7.6 C
Gjilani
Thursday, October 17, 2019
Ahmeti: Biletat shiten shpejt për shkak se interesimi është i madh

Ahmeti: Biletat shiten shpejt për shkak se interesimi është i madh

0

 

Etja për ndeshje ndërkombëtare, suksesi i Kombëtares së Kosovës dhe kapaciteti i vogël i stadiumit “Fadil Vokrri” duket që kanë bërë që interesimi për të siguruar një biletë për ndeshjet e Dardanëve të jetë i jashtëzakonshëm.

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i FFK-së, Arianit Ahmeti, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK1.

Në fakt, dje dolën në shitje biletat për ndeshjen kualifikuese Kosova – Mali i Zi, e cila do të zhvillohet më 14 tetor dhe ato u shitën për vetëm 11 minuta në platformën online tiks.app.

Lidhur me shitjen e shpejtë të këtyre biletave Ahmeti ka thënë se nuk është diçka befasuese, sepse që nga fillimi i ciklit kualifikues biletat janë shitur shumë shpejtë, ngase interesimi i tifozëve është i jashtëzakonshëm.

“Ne i kemi njoftuar qytetarët qysh para një jave se kur do të fillojë shitja e biletave, kështu që njerëzit e kanë pritur orën e fillimit të shitjes dhe ato u shitën shumë shpejtë. Po i shoh disa kritika lidhur me shitjen e biletave dhe njerëzit kanë të drejtë, por sistemi po funksionon mirë, mirëpo interesimi është shumë i madh. Në të njëjtin sistem janë në shitje edhe biletat për ndeshjen miqësore me Gjibraltarin dhe ka ende bileta. Pra, ka të bëjë me çështje të interesimit të tifozëve. Në ndeshje zyrtare njerëzit janë më të interesuar për t’u pajisur me biletë”, ka theksuar Ahmeti.

Sipas tij etja për një kohë të gjatë për futboll të këtij niveli, por edhe sukseset e Kombëtares kanë bërë që të ketë interesim kaq të madh. “Ne mund të bëjmë historinë, sepse na duhen vetëm 6 pikë në tri ndeshjet e fundit, prandaj edhe interesimi është kaq i madh. Tash kur kemi ardhur deri këtu s’kemi çfarë të humbim, duhet të shkojmë tutje dhe ta realizojmë ëndrrën”, ka shtuar Ahmeti.

Ai ka thënë se është më i angazhuar në pjesën organizative të ndeshjes dhe prej mëngjesit deri në mbrëmje janë 30 deri 40 persona të cilët punojnë në rikuperimin e fushës dhe të gjitha gjërave tjera, që stadiumi të jetë në përputhje me standardet e kërkuara nga UEFA.

Tutje Ahmeti ka shprehur brengën e tij që nuk po bëhet sa duhet në përmirësimin e infrastrukturës, veçmas në ngecjen e projektit të renovimti të stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, por edhe fillimit të punëve në ndërtimin e Stadiumit Kombëtar në Drenas. “Stadiumin ‘Adem Jashari’ e kemi pasur si stadiumin e dytë dhe e kemi pasur licencën, por ne kemi pritur se aty do të fillojë renovimi dhe tani kemi mbetur pa certifikatë për atë stadium dhe kemi mbetur vetëm me stadiumin e Prishtinës.  Vitin e ardhshëm do të kemi tri klube në Evropë, pastaj aktivitetet e Kombëtares A, Kombëtaren U21 dhe Kombëtares A të femrave dhe të gjitha ndeshjet duhet të luhen vetëm në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe kjo do të jetë po thuajse e pamundur. Rreziku është që mund të detyrohemi t’i luajmë jashtë Kosovës ndeshjet e ekipeve kombëtare”, ka thënë Ahmeti, i cili ka kërkuar veprime konkrete të institucioneve.

Ai ka thënë se si FFK me fondet e UEFA-s e FIFA-s kanë realizuar projektin e 6 fushave alternative për klubet, të cilat tashmë janë ndërtuar dhe klubet po i zhvillojnë aktivitetet e tyre në ato fusha me bari sintetik.

PËRGJIGJU