Qeveria Kurti, ndërmjet premtimeve, realiteteve dhe presioneve

0

 

Prof. Lisen Bashkurti

Më 3 shkurt 2020, Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi përbërjen dhe programin e Qeverisë së re me kryeministër Albin Kurtin. Qeveria Kurti doli pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 dhe u votua pas një procesi të gjatë negociatash midis dy partnerëve politikë, VV dhe LDK. Opinioni vendas, mbarë shqiptar, rajonal dhe ndërkombëtar e ka përcjell me interesim të lartë këtë moment ndryshimi politik thelbësor në udhëheqjen e Kosovës. Kryeministri Kurti, përbërja e kabinetit të tij dhe programi i shpalosur në Kuvend përbëjnë shpresa për të ardhmen e Kosovës. Por, që këto shpresa të bëhen realitet Qeveria Kurti lypet të konsiderojë në mënyrë të balancuar premtimet, realitetet dhe presionet nga brenda dhe nga jashtë.

1. Midis establishmentit të vjetër dhe opozitës së re

Qeveria Kurti ka marrë drejtimin e Kosovës pas një periudhe të gjatë të qeverisjes nga PDK-ja dhe AAK-ja, të njohura brenda dhe jashtë Kosovës si forcat politike të krahut të luftës. Trashëgimia e kësaj qeverisje ka lënë problematika serioze sistemike dhe sektoriale në Kosovë. Sistemi politik në Kosovë, ekzekutivi, legjislativi dhe drejtësia janë mbarsur me mungesa të theksuara integriteti, profesionaliteti, pavarësie dhe mungesë kontrolli e balancash ndërmjet tyre. Korrupsioni, inkriminimi, padija, nepotizmi, politizimi i skajshëm vulgar reflektohen në gjithë organizimin e sistemit politik të vendit.
Establishmenti i vjetër e ka keq-qeverisur Kosovën. Ato kanë çaluar në identifikimin e problemeve të Kosovës, në formulimin e politikave publike, në përgatitjen dhe adoptimin e strategjive dhe prioriteteve të shtrira në kohë dhe hapësirë, në legjislacion, në ndërtim institucionesh, në administrim kapacitetesh njerëzore, në menaxhimin e resurseve financiare, në implementimin e ligjeve, projekteve dhe politikave publike, në evoluimin e tyre në proces dhe në përmirësimet e vazhdueshme varësisht nga premtimet dhe problematikat e reja.
Establishmenti i vjetër i Kosovës ka konsumuar kohë, burime dhe financa me një efikasitet të ulët. Analiza kosto-benefit i establishmentit të vjetër në Kosovë kanë lënë shumë për të dëshiruar në sektorët e ekonomik, në aspektin social, në rritjen e varfërisë, papunësisë, dëshpërimit të rinisë e zhgënjimit të shtresës së mesme, në rënien e nivelit të arsimit, shëndetësisë, mjedisit dhe zhvillimit infrastrukturorë dhe urban.
Tanimë, establishment i vjetër kanë kaluar ose po kalojnë në opozitë. Është herët për të treguar se çfarë opozitë do bëjnë. Por, lidershipi dhe përbërja e tyre si dhe përformanca e parë parlamentare lënë për të dëshiruar. Ndjehet një frymë kritizere e sëmurë dhe plot paragjykime, duket një sjellje e rëndomtë dhe e ashpër që paralajmëron marrëdhënie të polarizuara dhe konfrontuese mazhorancë-opozitë.
Pra, sfida e parë që do të duhet të përballet Qeveria-Kurti është, njëherazi eliminimi i pasojave të qeverisjes së establishmentit të vjetër dhe menaxhimi i sjelljes të tyre politike në rolin e opozitës së re. Duke pasur parasysh se ‘krahu i luftës’ PDK, AAK vijnë pas një përvojë të gjatë qeverisëse, ndërkohë që VV është pa një përvojë të tillë, merret me mënd sesa sfidante do të jetë marrëdhënia politike Qeveri-opozitë.
Marrëdhënia mazhorancë-opozitë varet jo vetëm nga sjellja e establishmentit të vjetër në rolin e opozitës së re, por në masë të konsiderueshme edhe nga qasja e mazhorancës ndaj kësaj opozite. Kryeministri Kurti, koalicioni VV-LDK lypet të mbajnë në mënd se ndëshkimin për qeverisjen dhe establishmetin e vjetër e bënë qytetarët e Kosovës dhe nuk ka vend që ta ribëjë edhe qeveria e re. Kurti dhe mazhoranca që ai drejton lypet të mbajnë në konsideratë se ish-luftëtarët e UÇK-së vlerësohen si heronj në popull dhe do kenë gjithherë mbështetje popullore. Kurti, koalicioni qeveritar VV-LDK është e domosdoshme të njohin dhe respektojnë ndjenjat dhe traditat patriotike dhe kombëtare, të jenë të vetëpërmbajtur, të qetë, të ekulibruar, me qëllim që të shmangin polarilizimin dhe konfrontimin politik dhe të ruajnë e të mbajnë me kujdes situatën në vend.

2. Pritshmëritë, midis premtimeve dhe realiteteve

Qeveria Kurti, ose ndryshe koalicioni qeveritar VV-LDK u votuan nga shumica e qytetarëve të Kosovës, nisur nga nevojat e thella të shtetit dhe të mbarë shoqërisë kosovare. Ishte padyshim një votë për një kthesë të thellë, për një ndryshim radikal, për një përmirësim rrënjësor, për një revolucion qeverisës, për një establishmënt tërësisht të ri, modern, të arsimuar dhe me integritet, për një të ardhme të mirë, të lirë, demokratike dhe me prosperitet.
Vota e koalicionit VV-LDK është një votë cilësore dhe lypet të llogaritet si e tillë. E them këtë, sepse kam dëgjuar, lexuar e parë komente të establishmentit të vjetër ose opozitës së re në Kosovë, që flasin për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 përllogarisin vetëm numrat, pra e konsiderojnë si një votë sasiore. Është padyshim qasje e pasaktë, e padrejtë, në mos jo dashamirëse.
Nëse establishmenti i vjetër ose opozita e re në Kosovë nuk do e lexojnë votën e 6 tetorit 2019 si një votë cilësore, atëherë ata kanë pak ose aspak gjasa që të reflektojnë për gabimet e së kaluarës, për reformimin e tyre të thellë vertikal dhe horizontal, për ndërtimin e strategjisë se re në opozitë dhe për të pasur një qasje kooperuese dhe kompetitive në raportet mazhorancë-opozitë. Establishmenti i vjetër mund të shndërrohet në opozitë të re vetëm nëse arrin të kuptojë thellë se ata u ndëshkuan të kalojnë në opozitë nga qytetarët, nga pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre dhe jo thjeshtë nga VV-LDK.
Vota cilësore e 6 tetorit 2019 për koalicionin VV-LDK është për qeverisje të mirë, legjitime, transparente, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse. Është votë për një administratë publike qendrore dhe vendore të vogël, ekonomike, profesionale të bazuar në meritë, me integritet, me përkushtim, me qytetari dhe patriotizëm.
Vota cilësore për koalicionin VV-LDK është thirrje qytetare për shtetin e së drejtës, për sundimin e ligjit, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të pakicave, për zhvillim ekonomik e social, për më shumë punë e prosperitet, për më shumë arsim, kulture dhe shkencë, për më shumë shëndetësi, sporte e mjedis, për më shumë kohezion social-ekonomik, urban dhe infrastrukturorë.
Vota cilësore qytetare e 6 tetorit është për një ndryshim të thellë të cilësisë së jetës dhe për një qartësim të perspektivës për qytetarët e Kosovës. Këto janë pritshmëri shumë të larta, të nxitura nga pakënaqësitë e thella të krijuara nga qeverisjet e këqija për një kohë të gjatë në Kosovë dhe nga ngjallja e shpresave të reja për një qeverisje të re dhe lidership të ri. Suksesi i Qeverisë Kurti dhe koalicionit VV-LDK do varet nga trajektorja qeverisëse nga pakënaqësitë drejt përmbushjes së shpresave.
Zgjedhësit e pakënaqur, idealistët dhe ëndërrimtarët e 6 tetorit 2019 kanë varur shpresat e tyre të mëdha tek Qeveria Kurti. Ato presin ndjekjen e një linjë të qartë dhe të vendosur anti-establishment që Kurti ia ka premtuar. Qytetarët presin prej Qeverisë Kurti luftë pa kompromis kundër nepotizmit, tarafeve politike, krahinariste, familjare e miqësore, kundër monopoleve dhe abuzimeve të çfarëdolloj me pushtetin. Opinioni publik ngulitur në popullin e Kosovës për Albinin, si i pakorruptueshëm, i drejtë, i ditur, i aftë dhe i vendosur është sfidë jashtëzakonisht serioze personale për Kryeministrin Kurti. Është koha që ai lypet t’i dëshmojë këto cilësi, t’i qëndrojë me seriozitet reputacionit të tij dhe të ndjekë pa mëdyshje linjën që e ka kristalizuar në vitet e opozitës dhe për të cilën u zgjodh në krye të qeverisë.

3. Dilemat midis premtimeve dhe presionit ndërkombëtar

Qeveria Kurti dhe koalicioni VV-LDK do të përballen paralelisht me sfidat e brendshme, edhe me sfidat ndërkombëtare. Në agjendën ndërkombëtare qeveria Kurti ka këto prioritete: fuqizimin dhe dinamizimin e marrëdhënieve strategjike me ShBA, NATO, BE dhe Shqipërinë; normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë mbi baza reciprociteti, përmes dialogut dhe negociatave drejt një marrëveshje të negociueshme kompromisi Kosovë-Serbi; zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare dhe integrimin në organizata rajonale dhe universale; integrimin në NATO dhe BE. Këto prioritete janë tërësi kapilare e strategjisë së Qeverisë Kurti në politikën e jashtme.
Ndër më sfidantet është padyshim rifillimi i negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje të negociuar kompromisi midis palëve. Për shkaqe që dihen dialogu Prishtinë-Beograd është bllokuar. Ndërkohë është ri-aktivizuar dukshëm diplomacia e ShBA dhe e BE për të rifilluar procesin e negociatave dypalëshe me ndërmjetësim ndërkombëtar, kryesisht ShBA dhe BE. Qeveria Kurti po vihet kështu përballë një presioni në rritje për agjendat e ndërprera ndërkombëtare.
Kurti, VV dhe LDK kanë qënë aktiv, kritikë dhe alternativ në qasjen e Qeverive të mëparshme të Kosovës ndaj dialogut me Serbinë. Kurti dhe VV kanë mbështetur masat e qeverisë Haradinaj ndaj tregtisë me Serbinë. VV dhe LDK, së bashku kanë kundërshtuar fort skenarët për ‘korrigjim kufijsh’, ‘ndryshim kufijsh’, ‘shkëmbim territoresh’ duke mbrojtur integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.
Për Kurtin parimi themelor për rifillimin dhe arritjen e marrëveshjes së negociueshme Prishtinë-Beograd është parimi i reciprocitetit midis dy vendeve. Duhet theksuar se qasja ndaj dialogut me Serbinë dhe skenarëve të diskutuara për marrëveshjen e kompromisit midis Prishtinës dhe Beogradit kanë qenë një vijë ndarëse e thellë brenda politikës Kosovare.
Qeverisë Kurti i bie një barrë e rëndë për të krijuar mjedisin politik për të përgatitur qytetarët e Kosovës dhe gjithë spektrin politik të vendit për rifillimin e negociatave me Serbinë përmes hartimit dhe adoptimit të strategjisë për arritjen e marrëveshjes së negociuar të kompromisit midis palëve. Qeverisë Kurti i bie pesha historike të sigurojë mbështetje gjithëpërfshirëse, popullore, politike dhe institucionale brenda Kosovës. Polarizimin e derisotëm të politikës Kosovare për qasjen ndaj zgjidhjes me Serbinë, Qeveria Kurti duhet ta shndërrojë në mirëkuptim, bashkëpunim, kompromis, konsensus dhe gjithëpërfshirje midis gjithë aktorëve dhe faktorëve politik, institucional dhe qytetar të Kosovës. Për këtë Kurtit i duhet punë e madhe përgatitore.
Në procesin e përgatitjes së klimës dhe strategjisë negociuese për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, Qeveria Kurti ka nisur të përballet që tani me presion ndërkombëtar në rritje. Përballimi dhe adresimi i këtij presioni, ngado që të vijë, lypet të bëhet duke mos cenuar linjën e deritanishme të VV-LDK dhe të Kurtit personalisht në qasjen ndaj Serbisë, parimeve të negociatave me të dhe të strategjisë së reciprocitetit në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Kurti, VV-LDK janë votuar për linjën e tyre në politikën e jashtme, në qasjen ndaj Serbisë dhe në arritjen e marrëveshjes së kompromisit mbi parimin e reciprocitetit. Sa kohë Qeveria Kurti, VV-LDK do i qëndrojnë linjës së tyre në qasjen ndaj Serbisë ato do gëzojnë mbështetje të madhe dhe të fuqishme të brendshme, çka garanton suksesin e procesit dhe të Qeverisë Kurti. Çdo cenim i linjës së Kurtit, VV-LDK në qasjen ndaj Serbisë do dobësonte mbështetjen e saj të brendshme dhe do sillte dështim të pashmangshëm.
Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi me ndërmjetësim ndërkombëtar të ShBA-BE nuk varet vetëm nga Kosova. Serbia, nga ana e saj ka shumë rrugë për të bërë në ndryshimin e qasjes së saj ndaj Kosovës. Ka edhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë ndërmjetësues me rëndësi jetike, sic janë ShBA dhe BE. Të gjithë duan kohën e vet për t’iu afruar zgjidhjes së negociuar të kompromisit. Pra, do kemi një kompromis ndërkombëtar, jo thjeshtë dy palësh.

Arritja e këtij kompromisi ndërkombëtar kërkon që të shpejtohemi, por jo të nxitohemi. Zgjidhja e shpejtuar sjell paqe e stabilitet për të gjithë. Zgjidhja e nxituar sjell zgjidhje të parakohshme, të pasakta, të gabuara dhe të padrejta, çka rrezikon paqen dhe stabilitetin për të gjithë.
Ka disa faktorë politiko-diplomatik ndërkombëtar, midis tyre edhe dashamirës të Kosovës, që mund të kërkojnë me nxitim arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi për arsye të ndryshme e që nuk lidhen domosdoshmërisht direkt me këtë çështje. Qeveria Kurti lypet t’i njohë dhe t’i përballojë me qetësi dhe argumente presionet ndërkombëtare për marrëveshje të nxituar Kosovë-Serbi, duke pasur parasysh se një pjesë e këtyre presioneve dhe nxitimeve vijnë ngandonjëherë të diktuara nga situatat politike të brendshme që kalon çdo aktor ndërkombëtar apo nga konjukturat gjeopolitike ndërkombëtare. Pra, nuk ka vend për nxitim. Kosova ka jetuar njëqind vjet nën robërinë Serbe dhe më në fund ka triumfuar. Në kushtet e lirisë, pavarësisë e sovranitetit të saj, Kosova mund të jetojë edhe njëmijë vjet të tjera pa Serbinë. Zhvillimet politike në marrëdhëniet ndërkombëtare lëvizin shumë më ngadalë sesa zhvillimet politike të brendshme. Kjo lypet të mbahet mirë parasysh nga Qeveria Kurti.

PËRGJIGJU