Seanca e parë e gjykimit historik të monstrumit

0

 

Fehmi Ajvazi

( Tetëmbëdhjetë vite më parë, më 12 shkurt 2002, në Hagë filloi gjykimi i njërës prej figurave politike më të urryera nacionaliste serbe, Sllobodan Milosheviqi president bandit i serbëve, i akuzuar për gjenocid në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Serbët dhe Serbia, janë trashëgues të veprës së tij! Ende nuk kanë hequr dorë nga të bëmat e tij, as nuk kanë kërkuar falje…)

Në perëndim të shekullit XX-të, bota nuk ishte stabile. Krizat morale dhe politike, ato socio – ekonomike, kulturore, ambientale etj., pasqyronin hyrjen e rrezikshme të botës në rrëmuja globale. Ato që i thoshte Samuel Hantingtoni, njëmend dukeshin të pabesueshme, por shenjat s’mund të mohoheshin!

Komunizmi kishte rënë, ndërsa në Evropën Juglindore një shtet me prestigj ndërkombëtar me emrin “Jugosllavi”, kishte hyrë në spiralen e rrezikshme të dhunës. Ndërsa, afrohej shpërthimi i brendshëm i shtetit, serbët, të cilët qysh prej vitit 1876 nuk e kishin ndërprerë asnjëherë politikën e zgjerimit, të asimilimit dhe të pushtimit të tokave të ballkanaseve, në veçanti të shqiptarëve etnikë, një lider i çmendur i tyre, Sllobodan Milosheviq, përpiqej të ngrihej mbi paraardhësit e tij mbi bazamentin e kësaj
politike.

Në të majtë dhe në të djathtë të tij, qëndronin komunistët, nacionalistët, radikalët,
intelektualët, mediat, gjeneralët, demokratët, ultra kriminelët, policia, ushtria etj. Madje, tre doktorë shkencash, njësoj të çmendur: Mira Markoviqi (bashkëshortja e tij), Vojsllav Shesheli dhe Radovan Karaxhiqi.

Harlisja e madhe e serbëve, shtrirja e të cilëve në territorin e Jugosllavisë pasqyronte projektin shekullorë: qoftë nga aspekti gjeopolitik, demografik, kulturorë, dhe qoftë nga aspekti gjeostrategjik, policorë, ushtarak etj., përfshinte të gjashtë republikat dhe dy krahinat që e përbënin kornizën politike federale, shtetërore dhe kushtetuese jugosllave.

Jo vetëm serbët e kishin populluar Jugosllavinë në mënyrë strategjike qysh prej themelimit të saj më 1918, por përgjatë restaurimit të sistemit komunist në
Beograd (1945), serbët e dominonin federatën jugosllave në çdo aspekt, sidomos në aspektin e komandimit të policisë dhe të ushtrisë. Që prej Mariborit (Slloveni) dhe deri në Gjevgjeli (Maqedoni), struktura komanduese e policisë dhe e ushtrisë, ishte në 70% me prejardhje serbe.

Kuptohet, më shumë a më pak, ndikimi serbë dhe i serbëve, ishte i pranishëm kudo brenda federatës jugosllave, e për fat të keq, edhe jashtë saj! Prandaj, yshtja e tyre për ta kapur nga brenda federatën dhe për ta përvetësuar fund e krye, pra për ta dominuar përfundimisht edhe nga pikëpamja politike e kushtetuese, vinte si epilog i një udhëtimi të gjatë nacionalist e shovinistë serbë (1844).

Sllobodan Millosheviqi, ishte gjetja më brilante e mundshme në rrugën “Francuska 7” të Beogradit për t’i shtyrë përpara politikat programore serbomëdha. Edhe rënia e komunizmit (1989), gjithashtu, ishte një moment ideal për t’i dalldisur masat e çoroditura serbe me frymën shekullore nacional shoviniste.

Pastaj, vinte si një furtunë mobilizimi i përgjithshëm: nga poshtë – lartë! “Aty ku ka një varrë serbë – aty është Serbi”. Kjo, ishte parulla famëkeqe e mobilizimit xanxarë serbë, që u shoqërua gjithandej edhe me parullat e tjera, si: “Vetëm uniteti i shpëton serbët”, “Serbët janë popull hyjnorë”, “Kokën e japim – Kosovën se japim”, “Serbia deri në Tokio” etj.

Nuk vonoi shumë, dhe erdhën luftërat të cilat, Bashkimi Evropian ia arriti t’i mbajë brenda kufijve të federatës. Dy luftërat që u zhvilluan paralelisht ose dy republikat që u sulmuan nga Beogradi (Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina), e fundosen në histori një shtet që ishte menduar si më i stabilizuari dhe si më i privilegjuari mes Lindjes
dhe Perëndimit.

Rreth pesë vite, serbët – kroatët – boshnjakët e grinë njeri tjetrin, padyshim me insistimin ekspansionist të të parëve, serbëve, të cilët u dehën duke e plaçkitur dhe djegur Jugosllavinë, dhe u satanizuan duke vrarë e masakruar jo serbët.

Më 1995, kapoja i tyre Sllobodan Millosheviqi në Dejton të SHBA-ve, u duk si fitimtarë në sy të nacionalizmit serbomadh, dhe për llogari të historisë krimogjene shekullore serbe. I emocionuar dhe i konsideruar si “hyjnorë”, Slloba duhej ta kryente edhe një punë tjetër, në të vërtetë duhej ta kryente punën e fundit që për çdo serbë duhej të kishte qenë si puna e parë: spastrimin e Kosovës dhe serbizimin përfundimtar të saj.

Sllobodan Milosheviqi, ishte në krye të projektit “Patkoi” (1999). Çdo gjë tjetër, ose pjesa më e madhe e historisë krimogjene politike dhe shtetërore serbe e kryer në Kosovë, tashmë dihet. Ashtu siç, edhe dihet fundi i Sllobodan Milosheviqit, që u arrestua dhe u dorëzua në Hagë, pikërisht nga ata që i duartrokitën dhe e quan në qiell si udhëheqës.

Tetëmbëdhjetë vite më parë, pas një hetimi të gjatë, më 12 shkurt 2002, filloi gjykimi i tij. Millosheviq, u akuzua për shkaktim të gjenocidit në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Por, ai se priti një verdikt të fundit të gjykatës së Hagës.

Më 11 mars 2006, Zoti e dha verdiktin e tij: ia mori shpirtin këtij krimineli famëkeq.

Serbët dhe Serbia, janë trashëgues të veprës së tij! Ende nuk kanë hequr dorë nga të bëmat e tij, as nuk kanë kërkuar falje…

PËRGJIGJU