Anashkalohen shumë pika me rëndësi nga plani i punës së Kuvendit

0

Nevzad Isufi

Përpara dy ditësh në sallën e Kuvendit komunal të Gjilanit u mbajt mbledhja e IX e Komitetit për politikë dhe financa, me ç’ rast u bisedua dhe shqyrtuan pikat e rendit të ditës të propozuara për seancën e nëntë të Kuvendit komunal.

Rrallë herë, për të mos thënë asnjëherë, nuk na ka ndodhur të kemi kaq pak pika të rendit të ditës, pra gjithsejtë 4 pika të rendit të punës, ndërsa me dhjetëra herë kemi pasur mbi 10 pika.

Kjo nënkupton që komuna dhe ekzekutivi nuk kanë çka të shtrojnë si pika të rëndësishme për shqyrtim në Kuvend.

Pra sa i përket seancave të Kuvendit, nuk po respektohet as plani i punës së Kuvendit, nga se në shumë seanca nuk janë shqyrtuar as pika të planifikuara për shqyrtim dhe kështu del që një pjesë e planit të punës nuk arrin as të shtrohen në Kuvend e lëre më të shqyrtohen ose merren vendime për to. Kjo e bën që plani i punës të mbetet shumë formal. Kështu nga planet e punës së Kuvendit në seancat e kaluara nuk janë futur në rend dite këto pika të planifikuara:

1.Raporti gjashtëmujor i punës së komisionit të aksionarëve Stacioni i autobusëve:
2. .Raporti gjashtëmujor i punës së komisionit “Ekohigjiena”, të parapara për në seancën e Kuvendit në korrik;
3. Informatë për punën e komiteteve të K.K. për periudhën janar-qershor, po ashtu e paraparë për korrik, por e pa shtruar dhe shqyrtuar fare në kuvend deri më tash;
4. Raporti i Komisionit për Dezinsektim, Dezinfektim dhe Deratizim, i paraparë për shtator, por që nuk është shqyrtuar fare as në shtator;
5. Harta Zonale, po ashtu si pikë e rendit të ditës ka qenë e planifikuar për shtator, por nuk është shtruar dhe as realizuar;
6. informata për korrje –shirjet, po ashtu e paraparë për shtator por që nuk është shtruar dhe as që ka hyrë si pikë e rendit të ditës;
7. Vlerësimi strategjik mjedisor, një pikë me rëndësi e paraparë për tetor, po ashtu nuk ka hyrë në rend të ditës përkundër planifikimit;
8. Pika për Rregulloren e orarit të punës tashmë e shtyrë disa herë nga seanca në seancës as tash në këtë seancë nuk është paraparë të hy në rend të ditës e vështirë se do të bëhet edhe në seancat tjera, nga që nga fillimi është vërejtur se kësaj rregulloreje nuk i është qasur seriozisht.

Për këtë seancë nuk ishte menduar të jepet qoftë edhe një informatë për çështjen e ujit të pijes, ndonëse është një problem që preokupon shumë qytetarët, sepse nuk po furnizohen me ujë të pijes deri 12 orë në ditë. Me insistimin tonë u arrit që ky shqetësim të rekomandohet për Kuvendi dhe të përpilohet një informatë përmes së cilës do të njihemi si ne si anëtarë të kuvendit, si qytetarët të cilën me padurim kanë pritur dhe po presin se çfarë do të bëhet me çështjen e furnizimit me ujë të pijes dhe a po punohet për të gjetur ndonjë zgjidhje.

Me rastin e mbledhjes së KPF, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e pronarëve të tokave në kampin “Montith”, të cilët edhe në pranverë patën qenë të pranishëm edhe në dy seanca, duke kërkuar që të implementohet projekti i paraparë sipas planit urbanistik të vitit 2013, po ata nuk patën marrë përgjigje konkrete dhe prandaj ata me të drejtë po kërkojnë që kjo çështje të shqyrtohet në seancën e ardhshme të Kuvendit. Kjo nënkupton që prej seancave ku është shtruar ky problem e deri më tash nuk është bërë asgjë.

Në anën tjetër ne pamë prononcimin në konferencën e Kryetarit dhe të drejtorëve për punën nëntëmujore të tyre, ku flasin në superlativ për sukseset e arritura, ndërsa nuk i referohen projekteve konkrete dhe atyre më të rëndësishmeve, siç janë sigurimi i ujit të pijshëm, problemit të ujërave të zeza, impiantit, të cilin tash duan ta shtyjnë për vitin 2020, e është folur e janë bërë projekte në më shumë se dy mandate qeverisëse, ndërsa punët nuk janë askund, por vetëm fjalë dhe vetëm fjalë. Mangësitë e mëdha në qeverisje dhe dështimet në realizim me kohë të projekteve të mëdha, përpiqen që t’i plotësojnë me disa projekte të vogla cikërrimtare.

Mbase Kryetarin është duke e penguar vonesa në numërimi e votave në KQZ dhe çështja se kush do të bëhet Kryeministër i Republikës së Kosovës, çështja e koalicionit dhe nuk po ka kohë të merret me punët e tij dhe komunën.

/Autori është shef i grupit të anëtarëve të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan/

PËRGJIGJU