Me Qeveri të re, shpejt e sigurt, drejt BE-së

0

 

Proceset euro-integruese do të jenë sfidat e radhës së Qeverisë së re, kurse klasa politike, përfshi edhe opozitën, duhet ta ngrenë në një shkallë shumë më lartë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e ideve dhe veprimeve që do t’i jepnin Kosovës vendin e merituar në familjen e madhe Europiane

Nga Mehmet PRISHTINA

Një prej arsyeve se pse duhet shpejtuar me formimin Qeverisë së re të Kosovës, është zënia e hapave të humbur në proceset euro-integruese, që ndodhën si pasojë e disa faktorëve e rrethanave, si të natyrës parimore të vet BE-së, por edhe të projektimeve të gabuara politike të krerëve politikë të Prishtinës.

Në Kosovë, zgjedhjet e 6 tetorit për herë të parë pas njëzetë viteve ndryshuan kahen e zhvillimeve politike, duke ofruar mundësinë e një politikbërje ndryshe, si për nga dinamika e përgjegjësive, po ashtu edhe për nga pastërtia e vendimmarrjes.

Nuk ka më kurrfarë arsye objektive të vonohet formimi i Qeverisë së re, sepse çdo ditë e humbur, është humbje për gjithë procesin që pritet të jetë i vështirë e kompleks. Kosovën në të ardhmen e presin beteja politike në dy plane: në planin jashtëm duhet të rrumbullakojë çështjen e hapura me Serbinë, duke imponuar një partneritet serioz në tryezat bisedimeve që do të mbikëqyren nga Uashingtoni dhe Brukseli dhe, në planin e brendshëm, ku dy partitë fituese LVV dhe LDK gjatë fushatës zgjedhore kishin piketuar disa shtylla mjaft të rëndësishme mbi të cilat duhet të mbështetet qeverisja e ardhshme, e që duhet të filloj nga sundimi i ligjit e deri te krijimi i klimës së shëndoshë për investime të huaja e të brendshme.

Nëse procesi zgjedhor pati një mbarëvajtje perfekte, i konfirmuar madje edhe nga shumë vëzhgues e media të huaja, tani më nuk ka kurrfarë arsye që ky proces të deformohet në tavolinë, siç ka tendenca e përpjekje për të zgjuar nga ‘nokdauni’ zgjedhor disa subjekte politike, në favor të një inxhinjeringu të panatyrshëm elektoral që do të pamundësonte krjimin e koalicionit qeveritar nga LVV dhe LDK (!)

Kosova nuk e ka luksin të projektojë fitore që nuk janë vullnete popullore të konfirmuara në zgjedhje. LVV dhe LDK janë në rrugë të mirë që të ideojnë në praktikë një partneritet solid bashkëqeverisës i cili do t’i jepte vendit jo vetëm strategjinë e daljes nga kjo situatë e palakueshme, por edhe një standard të ri në kulturën e këtushme politike, duke favorizuar idetë e përbashkëta për punë dhe vizion.

Ky koalicion bashkëqeverisës mund të jetë garancë edhe për mbarëvajtjen e proceseve euro-integruse, kurse Kosova e ka shansin të bëjë hapa më të shpejt në saje të mësimit prej gabimeve të të tjerëve në rajon. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mori dritë jeshile nga Këshilli i Europës për datën e negociatave me BE-në, ngjarje kjo mjaft deprimuese për qytetarët e këtyre vendeve, por në anën tjetër një Kosovë e organizuar dhe e strukturuar mirë në planin e reformave institucionale dhe betejave antikorruptive, mundet lehtësisht të nxit kureshtjen e diplomatëve në Bruksel për një aktivizim më të shpejt të reflektorëve mbi proceset e ardhshme në Kosovë.

Integrimi i vonuar i Kosovës në BE, nuk është me pasoja vetëm për qytetarët e saj, por për gjithë rajonin. Nisma e fundit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për formimin e të ashtuquajturit ‘Mini Shengeni Ballkanik’ mund të jetë kurtha e radhës që i kurdiset Kosovës, duke e larguar atë nga proceset vendimmarrëse në Ballkan, në njërën anë, por edhe duke e prezantuar atë të padenjë në aspektin e ndërtimit të subjektivitetit shtetëror, në anën tjetër. Ngutia për të formuar këtë nismë ballkanike, mund të jetë me pasoja jo të pakta sa i përket komunikimit Kosovë-Shqipëri, për arsye se Tirana zyrtare edhe formalisht me këtë nismë është zotuar se bashkëpunimin rajonal do ta bëjë duke e anashkaluar Kosovën. Nuk e kemi të qartë se si do të funksionojë në praktikë ky ‘Mini Shengen’, kur fare mirë dihet se zbatimi në praktikë i tij implikon edhe çështje territoriale që lidhen me Kosovën.

Me fjalë të tjera, çfarë komunikimi dhe bashkëpunimi mund të ketë në mes të Serbisë dhe Shqipërisë, nëse nuk merret parasysh sovraniteti dhe integriteti i shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit ka krijuar tash më realitete gjeopolitike në rajon. Pa Kosovën, jo vetëm është i pamundur ky komunikim dhe bashkëpunim, por tingëllon edhe paradoksale sepse në shikim të parë proklamon lirinë lëvizjes, kurse në anën tjetër mohon shtetësinë e Kosovës.

Një Qeveri dinjitoze dhe kompetente që pritet të formohet, do të jetë ‘terapia’ më adekuate ndaj gjithë këtyre anomalive që po i imponohen shtetit të Kosovës. LVV dhe LDK është sinteza më kuptimplote e një filozofie të re politike e cila Kosovën do ta largonte nga bataku i inferioriteti të deritanishëm dhe do ta shpinte në ‘klubin e të barabartëve’, ku vendimmarrja nuk është e imponuar dhe as e paracaktimit të obligimeve. Serbia ka borxhe, kurse Kosova nuk ka obligime. Kosova ka vetëm përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm që në vitet në vazhdim të mos ketë plagë të hapura në marrëdhëniet me fqinjët.

Proceset euro-integruese do të jenë sfidat e radhës së Qeverisë së re, kurse klasa politike, përfshi edhe opozitën, duhet ta ngrenë në një shkallë shumë më lartë bashkëpunimin dhe bashkërendimin e ideve dhe veprimeve që do t’i jepnin Kosovës vendin e merituar në familjen e madhe Europiane.

PËRGJIGJU