7.6 C
Gjilani
Thursday, October 17, 2019
Kurti: Do të qeverisim me LDK-në , ekipet tona do harmonizojnë programin

Kurti: Do të qeverisim me LDK-në , ekipet tona do harmonizojnë programin

0

 

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zhvilluar sot takimin e parë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, me qëllim të arritjes së një marrëveshje që do të rezultonte me krijimin e institucioneve të reja qeverisëse.

Albin Kurti e Vjosa Osmani deklaruan se janë pajtuar që të presin certifikimin final të rezultateve të zgjedhjeve, e pastaj të arrijnë një marrëveshje finale. Megjithatë, Albin Kurti tha se ajo që nuk mund të ndryshojë është se këto dy parti do të qeverisin bashkë dhe Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në opozitë.

Pas më shumë se një orë takim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, Albin Kuti e Vjosa Osmani të cilët kandiduan për postin e kryeministrit, deklaruan se sot nuk kanë diskutuar detajet, veçse parimet për një marrëveshje të mundshme qeverisëse.

Kurti tha se Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë të larta. Ai tha që për synim e kanë t’i dalim zot nevojave të qytetarëve. “PDK është në opozitë e kjo nuk do të ndryshojë, LDK e Vetëvendosje do të qeverisin së bashku, as kjo nuk do të ndryshojë, mund t’i ruajmë fjalët e fundit për fund por mendoj se shumëçka për mos të thënë gjithçka është e qartë”, tha Kurti.

Kuti tha se do të presin certifikimin final të rezultateve, ani pse sipas tij pothuajse çdo gjë është e qartë tashmë.

“Jemi dakorduar që të kemi një dysheme prej 30 përqind të përfaqësimit gjinor, minimalisht do të jenë 30 përqind gra edhe në mesin e ministrave dhe zëvendësministrave. Do të kemi shumë më pak ministri, shumë më pak zëvendësministra, por do të kemi shumë më tepër angazhim përkushtim, punë, ekipet tona profesionale edhe të LDK-së dhe VV, do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe për t’u dakorduar për përpjekjet tona”, tha Kurti. Ndërsa i pyetur se ka diskutuar me LDK-në për postin e presidentit, ai tha se nuk ka ndodhur diçka e tillë. Lideri i VV-së u pyet nga gazetarët nëse do të ketë një marrëveshje edhe me Listën Serbe, e për të cilën tha se fillimisht do të bisedojnë me serbët që janë jashtë kësaj Liste e më pastaj do të respektojnë Kushtetutën për përfaqësim të serbëve në Qeveri.

Kurse Vjosa Osmani tha se sot nuk kanë diskutuar për emra të përveçëm dhe poste se kush cilin do ta mbajë.

“Sot kemi diskutuar më shumë në nivel të parimeve jo të detajeve, por më e rëndësishmja është që të dyja partitë treguam vullneti ne mirë për të qeverisur bashkë, dhe vullneti ne mirë për të punuar në interes të qytetarëve të Kosovës. Ka disa gjëra për t cilat filluam diskutimet tona kryesisht sa i përket një qeverie e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, por patjetër që do të rritet sa i përket punës së mirë që do të bëjmë në interes të qytetarëve”, tha Osmani. Osmani tha se është e rëndësishme të presin numërimin e të gjitha votave, para se të arrijnë një marrëveshje finale.

“Ne si LDK kemi deklaruar se po presim rezultatin final, dhe natyrisht që nëse rezultati konfirmohet  kush del që ka marrë më së shumti vota në atë moment ne në asnjë mënyrë nuk do të hezitojmë që të bashkëqeverisje të pranojmë kushdo që ka fituar të merr pozitën e kryeministrit. Sa i përket asaj se ku të jem unë ky është vendim që do ta marrë unë së bashku me partinë që e përfaqësoj”, tha Osmani.

Pas takimit u bë e ditur se të dy partitë do të formojnë grupe punuese lidhur me marrëveshjen e mundshme për krijimin e Qeverisë.

PËRGJIGJU