Politikë ‘shëlbimi’ apo menaxheriale, cila na duhet?

0

 

Fadil Sahiti

Më parë në një shkrim, kam shfaqur pikëpamjen lidhur me rrezikun që mund t’i kanoset Kosovës nga politikanët me vese ‘shëlbimi’. Gjatë historisë sonë, kishim mjaft politikanë të tillë. Të gjithë janë karakterizuar me dëshirën e zjarrtë për t’u dukur, për t’u shfaqur si shpëtimtarë të kombit, si ‘baballarë të kombit’. Është e qartë se skena politike shqiptare akoma dominohet nga ky lloj i politikanëve.

Por, në fakt, çfarë lloj politikani u duhet shqiptarëve?

Ashtu siç e shoh gjendjen ekonomike dhe sociale në të dy shtetet shqiptare, shqiptarëve më shumë u duhen politikanë me kualitete menaxheriale, e jo me ato ‘shëlbuese’; u duhen politikanë që mbajnë përgjegjësi për punën dhe moskryerjen e punës. Ndonëse krahasimi nuk mund të jetë i qëlluar, na duhen liderë politikë të ngjashëm me shefat ekzekutivë të korporatave të mëdha. Kur korporatat e mëdha kërkojnë menaxherë për t’i vënë në krye të bizneseve, kanë veç një qëllim: të gjejnë njerëz me ekspertizë, të pajisur me dije, përvojë dhe shkathtësi për t’ia zgjidhur problemet entitetit të tyre afarist. Shkurt, ata janë të interesuar ta gjejnë personin i cili e njeh gjendjen e korporatës dhe merr përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve konkrete të saj.

Për ata të cilët e bëjnë përzgjedhjen, nuk është asnjëherë krejt e rëndësishme se si flet kandidati që e pretendon kontratën nga korporata, sa fjalë të bukura ka përdorur gjatë prezantimit të vetes apo të programit te tij qeverisës, sa shumë i lexueshëm apo i dijshëm është, e të tjera. Sigurisht që këto atribute nuk janë krejtësisht triviale (banale), por nuk përbëjnë thelbin e personit që kërkohet. Matësi i vetëm për zbulimin e cilësisë së aftësisë së një menaxheri të mirë është puna. Nuk janë thjeshtë fjalët apo programi politik që përcakton kualitetin e tij, por veprat. Ndërkaq, qëllimi përfundimtar i veprimtarisë dhe veprave të menaxherit është zgjidhja konkrete e problemeve.

Ne s’e kishim mundësinë të kuptojmë se cili është programi i Qeverisë së re të Kosovës. Personalisht e konsideroj papërgjegjshmëri vonesën e mospublikimit të këtij programi. Mirëpo, pavarësisht prioriteteve që do mund të ketë vendosur Qeveria, sipas pikëpamjes sime problemi më i madh është menaxhimi i një lloj urrejtjeje ‘tribale’ mes partive politike, që mund të bartet edhe në popull. Një urrejtje që është vërejtur qartë edhe në debatin politik në ditën ceremoniale të qeverisë së re. Urrejtja e tillë mund të jetë edhe brenda vetë strukturës qeverisëse. Nuk duhet harruar se kjo qeveri u krijua më shumë si rezultat i presionit politik nga opinioni publik, sesa si një fryt i një marrëveshjeje të natyrshme politike.

Edhe teoria politike thotë se një nga çështjet më të vështira në politikë është kontrollimi dhe menaxhimi i urrejtjes, ndarjes, fraksioneve mes njerëzve. Ndër shekuj, që nga Aristoteli, suksesi në politikë përcaktohej nga suksesi i kontrollimit të urrejtjes politike. Në librin e tij “Politika”, Aristoteli pohon se regjimi apo qeveria më e mirë e një populli është kur kontrollon me sukses urrejtjen, fraksionin. Një politikan i suksesshëm për të është i zhveshur nga idhujtaria historike, apo qëllimet politike të ‘shëlbimit’. Një politikan i suksesshëm zotëron aftësinë e gjykimit praktik; një aftësi që quhej ‘phronesis’ nga grekët e lashtë . Kjo aftësi është më shumë një lloj mençurie që lidhet me veprimin praktik, një lloj “virtyti praktik”. Edhe për filozofin anglez Isiah Berlin, politikan i suksesshëm është njeriu që shquhet me aftësinë e gjykimit praktik, apo që ka dije të plotë mbi jetën publike. Madje, Henry Adams, historian i njohur amerikan, në mënyrë cinike thoshte se politika nuk është asgjë tjetër përpos “organizim apo qeverisje e urrejtjes mes njerëzve”. Ne vetë mund ta kuptojmë sesa shumë të vërteta ka në këtë thënie. Kjo shtron pyetjen nëse është e mundur të shndërrohet politika, të zëvendësohet armiqësia dhe konflikti fraksional në mirësi, të zëvendësohet konflikti me harmoninë?

Urimi më i madh që dikush do mund t’i jepte kryeministrit të ri të Kosovës, është: të mos udhëhiqet nga urrejtja, nga revanshizmi, nga ndjenja e armiqësisë. Përkundrazi, duhet ta kanalizojë dhe ridrejtojë këtë urrejtje dhe armiqësi mes fraksioneve të ndryshme politike drejt një të mire të përbashkët.

Ajo çfarë ne kemi nevojë nga qeverisja e re, nuk është të marrë shtetin në dorë dhe të na bëjë jetën parajsë, sepse ky është një iluzion i frikshëm. Ajo çfarë ne kemi nevojë është që institucionet e shtetit të na mbrojnë si individë, si qytetarë. Personalisht nuk dua të jetoj në një shtet ku jam në mëshirën e kujtdo që ka muskuj dhe grushte më të forta. Në mënyrë specifike, dua të jetoj në një shtet në të cilin organet e saja e bëjnë qartësisht dallimin mes agresorit dhe viktimës.

Nga ana tjetër, ne, si individë, duhet të bëhemi të vetëdijshëm se fati i jetës sonë nuk përcaktohet vetëm nga shteti. Jemi ne ata që mund të bëjmë gjithçka për të hequr qafe vuajtjet e shmangshme, të lirohemi nga shëmtitë e panevojshme të jetës. Duhet të kuptojmë se nuk është e pamundur për ne të bëjmë diçka në këtë drejtim. Kjo vetëdije rrit presionin e përgjegjësisë personale te secilit.

Si përfundim, duhet të bëhemi të vetëdijshëm se i vetmi fat që kemi si qenie njerëzore, është ai i bartjes së kryqit mbi supet tona.

PËRGJIGJU