Shërbimi i urgjencës në Gjilan bëhet me dy autoambulanca të reja

0

 

Komuna e Gjilanit i ka dorëzuar sot Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dy autoambulanca të reja, të cilat janë investim krejtësisht i komunës në shumën prej mbi 100 mijë euro.

“Jemi sot këtu për t’i dorëzuar dy autoambulanca në Gjilan dhe është investim 100 përqind i Komunës së Gjilanit, i planifikuar në mënyrën më të mirë prej Drejtorisë për Shëndetësi. E përgëzoj drejtorin Xhemaili dhe drejtorin e QKMF, Fejzulla Berisha për punën e mirë që po e bëjnë ndihmë të qytetarëve. Është projekt tepër i rëndësishëm dhe uroj që të përdoren në mënyrë më të mirë dhe të ruhen për shkak se është investim nga taksat e qytetarëve”, tha nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, pas dorëzimit zyrtar të këtyre dy autoambulancave.

“E falënderoj kryetarin, nënkryetarin dhe Zyrën e Prokurimit për mbështetjen në realizimin e projektit për furnizim të urgjencës me dy autoambulanca. Krahas kësaj, ne po realizojmë projekte të renovimit të qendrave të mjekësisë familjare, sikurse edhe projektet tjera që janë investim qind për qind i Komunës. Uroj që shëbrimi i urgjencës dhe tërë shërbimi parësor shëndetësor të ketë kushte më të mira”, tha drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemajli.

Drejtori i QKMF, dr. Fejzulla Berisha, ka thënë se përmes këtyre dy autoambulancave, qytetarët do të marrin shërbime më të shpejta, më të mira dhe në kohë rekorde.

“Ky është investimi i parë që bëhet nga Komuna në blerjen e autoambulancave. Unë e falënderoj shumë kryetarin Lutfi Haziri i cili na ka përkrahur në vazhdimësi në realizimin e projekteve të shëndetësisë primare”, tha Berisha./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU