhe sot pas pesë dekadash “Erveheja” mbetet shfaqja më e realizuar në teatrot tona.

Një ditë ai kaloi në film. Luajti pak role, por ai që e ka shikuar i ka të thadruar në kujtesë Dervishin nga “Lepuri me pesë këmbë” dhe Pijanikun nga “Proka”.

Para tri vjetësh dikush i mblodhi këngët e tij nga vitet e pesëdhjeta e të gjashtëdhjeta dhe e nxori në shitje një CD. Në morinë e përmbledhjeve të këngëve që u thonë sot albume, CD-ja e tij u shit më së shumti. Breza të tëra me “Kaçurrelen” e tij ktheheshin në fëmijëri, nëpër rrugët me pluhur të kasabave kosovare. Dikujt iu kujtua që ta bëjë “rimeik” këngën e tij “O vendi im…”! Provoi edhe ta këndojë, por doli keq, dështim. Nga “yjet” e sotëm botëror askush nuk ka guxim t’i këndojë këngët e Frank Sinatras.

Muharrem Qena krejt çka bëri në artin kosovar, e bëri në mënyrë të magjishme, të papërsëritshme. Ai nuk erdhi në mesin e shqiptarëve për të shkuar, por për të mbetur sikur edhe kolosët e brezit të tij, Fehmiu, Mulliqi, Pashku e të tjerë.

PËRGJIGJU