Kurti po trashëgon probleme dhe pengesa serioze

0

 

Njohësi i rrethanave politike, Belul Beqaj, shpreson që qeveritarët e rinj të mos jenë sikurse ata të kanë qenë më herët. Ai ka deklaruar se qeveritarët e rinj duhet të jenë në shërbim të qytetarëve.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Beqaj ka treguar se qeveria e re duhet ta fillojë eliminimin e shkaqeve dhe faktorëve që e kanë degraduar shtetin.

“Besoj se do të filloj diskontinuiteti me pushtetin e kapur. Do të fillojë eliminimi i shkaqeve dhe faktorëve që e kanë degraduar shtetin dhe e kanë tretur shpresën se, megjithatë, Kosova nuk është shtet i pa shpresë! Prandaj, shpresoj së pushtetarët do të jenë në shërbim të qytetarëve e jo të shërbehen me ta siç ka ndodhur deri më tani”, ka thënë Beqaj.

Ai ka folur edhe për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, i cili do t’i ketë 15 ministra dhe dy zëvendëskryeministra.

Beqaj ka vlerësuar se ky kabinet qeveritar karakterizohet me një heterogjenitet mes shumicës që do të punojnë për ndryshime dhe pakicës që do të bëjë çmos për ta vazhduar mentalitetin e kaluar qeverisës.

“Kabinetin qeveritar e karakterizon heterogjeniteti mes shumicës që do të punojë për ndryshime në krye me Albinin, pakicës që do të bëjë çmos për të vazhduar mentaliteti i “shtetit të kapur” në krye me Agimin Veliun dhe të tjerëve që do të sprovohen ndaj liderëve dhe detyrave ministrore!”, është shprehur Beqaj.

Më tej, njohësi i rrethanave politike ka treguar për vështirësitë me të cilat do të përballet qeveria e re. Ai ka thënë se kryeministri Kurti do të trashëgojë probleme dhe pengesa serioze të shtresuara nder vite.

Sipas Beqajt, vështirësitë që do të dalin me konsolidimin e qeverisë do të jenë arsye që perfomanca e Kurtit në vitin e parë do të jetë nën kapacitetin dhe vullnetin subjektiv.

Analisti politik ka folur edhe për opozitën e re, duke paralajmëruar se ajo nuk do të jetë destruktive.

“Opozita në  mënyrë shumë të tejdukshme u mundua, duke akuzuar LV-në dhe Albinin, ta mbrojë tëkaluarën e errët. Prandaj, nuk pres konstruktivitet. Përkundrazi, mobilizimi kryesisht destruktiv i opozitës po paralajmëron destabilizim sa për shkak të kryeministrit dhe koalicionit të pasprovuar, edhe më shumë të frikësuar nga ngritja e aktakuzave të Gjykatës Speciale”, ka thënë Beqaj.

 

“Epoka e re”: Z. Beqaj, koalicioni qeverisës LV-LDK u bë dhe qeveria Kurti u votua në Kuvend. Si e shihni z. Kurti si kryeministër?
Beqaj: Periudha kohore derisa më në fund u arrit marrëveshja na ka përkujtuar më shumë në logjikën e pushteteve të “shtetit të kapur” sesa të partnerëve të përcaktuar për ndryshim. Kurti si kryeministër po trashëgon probleme dhe pengesa serioze të shtresuara ndër vite. Vështirësitë që do të dalin me konsolidimin e qeverisë, vështirësitë me partnerin dhe mungesa e përvojës vendimmarrëse politike do të jenë arsye që perfomanca e tij, në vitin e parë, do të jetë nën kapacitetin dhe vullnetin subjektiv.

 “Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja nga qeveria e re?
 Beqaj: Besoj se do të fillojë diskontinuiteti me pushtetin e kapur. Do të fillojë eliminimi i shkaqeve dhe faktorëve që e kanë degraduar shtetin dhe e kanë tretur shpresën se, megjithatë, Kosova nuk është shtet i pa shpresë! Prandaj, shpresoj se pushtetarët do të jenë në shërbim të qytetarëve e jo të shërbehen me ta, siç ka ndodhur deri më tani.

 “Epoka e re”: Ky kabinet qeveritar do të jetë më i vogël në numër dhe me figura kryesisht të paprovuara në ekzekutiv. Cili është vlerësimi juaj për përbërjen e kabinetit qeveritar?
Beqaj: Kabinetin qeveritar e karakterizon heterogjeniteti mes shumicës që do të punojë për ndryshime në krye me Albinin, pakicës që do të bëjë çmos për të vazhduar mentaliteti i “shtetit të kapur” në krye me Agimin Veliun dhe të tjerëve që do të sprovohen ndaj liderëve dhe detyrave ministrore.

 “Epoka e re”: Dialogu me Serbinë do të jetë prej temave të para dhe kryesore me të cilat do të merret kjo qeveri. I dërguari special i presidenti Trump ka paralajmëruar dinamikë të re të këtij procesi. Çka do të ndodhë me këtë proces gjatë qeverisë së re?
Beqaj: Derisa të mos arrihet dhe qartësohet qëndrimi unik ndërkombëtar për zgjidhjen përfundimtare ligjërisht obligative të marrëveshjes me Serbinë, besoj se Kosova prioritet më të madh e ka gjendjen e vështirë ekonomike, drejtësinë, arsimin dhe shëndetësinë. Së pari, ata që insistojnë që dialogu të jetë çështje urgjente, në fakt, do të rrënojnë me shpejtësi urgjente këtë qeveri me probleme të trashëguara dhe pa u konsoliduar funksionalisht. Së dyti, pa u normalizuar marrëdhëniet i dërguari special amerikan nuk do ta zgjidhë problemin përmbajtësish, eventualisht, vetëm formalisht!

“Epoka e re”: Në ditën e votimit të Kurtit në Kuvend e pamë një reagim të ashpër të opozitës ndaj kryeministrit të ri. Prisni të jetë konstruktive kjo opozitë?
Beqaj: Reagimi i opozitës, veçmas ndaj LV-së ka qenë plot mllef, akuza, ofendime, shpifje, kërcënime, aty-këtu edhe me kritika dashamirëse dhe të qëndrueshme. Por, edhe sikur të gjitha diskutimet të ishin të argumentuara për atë çfarë ka bërë LV-ja dhe Kurti duke qenë në opozitë, nuk mund të barazohen as me një vit të keqpërdorimeve aksiomatike të pushteteve të deritanishme! Opozita në mënyrë shumë të tejdukshme u mundua, duke akuzuar LV-në dhe Albinin, ta mbrojë të kaluarën e errët! Prandaj, nuk pres konstruktivitet. Përkundrazi, mobilizimi kryesisht destruktiv i opozitës po paralajmëron destabilizim sa për shkak të kryeministrit dhe koalicionit të pasprovuar, edhe më shumë të frikësuar nga ngritja e aktakuzave të Gjykatës Speciale!

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU