Zymberi: Numri i rasteve për asistencë sociale në rritje

0

 

Numri i familjeve që marrin ndihma sociale në Komunën e Gjilanit tash për tash është diku rreth 900 familje, kurse numri i rasteve për asistencë sociale është në rritje, veçanërisht tash kur ka filluar stina e vjeshtës dhe në dimër, ka bërë me dije Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan.

I pyetur se a janë të mjaftueshme ndihmat sociale për familjet nevojtare, ai për AL “GJILANI.INFO”, tha se duke marrë për bazë shportën e konsumit familjar, këto ndihma nuk i plotesojnë as përafërsisht nevojat e tyre.

Kurse duke iu përgjigjur interesimit tonë se prej nga vijnë familjet më tepër që marrin  këso ndihmash, drejtori Zymberi tha se shumica syresh janë nga fshatrat, veçanërisht familjet që migrojnë nga Kamenica, por edhe nga Lugina e Preshevës.

Kurse i pyetur se sa është buxheti mujor që shpenzohet për këto familje, tha se sillet diku rreth 100 mijë euro.

Sipas tij, shkaktar kryesor që po krijohen raste për ndihma sociale u tha se është papunësia, por edhe mungesa e profilizimit të fuqisë punëtore.

“Kemi shumë kërkesa për vende të punës, por nuk ka profile të mjaftueshme-kuadro të caktuara me zanate për punë. E njherit edhe niveli i ulët i pagave dhe pasiguria në punë bëjnë që këta persona të pa punë të refuzojnë që të shkojnë në punë’“, tha ndër tjerash, drejtori Zymberi./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU