Kurti: Lista Serbe nuk është e preferuara e komunitetit serb në Kosovë, por parti nga Beogradi

0
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Lista Serbe nuk është e preferuara e komunitetit serb në Kosovë, por është parti e krijuar nga Beogradi.

Ai thotë se do të kërkojë përfaqësues tjerë nga ky komunitet për të bashkëpunuar në Qeverinë e tij.

“Para se të arrijmë tek Lista Serbe, ne kemi serbët e tjerë që janë politikanë, përfaqësues, të cilët e pranojnë pavarësinë e Kosovës, e njohin republikën tonë dhe e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Prandaj nuk mund të shkojmë te Lista Serbe pa takuar e kontaktuar e bashkëpunuar me këta serbë që janë autentik në përfaqësim dhe jashtë diktatit të Beogradit në veprim”, tha Kurti për AA, i cili shtoi se do të flasin me deputetët e Listës Serbe sepse ata do të jenë në Kuvend, megjithëse këtë fakt ai e quan fatkeqësi.

Sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, Kurti thotë se kjo ide nuk ka vdekur ende, por me ardhjen e tij në qeveri kjo ide nuk do të mbijetojë.

“Më duhet të pranoj se ideja për shkëmbim territorial nuk ka vdekur ende. Meqenëse edhe presidenti i Kosovës, edhe presidenti i Serbisë, e preferojnë atë. Por me qeverinë e re, përveçse projekti i dështuar të vuloset si i dështuar, edhe ideja e tillë po ashtu vdes. Ato janë solucione të shekullit të 19-të, ne jemi në shekullin 21 dhe duhet që sa më parë të zhvillohemi ekonomikisht, të kemi shtet të së drejtës, të kemi luftim të korrupsionit dhe sa më parë të anëtarësohemi në BE, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thekson Kurti.

Me gjithë kundërshtimin që ka për idenë e shkëmbimit të territoreve, Kurti thotë se ai do ta udhëheqë dialogun me Serbinë dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por shton se pjesë e ekipit negociator do të jetë edhe opozita e ardhshme e vendit.

“Me mua si kryeministër i Kosovës do të fillojmë qysh në javën e parë dialogun me serbët e Kosovës nga poshtë lartë, për zhvillim, për integrim shoqëror. Kjo është një gjë tjetër, e pranoj. Por, do ta fillojmë sepse asnjë kryeministër deri më sot nuk e ka bërë këtë”, thotë ai, duke shtuar se pas kësaj do ta bëjë bilancin e 33 marrëveshjeve të deritanishme që janë nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë përgjatë dialogut gjashtëvjeçar 2011-2017 në Bruksel, për të parë se sa janë zbatuar këto marrëveshje dhe cili ka qenë ndikimi i tyre.

Ndërsa tek pas këtij procesi, Kurti thotë se do të përgatiten për dialogun me Serbinë, me parime të qarta dhe ekip negociator të Kosovës me platformë dhe kërkesa ndaj Serbisë.

PËRGJIGJU