Patundshmëritë në Kosovë, sektori më tërheqës për diasporën

0

 

Sektori i patundshmërive vazhdon të jetë më tërheqës për qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe kontinente tjera. Kjo vërehet edhe në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, kur edhe ka lëvizje më të shpeshta të diasporës drejt Kosovës, vlera e investimeve, posaçërisht në patundshmëri, është më e lartë.

Vlera e përgjithshme e investimeve të huaja për periudhën janar –nëntor të vitit të kaluar ishte 265.3 milionë euro. Prej kësaj vlerë, vetëm gjatë tre muajve (korrik, gusht, shtator) janë investuar mbi 111 milionë euro, prej të cilave rreth 80 milionë euro në patundshmëri.

Zyrtarët në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë-KIESA, që funksionin në kuadër të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, theksojnë se të dhënat tregojnë se dominojnë investimet ku është më tepër e përqendruar diaspora e Kosovës.

Në top-dhjetëshen e shteteve që kanë investuar më së shumti në Kosovë janë: Gjermania, Zvicra, Turqia, Britania e Madhe, Austria, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Franca dhe Bullgaria.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, si dhe ekspertë për çështje ekonomike thonë rënia e investimeve të huaja dhe përqendrimi i investimeve të diasporës në patundshmëri, është shqetësuese.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, thotë se në një hulumtim të realizuar vitin e kaluar, lidhur me investimet e diasporës, rezulton se mbi 76 për qind investimeve të tyre janë në patundshmëri, kurse 10 për qind kanë deklaruar se kanë investuar në Kosovë, por që gjysma e tyre kanë pasur sukses.

“Diaspora e sheh Kosovën si jo të përshtatshme për investime dhe të ngarkuar me taksa dhe barriera të ndryshme”, thotë.

Edhe profesori i ekonomisë Musa Limani, thotë se investimet e diasporës po orientohen në patundshmëri për shkak se institucionet kompetente nuk paraqesin projekte adekuate për investime në sektorë të tjerë, të cilat do të krijonin fitime për investitorët dhe rrjedhimisht edhe hapje të vendeve të reja të punës në Kosovë.

“Është e vërtetë se 90 për qind e investimeve nga diaspora shkojnë në patundshmëri, blerje toke, ndërtim shtëpie, blerje banese e kështu me radhë. Por, nuk është faji i tyre, është faji i qeverisë që nuk përgatitë programe për t’i orientuar këto investime në prodhim”.

“Prandaj, mendoj se si faktor kryesor material në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duhet të llogarisim investimet direkte të huaja dhe veçmas avancimin e kapitalin të diasporës shqiptare”, thotë Limani.

Në anën tjetër, Agim Shahini thotë se institucionet e Kosovës duhet ta kenë prioritet përmirësimin e fushës ligjore për tërheqjen e investime nga jashtë.

“Qeveria nuk po krijon politika joshëse për investime, qoftë të diasporës, qoftë të huaja dhe kjo e bën Kosovën jo të përshtatshme për investime. Ne duhet të kthejmë këtë potencial në investime kapitale, në investime që gjenerojnë vende të reja të punës dhe jo si mundësi për të blerë shtëpia dhe banesa”, thotë Shahini.

Në një përgjigjeje me shkrim nga Agjencia për Regjistrimin e Biznesit, thuhet se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 713 biznese të huaja. Në pjesën e parë të vitit 2019 kanë qenë 368 biznese, kurse në pjesën e dytë gjithsej 345 biznese.

Investimet e realizuara së fundmi në Kosovë janë përqendruar më shumë tek energjia e ripërtërishme, miniera, ndërtim, turizëm dhe shërbime financiare.

Përveç investimeve direkte, trendi i dërgesave të parave nga diaspora kosovare apo remitencave, ka shënuar rritje viteve të fundit. Paratë e mërgimtarëve dërguar në Kosovë, për nëntë muajit e vitit të kaluar kanë tejkaluar vlerën prej 700 milionë euro. /REL/

PËRGJIGJU