Taksën ndaj Serbisë do ta mbrojmë me të gjitha mjetet demokratike

0

 

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka kundërshtuar paralajmërimin e Qeverisë së re për zëvendësimin e taksës 100 ndaj mallrave serbe me reciprocitet. Ai ka bërë me dije se AAK-ja do të kundërshtojë këtë gjë me të gjitha mjetet demokratike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Lekaj ka thënë se heqja e taksës është veprim i pamenduar mirë. “Ne do t’i përdorim të gjitha metodat demokratike për ta kundërshtuar heqjen e taksës. Nuk mendoj se z. Kurti nuk e ka llogaritur këtë, sepse ne si opozitë, si Aleancë, do të bëjmë veprime që të mos lejojmë në asnjë mënyrë që të hiqet taksa prej 100 përqindësh ndaj mallrave serbe”, ka thënë Lekaj.

Ai ka thënë se aplikimi i reciprocitetit në raport me Serbinë nuk do t’i ketë efektet e taksës. “Nëse e marrim reciprocitetin në aspektin ekonomik, me çka mundet Kosova t’i konkurrojë tregut të Serbisë, kur dihet që eksporti i Kosovës me Serbinë është pothuajse zero. Ndërsa Serbia bën eksport në Kosovë deri në 500 milionë euro në vit. Atëherë, kush ka llogari këtu dhe në dobi të kujt shkon heqja e taksës, pa u ulur në tavolinë dy shtetet dhe pa e njohur Serbia Kosovën si shtet”, ka deklaruar Lekaj, duke shtuar se aplikimi i reciprocitetit në dokumentet e udhëtimit, në pasaporta, do t’i dëmtojë qytetarët e Luginës së Preshevës.

Lekaj, i cili ka qenë ministër i Infrastrukturës në mandatin e kaluar, ka folur edhe për paralajmërimet e qeverisë së re për ta anuluar autostradën e Dukagjinit dhe atë të Gjilanit. Sipas tij, këto veprime janë atak ndaj interesave të qytetarëve të këtyre anëve. “Mirëpo marrja e vendimeve të tilla në ditët e para mendoj se është një mesazh i keq për qytetarët. Paralajmërimi për moszhvillimin e procedurave për Autostradën e Dukagjinit dhe inicimi i procedurave ligjore për anulimin e tenderit në lidhje me autostradën e Gjilanit është një atak në qytetarët e këtyre anëve”, është shprehur Lekaj.

“Epoka e re”: Z. Lekaj, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe me masën e reciprocitetit?
Lekaj: Paralajmërimi i z. Kurti për zëvendësimin e taksës me reciprocitet mendoj se është i pavend dhe i pallogaritur mirë. Kjo është një lehtësi për Serbinë dhe asgjë tjetër. Tani nëse mund të them, i sheh dy Albin Kurta, Albin Kurtin që ka qenë i veshur kuq e zi dhe atë që është i zhveshur. Pra, që e ka zhveshur etja për pushtet. Qeveria e re do të duhej të punojë që ta forcojë shtetin dhe jo ta dobësojë atë. Kjo mendoj se nuk i bën nder z. Kurti dhe qeverisë që është formuar tani.

“Epoka e re”: Pse jeni kundër reciprociteti të plotë me Serbinë?
Lekaj: Nëse e marrim reciprocitetin në aspektin ekonomik, me çka mundet Kosova t’i konkurrojë tregut të Serbisë, kur dihet që eksporti i Kosovës me Serbinë është pothuajse zero. Ndërsa Serbia bën eksport në Kosovë deri në 500 milionë euro në vit. Atëherë, kush ka llogari këtu dhe në dobi të kujt shkon heqja e taksës, pa u ulur në tavolinë dy shtetet dhe pa e njohur Serbia Kosovën si shtet. Pastaj, nëse e marrin reciprocitetin politik, ju po e shihni se në të gjitha takimet që është Serbia po lufton kundër Kosovës. Pra, Serbia nuk do ta njohë realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe po vazhdon ta kundërshtojë atë. Po ashtu, nëse ne aplikojmë reciprocitetin në dokumentet e udhëtimit, në pasaporta, do t’i dëmtojmë qytetarët e Luginës së Preshevës, sepse dihet se sa qytetarë shqiptarë të kësaj ane vijnë në Kosovë. Me këto veprime mendoj se po shkojmë drejt të panjohurave dhe po u shkaktojmë dëme shumë të mëdha bizneseve dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve. Në këtë drejtim mendoj se heqja e taksës është diçka e pallogaritur mirë, e paanalizuar, dhe nuk na çon askund tjetër, vetëm në favore për Serbinë.

“Epoka e re”: Mirëpo përfaqësuesi special i presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, z. Grenell, përsëri ka kërkuar heqjen e taksës. Si do të veprojë Kosova në këtë drejtim?
Lekaj: Raportet e Kosovës me ShBA-në janë të shkëlqyeshme, sepse shtetin e Kosovës e kemi krijuar bashkë me ShBA-në. Në këtë drejtim mikut të mirë duhet t’i ndihmojmë, por jo që kjo të ndodhë pa ndonjë kompromis të Serbisë. Pra, pa njohje të Kosovës ne nuk duhet t’ia japim tregun Serbisë. Këtë ish-kryeministri i Kosovës, z. Haradinaj, e ka bërë të qartë se ne jemi bashkëpunëtorë të mirë me miqtë tanë amerikanë, mirëpo te ne duhet të dominojë interesi i qytetarëve tanë. Nëse ne e bëjmë këtë kompromis, pra heqjen e taksës, pa fituar asgjë, është një gabim që na çon në procese të panjohura.

“Epoka e re”: Nëse qeveria e re e bën një veprim të tillë, cili do të jetë reagimi i AAK-së? Si do ta kundërshtoni heqjen e taksës?
Lekaj: Ne do t’i përdorim të gjitha metodat demokratike për ta kundërshtuar heqjen e taksës. Nuk mendoj se z. Kurti nuk e ka llogaritur këtë, sepse ne si opozitë, si Aleancë, do të bëjmë veprime që të mos lejomë në asnjë mënyrë që të hiqet taksa prej 100 përqindësh ndaj mallrave serbe.

“Epoka e re”: Gjithashtu, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka iniciuar procedurat ligjore për anulimin e tenderit në lidhje me autostradën e Gjilanit, projekt ky i filluar nga ju. Cili është komenti juaj?
Lekaj: Po e shihni pra sesi ‘yrysh qeveria’ po ngutet për t’i ndalë projektet që janë në të mirë të qytetarëve. Pra, po ngutet për ta hequr taksën, për ta penguar këtë projekt të madh për qytetarët e Anamoravës. Ky është një presion që po u bëhet zyrtarëve të prokurimit publik. Këta ose nuk e njohin sistemin, ose këto veprime po i bëjnë në mënyrë të qëllimshme dhe po e nxisin reagimin e qytetarëve.

“Epoka e re”: Për çfarë reagimi po mendoni, z. Lekaj?
Lekaj: Mendoj se qytetarët e Anamoravës kanë plotësisht të drejtë ta kundërshtojnë një gjë të tillë sepse ne si Ministri e Infrastrukturës kemi ndjekur anën ligjore, duke u mbështetur në Ligjin e Prokurimit Publik dhe ministri nuk është ai që ndërhyn në prokurimin publik. Pra, nenet e atij ligji tregojnë se ministri nuk ka të drejtë të bëjë presion mbi zyrtarët apo të ndërhyjë dhe të ndalojë diçka që është ligjore. Kjo le të mbetet në natyrën e tyre. Unë si ish-ministër do ta sqaroj këtë çështje në detaje gjatë ditëve të ardhshme.

 “Epoka e re”: Këto paralajmërime dhe veprime të para të qeverisë së re, çfarë mesazhe dërgojnë?
Lekaj: Paralajmërimet dhe veprimet e tyre nuk janë mesazhe të mira për qytetarët. Unë me marrjen e postit të ministrit nuk kam anuluar asnjë tender, edhe pse kam pasur të drejtë të kërkojë sugjerime dhe këshilla. Por, kam vazhduar rrugën institucionale për të ecur punët. Nuk ndryshon bota me ardhjen e kësaj qeverie në pushtet. Nuk ka ndryshuar bota as kur ne i kemi marrë përgjegjësitë qeverisëse. Jeta vazhdon. Mirëpo marrja e vendimeve të tilla në ditët e para, mendoj se është një mesazh i keq për qytetarët. Paralajmërimi për moszhvillimin e procedurave për Autostradën e Dukagjinit dhe inicimi i procedurave ligjore për anulimin e tenderit në lidhje me autostradën e Gjilanit, është një atak për qytetarët e këtyre anëve.

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU