Fletarrest ndërkombëtar për një lepur

0

 

Fadil Lepaja

“Çfarë ndodhë me lepurin kur e kalon kufirin (jo) ekzistues Kosovë-Serbi”, pyesin fëmijët e zonës kufitare, të infektuar nga politika dhe patriotizmi. “Asgjë, përgjigjet tjetri, lepuri mbetet lepur, edhe andej e ndjekin gjahtarët”. “E ndërron emrin”, përgjigjet i treti, dhe qeshin të gjithë. Po pra, andej lepurit i thonë “zec”.

Qeshin të gjithë me këtë mençuri fëmijërore dhe me këtë qartësi politike, rreth çështjes se çka është e jona çka e tyre, por gjithsesi mbetet fakt se lepurushin e shkretë e ndjekin edhe andej, sikur edhe këndej. Gjahtarët atë punë kanë. Edhe policia, po ashtu! Por, nuk e ndjek dot. Nuk lejon INTERPOLi. Kosova nuk mundet, se nuk është anëtare, dhe Serbia për shumë arsye përpiqet që ky status të mos ndryshojë.

Kjo, fatkeqësisht nuk ndodhë as me kriminelët serbë, të luftës e të pasluftës, me karakter ndërkombëtar të cilët pas lufte e kaluan dhe e kalojnë vazhdimisht kufirin. Madje, as për disa që nuk e kanë kaluar kufirin, por jetojnë në zonat “autonome” brenda Kosovës ku faktikisht funksionon sistemin serb, e formalisht patrullon policia e Kosovës.

Nejse, ky shkrim, edhe pse e filluam me lepurushët të njohur për shpejtësinë dhe frikën e tyre, nuk përmban aspak nota satirike, e nuk ka madje as ironi të lehtë. Metafora është vetëm për me hy në këtë temë aq të komplikuar dhe njëkohësisht aq të thjesht, e cila do të duhej të jepte përgjigjen e pranueshme përse Serbia e pengon Kosovën të anëtarësohet në organizatën ndërkombëtare të policive të botës. Gjithsesi, adresimi është i drejtpërdrejtë.

Nuk mund të trajtohen ndryshe “argumentet” serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. Duke lënë anash argumentin kryesor formal dhe rezolutën e INTERPOL-it se në këtë organizatë mund të pranohen vetëm shtetet me status të anëtarit apo vëzhguesit në Kombet e Bashkuara, Serbia, me lobimin e saj grotesk, thjesht po dëshmon se nuk do partneritet në luftimin e krimit. Ajo, edhe 20 vite pas lufte nuk po arrin të shkëputet nga përqafimi i ftohtë e fatal i krimit dhe kriminelëve, të cilët ende fshehën pas uniformave apo rrobës zyrtare.

Kriminelë të dyshuar ka edhe në Parlament, edhe në politikë, edhe nëpër institucione. Krimi i mbështjellur me petkun patriotik, lulëzon nën mbrojtjen e politikës dhe është ndërthurur me krimin e sotëm, ku të dyshuarit për krime të luftës përfliten edhe tani për aktivitete kriminale të papenguara, e shpesh të dyshuara se kryhen në bashkëveprim me shtetin.

Rreth 5,000 anëtarë të MUP-it dhe një numër i madh i pjesëtarëve të Ushtrisë jugosllave, të dyshuar për krime lufte në Kosovë, rrezikohen të arrestohen dhe ekstradohen në Kosovë në rast se Kosova anëtarësohet në INTERPOL, është vlerësimi i ekspertëve serbë. Padyshim se kjo do të destabilizonte rëndë klasën politike, sepse Ushtria, Policia dhe shërbimet e inteligjencës serbe janë ende të pareformuara dhe ende kanë ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e shtetit serb .

Edhe pse e gjithë fushata serbe arsyetohet me interesa shtetërore e nacionale serb, në fakt krejt ka të bëjë me mbrojtjen kësaj shtrese, jo të pakët të drejtuesve të Policisë, Ushtrisë, shërbimeve sekrete serbe të cilët gjatë luftës së fundit në Kosovë ishin përfshirë në operacione apo sipas linjës komanduese ishin përgjegjës për vrasjen e qindra e mijëra civilëve shqiptarë dhe të cilët ende kanë ndikim të jashtëzakonshëm në shoqëri dhe shtet.

Ky ndikim rrjedh jo vetëm në Serbi, por edhe në përmasa ndërkombëtare prej interesash të fuqishme, prej tregtisë me armatime e cila në baza vjetore tashmë kap shifrën prej afro një miliard dollarësh. Industria ushtarake e shtetërore që ndërthuret edhe me qindra kompani private që kooperojnë me to, si dhe kontrolli i aktiviteteve të nëntokës nga ana e strukturave të sigurisë, e bëjnë këtë shtresë dominuese në shoqëri, sepse kontrollojnë rrjedhën e parasë që vjen nga informaliteti, por edhe parasë publike që derdhet në xhepat privat, në xhepat e politikës.

Lobimi i fuqishëm, për të penguar hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, jo vetëm të policisë po edhe UNESCO e të tjera, bëhet përmes pjesës më të madhe përmes vendeve të vogla apo të varfra afrikane, aziatike dhe latino-amerikane, zyrtarët e ë cilave korruptohen lehtë, apo përmes “ndihmave” ushtarake nga industria serbe e luftës e cila në shumë raste është e përfshirë nëpër luftëra lokale, shpeshherë në të dyja anët duke përfituar shumë nga shitja e armatimit. Sesa e fuqishme është kjo industri dhe çfarë roli luan ajo në fuqizimin e klasës në pushtet, tregojnë marrëdhëniet dhe këmbimi i fuqishëm ushtarak me Rusinë, Francën, SHBA, e kohëve të fundit edhe me Kinën, e cila po e shfrytëzon Serbinë dhe lobin e armatimit si një portë drejtë Evropës për sistemet e saj të sofistikuara ushtarake.

Jo moti, një fotografi e një ushtari të Kamerunit, ku ai shihet duke hapur zjarr ndaj civilëve, ndaj grave dhe fëmijëve, me një pushkë M21 të prodhuar në fabrikën “Zastava” të Kragujevcit, bëri që organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si Amnesty International, të kërkojnë nga Serbia që menjëherë të ndalojë dërgesat e armëve për këtë vend. Por, ajo as atëherë e as tash nuk e sheh të arsyeshme të marrë parasysh këto reagime të cilat po ashtu drejtohen edhe ndaj prodhuesve dhe shitësve tjerë më të fuqishëm të armatimit, ku dominojnë pesë vendet me status të anëtarit të përhershëm të KS të OKB-së, me të cilët Serbia po ndërton marrëdhënie gjithnjë e më të fuqishme përmes kësaj linje.

Serbia, në Kamerun për shembull, shet shumë armatim, me vlerë prej shumë milionë dollarësh dhe ka ndikim në kreun ushtarak dhe politik të këtij vendi. Kameruni së fundmi radhitet ndër shtetet që i kanë premtuar Serbisë se nuk do të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Kështu ndodhë edhe me disa vende të vogla e të varfra me të cilat së fundmi ministri serb Daçiq po e luan lojën e “tërheqjes të njohjeve”.

Kur jemi te luftimi i krimit dhe ndërthurjet e tij me politikën, ja vlen të përmendet se në Beograd është arrestuar një person i cili i ka ofruar javores NIN dokumente që zbardhin përfshirjen e babait të ministrit serb të Policisë në tregtinë me armë.

Ndërkohë, këto ditë ministri serb i Policisë ndodhet në Kili ku po i shtron argumentet serbe, kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. Përfundimisht, Serbia nuk e do ndihmën e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar rajonal dhe ndërkombëtar. Me angazhimin e fuqishëm serb, INTERPOL-i nuk do e ndjek lepurin andej kufirit. Edhe më tutje lepuri andej do të quhet “zec” dhe do të flejë i qetë nën therën e vet. Kjo po që ishte ironi. Lepuri është krejt i pafajshëm në këtë metaforë. Por, ec e tregoi INTERPOL-it. Nuk jemi anëtarë!

PËRGJIGJU