Dashuri në kohë holokausti

0

 

Ruzhdi Gashi

(Fragment nga romani “Dashuri në kohë holokausti”)

Gjatë ditës, si çdo ditë tjetër, shkova të vizitoja dyqanet tona, për të parë si vënë punët. Pak para darke u ktheva në shtëpi dhe pashë që familja Gerson ishin bërë gati. Më prisnin që t`i shëtisja nëpër Tiranë. Kjo ishte dalja e parë në qytet, që nga ardhja e tyre. U përkujdesa që ata të shijonin shëtitjen.

Qyteti ishte i mbushur përplot. Ndalesën e parë e bëmë para akulloreshitësit, xha Kristos. Aty shijuam akullore të mrekullueshme. Vazhduam të shëtisnim, ndërsa unë u flisja për vendin tonë, u shpjegoja gjëra, tregoja histori, shijonim ushqime tradicionale…
– Tash është koha për ëmbëlsirë, -u thashë.
Zumë vend në ballkonin e ëmbëltores Pranvera, ku mysafirët provuan bakllavanë e famshme dhe bozën e mrekullueshme. Ishte hera e parë që provonin këtë pije. Shijuam edhe ëmbëlsira tjera të cilat iu pëlqyen tej mase.
Mysafirët po shijonin shëtitjen. Atyre u pëlqente shumë Tirana. I dërgova te dyqanet tona, më pas edhe në çarshi. Zonja Rashel, meqenëse ishte arkeologe, kishte dëshirë t`i vizitonte monumentet fetare dhe historike të qytetit.

I dërgova në kishë, xhami, në muze, gjithashtu edhe në hamamin e qytetit. Për fat të keq, monumentet në këtë kohë ishin të mbyllura. Ju premtova se
ndonjë ditë do t`i vizitonim gjatë ditës, e kështu do të kishim mundësinë t`i vizitonim edhe nga brenda. Pasi vizituam gjysmën e qytetit, nuk mund të ktheheshim në shtëpi pa shijuar dhe një darkë të mirë. Vend më i mirë se qebaptore Kosova nuk mund të gjendej. Brenda kishte shumë njerëz që shijonin qebapët e pjekura mirë. Era e mishit të shijshëm vinte gjithandej. Ua tregova ushqimet që mund të porositnin.

Ata porositën qofte të mbushura dhe suxhuk Prizreni me sallatë të freskët, djathë Sharri dhe kos të deleve.
– Unë si mjek, pacientëve të mi u them të mos përdorin shumë yndyrë, por specialitetet tuaja më bën t`i harroj të gjitha ligjet e mjekësisë, – tha doktor Solomoni.
Kaluam kohë të bukur së bashku. Ndërsa, tashmë duhej kushtuar kohë edhe Davidit, mysafirit të vogël. Kisha parë disa afisho që reklamonin mbajtjen e një cirku në qytet. I thashë se do ta dërgonim pasi ta përfundonte pjatën. Faleminderit më tha në gjuhën shqipe. Si duket, shoqërimi me fëmijët e lagjes kishte bërë që ai të mësonte disa fjalë në gjuhën tonë.

Bleva pesë bileta, misra të pjekur, pupagjela dhe filluam të shijonim shfaqjen e cirkut.
Së pari u argëtuam me një majmun që sillej vërdallë duke ngarë një biçikletë. Ai nxirrte gjuhën jashtë, ndërsa fëmijët kënaqeshin duke qeshur me të bëmat e tij. Pastaj pamë ariun duke vallëzuar nën ritmet e daulles, elefantin dhe disa kafshë tjera të cilat na dhuruan spektakël. Në fund fare, sytë tanë shijuan akrobacionet e rrezikshme të akrobatëve më litar. Në një moment njëri nga ata e humbi ekuilibrin dhe Ana nga frika u mbështet tek unë.

Programi zgjati dy orë të plota. Kishim kaluar kohë të mrekullueshme bashkë. Kënaqësia vihej re edhe në fytyrat e mysafirëve të mi. Duke u kthyer për në shtëpi, kaluam afër kinemasë “Rozafa”. Aty reklamohej një film në të cilin luante aktori Rudolf Valentino.
– Po ky është aktori im i preferuar. Ka kohë që nuk kam parë film nga ky aktor, – tha Ana.
– Kjo është punë e lehtë, nesër në mëngjes do të marr biletat dhe në mbrëmje shkojmë dhe eshohim filmin të gjithë së bashku, -ia ktheva.
– Astrit, unë dhe Solomoni nuk e kemi moshën për këso filmash, kurse Davidi është i vogël. Ti merr vetëm dy bileta, për ty dhe për Anën, – tha, zonja Rashel.
– Në rregull,- i thashë. Ndërsa brenda vetës ndjeva gëzim që nesër do të më shoqëronte vetëm Ana.
Pasi arritëm në shtëpi, teta Esma na shërbeu me nga një kafe të shijshme. Ndërsa, zonja Rashel më falënderoi për këtë mbrëmje të mrekullueshme.
– Astrit, ne vërtet ia kaluam bukur sonte. Ju falënderojmë që me mikpritjen tuaj, ju po na bëni që ne të harrojmë vuajtjet nëpër të cilat kemi kaluar.
-Zonja Rashel, nuk keni nevojë të falënderoheni. Është detyrë njerëzore që ne ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Ju siguroj që, jo vetëm tek ne, por në cilëndo familje shqiptare, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë ju do të kishit trajtimin e njëjtë.
Të nesërmen që në mëngjes shkova në sportelin e kinemasë Rozafa dhe bleva dy bileta për terminin e orës tetë në mbrëmje. Tërë dita më kaloi duke pritur mbrëmjen. Më dukej se kjo ditë zgjati një shekull. U ktheva në shtëpi në orën pesë të mbrëmjes. Familja Gerson ishte përlotur. Ata bisedonin në gjuhën e tyre, ndërsa unë kuptova vetëm pikëllimin që shihej në fytyrat e tyre. U kërkova falje që i kisha lënë vetëm, por u arsyetova se më duhej të përcillja punën në dyqane.
-Biri im, na fal që na gjete në këtë gjendje, por sot duke kujtuar të kaluarën, na kaploi mërzia dhe lotët nuk mund t`i mbanim. Po kujtojmë kohën se ku ishim dhe ku mbetëm. I humbëm të gjitha, shtëpinë, punën. Është fat i madh që arritëm të shpëtonim kokën. Fëmijët po e përjetojnë më rëndë këtë gjendje, sidomos Ana, të cilës në fillim të karrierës iu thyen ëndrrat, – u arsyetua zonja Rashel.

– Zonja Rashel, e kuptoj plotësisht gjendjen tuaj. Fashizmi hitlerian e ka tronditur botën, por do të kalojë edhe kjo stuhi. Jam i bindur te Zoti se, edhe ju, më në fund do ta gëzoni lirinë në shtetin tuaj, sepse vetë ai nuk do të lejojë që kjo tragjedi të zgjasë pa fund. Sa i përket Anës, unë do të mundohem sonte që, sadopak, t`i harrojë të gjitha. Do mundohem ta argëtoj në kinema. Zonjës Rashel i ndritën sytë. Më përqafoi dhe më falënderoi. Pas darkës, e pyeta Anën nëse ishte gati për t`u nisur në kinema. Edhe ajo mezi kishte pritur të arrijë mbrëmja. U nisëm pasi morëm bekimin e zonjës Rashel. Para se të arrinim në kinema, Ana pa një zinxhir që ishte vendosur në vitrinën e një argjendarie. Megjithëse, i pëlqeu, nuk më tha gjë, por unë e kuptova. E ftova brenda. I thashë argjendarit të ma sillte zinxhirin dhe e luta Anën ta provonte.

Zinxhiri shkëlqente në qafën e hollë të Anës, nganjëherë më dukej se qafa e saj e zbukuronte edhe më zinxhirin prej ari. Mbaje,- i thashë,- ta kesh kujtim nga unë. Argjendari, duke na njohur si familje, na ofroi zbritje. Pasi kishte kohë deri në fillimin e shfaqjes së filmit, ndaluam në ëmbëltore. Edhe pse në mbrëmje ishte freski, akulloret shijonin, edhe pse të ftohta.

– Astrit, faleminderit për këtë dhuratë kaq të çmuar, kjo është dhurata e parë që kam marrë nga një mashkull. Ti me siguri ke marrë shumë dhurata nga femrat.
-Unë kam marrë aq shumë dhurata nga femrat saqë nuk i zë një kamion,- ia ktheva me shaka, duke e parë drejt në sy.
– Ana ti je dhurata më e bukur që kam marrë nga Zoti, po ashtu edhe familja jote. Nganjëherë më duket se ju kam njohur tërë jetën. Ajo u skuq, por nuk e uli shikimin. Duke më parë në sy tha se të njëjtën gjë po e përjetonte edhe ajo.
–Eh, si është jeta! Të më kishte thënë dikush para dy vjetëve se do të vija në Shqipëri, në këtë vend të vogël, për të cilin, të them të vërtetën kurrë s’kisha dëgjuar, ku do të gjeja strehim dhe mikpritje nga një familje e mrekullueshme, nuk do ta besoja.

Ishte afruar koha e shfaqjes së filmit. Shkuam dhe zumë vend në rendin e fundit. Nuk kishte shumë njerëz, fatmirësisht. Nejse, për mua me rëndësi ishte të isha vetëm me Anën. Nuk kisha idenë më të vogël se çfarë filmi do të shikonim apo kush janë aktorët. Filmi filloi. Ishte film dashurie. Duke e shikuar më ngjalli edhe më shumë ndjenjat ndaj Anës. Imagjinoja vetën me Anën në të njëjtat skena sikurse në film. E dija se edhe Ana po i përjetonte të njëjtat tundime sikur unë. Isha para një dileme të madhe. A t`ia shprehja Anës ndjenjat e mia? Por, nuk mund ta bëja. Fjalët e babait dhe fytyra e tij, kur më paralajmëroi me fjalë të ashpra, me ardhjen e tyre në shtëpinë tonë, gjithnjë më dilte përpara.

Në kokën time po zhvillohej një betejë e ashpër në mes të arsyes dhe zemrës, megjithatë në këtë betejë të ashpër, fituese doli dashuria. Dashuria për Anën ishte më e madhe se sa paralajmërimi i babait, i hapa sytë dhe e pashë që edhe Ana nuk e
kishte vëmendjen te filmi. Edhe ajo kishte rënë në mendime, me zë të ulët i thashë:
– Ana ku e ke mendjen?
-Te filmi, – më tha ajo. Edhe pse ishte errësirë, sepse dritat e kinemasë ishin të fikura, e vetmja dritë ishte ajo që bënte projektori. Vura re se ishte skuqur në fytyrë. Zgjata dorën dhe e afrova pranë trupit tim, fillova të përkëdhelja flokët e saj, ndërsa ajo po luante me duart e mia, merrte frymë më vështirësi dhe i vinte turp të më shikonte në sy. Edhe unë kisha turp. Asnjëri nga ne nuk kishim guxim ta shikonim njëri tjetrin në sy…

PËRGJIGJU