Mehmeti: Pritet të ketë ulje të normave të interesit

0

 

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka bërë me dije se sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë stabil. Ai ka thënë se ky stabilitet bankar vjen në saje të mbikëqyrjes së përafërt dhe proaktive të bankave nga Banka Qendrore e Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, guvernatori Mehmeti ka thënë se të gjitha bankat janë likuide, stabile dhe kanë burime të mjaftueshme të financimit të aseteve.

Mehmeti ka theksuar se duke marrë parasysh trendin e vazhdueshëm të uljes së normave të interesit dhe konkurrencën gjithnjë në rritje të sektorit bankar, vlerëson se bankat do të vazhdojnë të reflektojnë për uljen e mëtutjeshme të normave të interesit. Ai ka shtuar se shuma e depozitave në prill të këtij viti është 3.09 miliardë euro dhe paraqet një rritje vjetore të depozitave prej 4.8 përqindësh.

Mehmeti ka bërë me dije se në periudhën janar – prill të këtij viti, Divizioni i Ankesave ka pranuar gjithsej 146 ankesa kundër bankave komerciale. Ai ka treguar se ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me çështje të ndryshme që ndërlidhen me kredi, si dhe çështje që ndërlidhen me llogari.

 “Epoka e re”: Z. Mehmeti, disa herë është potencuar se sistemi financiar në Kosovë është stabil. Cilët faktorë ndikuan në këtë stabilitet?
Mehmeti: Sektori bankar vazhdon të jetë stabil në saje të mbikëqyrjes së përafërt dhe proaktive të bankave nga BQK-ja, e cila përcillet me anë të ekzaminimeve në vend dhe nga jashtë të bankave, si dhe menaxhimit të mirë të rreziqeve bankare nga bankat. Stabiliteti i sektorit bankar evidentohet edhe me anë të treguesve të shëndetshmërisë të cilat monitorohen në vazhdimësi nga BQK-ja. Treguesit kyçë të cilët evidentojnë qëndrueshmëri të sektorit bankar me gjendje preliminare të prillit 2018-s, ka rritje (vjetore) në gjithë treguesit siç janë: asete prej 5.8 përqindësh, kredi 10.4 për qind, rritje të depozitave 4.8 për qind dhe përmirësim të dukshëm të kredive joperformuese në 2.9 për qind e cila ka shënuar zvogëlim të dukshëm në krahasim me vitin paraprak prej 4.3 përqindësh.

“Epoka e re”: Sipas raportit të fundit të BQK-së, vërehet rënie drastike e normave të interesit në depozita krahasuar me vitet para 2014-s. Aktualisht si sillen normat e interesit për depozita të individëve dhe bizneseve?
Mehmeti: Normat e interesit në depozita në mars të këtij viti evidentojnë rritje në krahasim me vitet paraprake. Norma e interesit në depozita me gjendje të marsit 2018 është 1.18 për qind krahasuar me 0.96 për qind sa ishte në mars të 2017-s, e përcjellë me normë të interesit për biznese prej 1.44 përqindësh dhe për ekonomitë familjare prej 1.10 përqindësh. Të gjithë bankat janë likuide, stabile dhe kanë burime të mjaftueshme të financimit të aseteve.

 “Epoka e re”: Çfarë shume të depozitave kemi në TM1 të këtij viti dhe si është raporti me vitin paraprak?
Mehmeti: Shuma e depozitave në prill të këtij viti është 3.09 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore të depozitave prej 4.8 përqindësh.

“Epoka e re”: Po norma mesatare e interesit në kredi si sillet, dhe mbi çfarë baze disa banka punëtorëve të sektorit privat u japin kredi me normë më të lartë të interesit?
Mehmeti: Në fushën e normave të interesit ka zhvillime shumë pozitive që janë reflektuar me uljen e dukshme të normave të interesit. Bazuar në të dhënat për muajin mars 2018, norma efektive e interesit është 6.8 për qind, që përfshin bizneset dhe ekonomitë familjare, përderisa norma e interesit vetëm për biznese është 6.60 për qind. Në raste të caktuara për kreditë hipotekare, norma e interesit varion nga 4 për qind deri 6 për qind. Marrë parasysh trendin e vazhdueshëm të uljes së normave të interesit si dhe konkurrencën gjithnjë në rritje të sektorit bankar, vlerësojmë se bankat do të vazhdojnë të reflektojnë në uljen e mëtutjeshme të normave të interesit, edhe pse, siç është cekur, tani normat ekzistuese janë përgjithësisht të njëjta me ato të vendeve të tjera. Procesi i kreditimit të bankave bazohet në strategjinë, politikat dhe procedurat kreditore të saj të cilat janë të aprovuara nga Bordi i Drejtorëve të Bankës. Në kuadër të këtyre dokumenteve janë të specifikuara kushtet dhe kriteret e kreditimit. Kriter kryesor me rastin e përcaktimit të normës së interesit merret rrezikshmëria e kredisë.

 “Epoka e re”: Sa është numri i ankesave të konsumatorëve ndaj bankave? Të çfarë natyre janë ankesat?
Mehmeti: Në periudhën janar – prill të këtij viti Divizioni i Ankesave ka pranuar gjithsej 146 ankesa kundër bankave komerciale. Ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me çështje të ndryshme që ndërlidhen me kredi (si, p. sh., kategorizimi në regjistrin e kredive, parapagimi i kredive etj.) si dhe çështje që ndërlidhen me llogari (si, p. sh., bllokimi i llogarisë). BQK-ja bën ekzaminime të rregullta tek institucionet financiare dhe në rast të shkeljeve të vërejtura apo të raportuara, konform legjislacionit në fuqi dhe kompetencave që ka, merr masa të mëtejshme.

“Epoka e re”: Z. Mehmeti, Banka Kombëtare Tregtare në Kosovë ua mbylli xhirollogaritë punëtorëve të Kolegjit “Mehmet Akif”. Mbi bazën e cilit vendim ka mundur të bëhet mbyllja e xhirollogarive?
Mehmeti: Çështja e marrëdhënieve bankë – klientë, në këtë rast të llogarive bankare, definohet në Ligjin për Marrëdhënie Detyrimore. Ne si BQK konform kompetencave ligjore që kemi dhe bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Kosovë kemi ndërmarrë hapat në këtë drejtim përmes ekzaminimit të kësaj banke lidhur me çështjen në fjalë.

“Epoka e re”: Në Komisionin për Buxhet dhe Financa u vendos të formohet një grup punues sa iu përket institucioneve mikrofinanciare të cilat veprojnë si OJQ. Sa e kanë destabilizuar sektorin financiar këto OJQ?
Mehmeti: Institucionet mikrofinanciare OJQ, ngjashëm si institucionet e tjera financiare, janë subjekt i mbikëqyrjes së rregullt nga BQK-ja dhe, si rrjedhojë e proaktivetit të BQK-së, institucionet e tilla kanë rezultuar t’i ngrehin kapacitet e tyre qeverisëse duke ndikuar kështu edhe në stabilitetin e sektorit financiar.

“Epoka e re”: Çarë masash do të merrni kundër tyre dhe a do të ketë përfaqësues të BQK-së në këtë grup?
Mehmeti: BQK-ja ka vepruar dhe do të veprojë gjithnjë në raport me këto institucione brenda mandatit për të cilin janë regjistruar nga BQK-ja, përderisa çështjet të cilat lidhen me statusin e tyre, duke qenë në kompetencën e Zyrës së OJQ-ve, pranë Ministrisë së Administratës Publike, siç edhe kemi potencuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, vlerësojmë se duhet adresuar me Ligjin për Lirinë e Asocimit të Organizatave Joqeveritare. Sa i përket grupit punues lidhur me adresimin e çështjeve të cilat ndërlidhen me institucionet mikrofinanciare OJQ, BQK-ja do të mbetet përkrahëse për formimin e këtij grupi pune dhe, e gatshme të ketë edhe përfaqësues aktiv në grup pune nëse do të kërkohet nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Albulena S. MAVRAJ

PËRGJIGJU