Virusi është ai që po vendosë

0

 

Shkroi: Mirishahe Limani Hiler

Një dalje e shpejtë nga situata aktuale nuk është realiste, ka vlerësuar këtyre ditëve Ministri federal i shëndetêsisë së Zvicres Alain Berset. Nëse disiplina e popullatës zvogëlohet gjatë ditëve të ardhshme në raport me respektimin e masave të rekomanduara, ai nuk e përjashton përdorimin e masave edhe më të rënda, të paktën deri në fund të prillit.

Nëse guxojmë të krahasojmë sistemin shëndetësor zviceran me atë të Kosovës, apo në pêrgjithësi me shtetet e Ballkanit, kjo na lë të mësojmë se ne duhet të jemi shumë më shumë të përqendruar në respektimin e masave që na janë rekomanduar.

Zvicra ka ende nën kontroll situatën në strukturat shëndetêsore edhe pse ndjenë vështirësi në furnizim me mjetet mbrojtëse edhe për personelin shëndetësor të cilët ndodhen në vijën e parë në front kundër koronavirusit.

Prej të shtunes më 4 prill, kantonet, spitalet, por edhe prodhuesit dhe shpërndarësit e ilaçeve do të jenë të detyruar të informojnë Bernin për materialin që ata kanë. Gjithashtu është theksuar se Konfederata mund të kërkojë transparencë nga kompanitë. E gjithë kjo bëhet për një qëllim: që Berni të jetë në gjendje të shpërndaj më mirë stoqet e materialit nëse është e nevojshme.

Z. Berset, ka sqaruar se « kjo nuk është zakonisht detyrë e Konfederatës por në këtë situatë të jashtëzakonshme, është e nevojshme të koordinohemi më mirë ”.

Ditëve të fundit vërehet se numri i të infektuarve me koronavirus në Zvicer qëndron stabil, mirëpo e gjithë kjo, theksojnë autoritetet e shëndetit publik, është edhe rezultat i masave të marra e të respektuara nga ana e popullatës.

Zyra Federale e Statistikave publikon shifrat e vdekjeve çdo javë. Ajo ka konstatuar se koronavirusi po e rritë kurbën jashtë normales meqë kemi dukshëm më shumë vdekje se zakonisht në Zvicër, madje edhe prej atyre nën 65 vjeç.

“Vetëm kur numri i personave të infektuar dhe i atyre që shtrihen në spital është ulur dukshëm ne mund të konsiderojmë zbutjen e rregullave” shton Ministri federal i shëndetêsisë.

Përvoja ka treguar që nëse lehtësimi vjen shumë herët, ai zgjat krizën.

Andaj, si duhet të reagoj Kosova ?

Në mesin e shumë të panjohurave për Covid 19, ajo që dijmë më së miri deri më tani është vetëm konfirmimi se personat që humbën jetën deri më tani janë zakonisht ata të moshës mbi 65 vjeçare.

Të gjithë e kemi mësuar tashmë se personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, e edhe ata që janë në mbipeshë konsiderohen në gjendje më të rrezikuar nga Covid 19.

Zvicra ka përafërsisht 8’544’500 banorë e Kosova diku rreth 2’000’000.
Përderisa në Zvicer aktualisht jetëgjatësia e femrave tejkalon 85 vjet, e jetëgjatêsia e burrave arrin gati 82 vjet, në Kosovë jetëgjatësia mesatare është vlerësuar të jetë 79.4 për femra e 74.1 për meshkuj.

Sipas Zyres federale të statistikave publike në një publikim të saj në shkurt të këtij viti, mësojmë se në vitet e ardhshme, numri i njerëzve mbi 80 vjet në Zvicer, do të vazhdojë të rritet. Edhe në Kosovë, me përmirësimin e kushteve, ngritjen e mirëqenjes sociale në përgjithësi, do të ngritet edhe jetëgjatësia.

E përbashkëta që ndodhet në këtë ndryshim demografik edhe në Kosovë e edhe në Zvicer shkakton një rritje të numrit të sëmundjeve jo të transmetueshme siq janë diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.

Përkundër moshës mesatare që në Kosovë llogaritet diku rreth 30.2 e në Zvicer 42.5, në asnjë moment nuk duhet t’i lejojmë vetes që në këtë periudhë me shumë të panjohura nga Covid 19, të relaksohemi e t’a ndiejmë veten ende në « adoleshencë ».

Nuk mundemi t’ia lejojmë vetes « lirinë » e të inerpretojmë shifrat duke i ndarë në kategori. Para se gjithash të gjithë ata që tani i shohim vetëm si numra, ata ishin çdonjëri një jetë në vete: gjysh, gjyshe, nanë, baba, motër, vëlla, hallë e dikujt…

Pse populli i Kosovës në rast të përhapjes më të gjerë të pandemisë mund të humbë shumë, është përgjegjëje që mund t’a japin vetëm autoritetet shëndetësore, meqë ata më së miri e dijnë se nuk êshtë aspak e ulët përqindja e popullatës së Kosovës që vuajnë nga diabeti, çrregullime të tensionit, kanceri.

Në mënyrë kategorike kërkohet durim nga ana e popullatës që të mos lejojmë një rrezik të ri.

Në tri javët e para e të qëndruarit në shtëpi, psikologët thonë se është frika për veten tënde që të mbanë mbrenda. Pas tri jave, truri ynë është në gjendje të zbeh këtë frikë dhe ne njëkohësisht relaksohemi dhe duam që të dalim nga shtëpa më shpesh. Prej këtij momenti, respektimi i rregullave më nuk konsiderohet frikë për veten tënde por respekt për jetën e tjetrit.

Andaj, të vendosësh kur të dalim më të lirë nga shtëpia nuk është vetëm çështje politike: varet edhe nga shkenca. Theshtë virusi është ai që po vendosë ritmin e lëvizjes se popujve në të gjithë globin.

 

PËRGJIGJU