Hisja e diasporës në vendimmarrje

0

 

Elmaz Isufi

Anëtarët e diasporës shpesh kanë nënshtetësi të dyfishtë, e edhe rreshtim politik të dyfishtë, i cili i bën ata më të pjekur politikisht

Vota e diasporës ishte më e qartë për ndryshim sesa e qytetarëve që votuan në Kosovë. E mira e daljes në rritje e votuesve të diasporës është se ajo ul edhe mundësinë që dikush “me ua votu votën”. Ajo rrit proporcionalisht përqindjen e përgjithshme të daljes në votime dhe u jep më shumë legjitimitet të zgjedhurve dhe institucioneve që ata drejtojnë

Procesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që mori notën më të lartë ditën e votimit, sa për mbarëvajtjen po aq edhe për publikimin e shpejtë të rezultateve preliminare, ka shanse të komprometohet në fazat e mëvonshme të saj.

Ndërsa njëra anë e medaljes rrezikon të humbasë shkëlqimin, ana tjetër vazhdon të ruajë integritetin e saj, deri në certifikim, nëpërmjet diskutimeve për arritjen e marrëveshjes për koalicion mes partive që qëndruan në opozitë, premtimeve për një qeverisje tjetër, por edhe për vlerësimin që i bëhet rolit të diasporës në votime.

Perceptimi pozitiv nuk mbështetet mjaftueshëm në shifra. Ato nuk argumentojnë se qytetari i Kosovës ka ndëshkuar me forcën e “referendumit” partitë që kanë qeverisur keq. Më shumë se për ndryshim force, ato flasin për ndërrim rolesh.

Nga perspektiva e numrave, ndryshimi në formë do të duhej të ishte konkluzioni i rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, nëse entuziazmi, të paktën, nuk zëvendësohet me termin “shpresë”. Numërimi i shumicës së votave kanë nxjerrë fitues Lëvizjen Vetëvendosje. Ky subjekt që asnjëherë më parë nuk i ka fituar zgjedhjet nacionale, nuk është se ka shënuar rritje të madhe krahasuar me dy vjet më parë, kur po ashtu u mbajtën zgjedhjet e parakohshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka 12 vjet që mjaftohet si forcë e dytë politike, me një rritje të lehtë, por që i humbet rrugës, meqë rritje ka pasur edhe dalja e përgjithshme në votime e qytetarëve.

Koalicioni PDK-AAK-Nisma, po t’i bënin bashkë votat, do të dilnin më të fortë se më 2017 dhe për afro 100 mijë vota më shumë se fituesi VV-ja.

Për fatin e partive opozitare që dështuan të merren vesh për koalicion parazgjedhor, aleatët në qeveri më 6 tetor i matën forcat veç e veç dhe për pasojë u renditën në pozitat, përkatësisht 3, 4 dhe 5.

Raporti i përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës do të ketë ndryshim të vogël, por substancial në favor të dy partive që për dy vjet ishin opozitë. Kjo, për sa kohë që nuk merret vesh nëse Nisma Socialdemokrate e kalon pragun zgjedhor. Në të kundërtën, pesha politike dhe mbështetja qytetare do të mbetet po ajo e trashëguar nga zgjedhjet e qershorit 2017 – vetëm me përgjegjësi të ndryshme mes opozitës së deritashme dhe partive në pushtet. I vetmi ndryshim në formë aktualisht është fituesi i zgjedhjeve, që mbështetur në interpretimin kushtetues, e përcakton zgjedhjen e drejtuesve të Kuvendit dhe të Qeverisë.

Bilancet e ndryshimeve për të cilat ka nevojë shteti dhe qytetarët e Kosovës mund të nxirren tek diku në fundin e mandatit të qeverisë së re. Ndryshim në përmbajtje është vota e diasporës.

Dalja në zgjedhje e mërgimtarëve ka shënuar rritje të madhe krahasuar me dy vjet më parë, ndonëse ajo mbetet shumë e vogël në raport me afro një milion shtetas të Kosovës sa jetojnë jashtë vendit dhe me qindra e mijëra nga ta me të drejtë vote.

Të rëndësishme votën e diasporës këtë herë e ka bërë procesi i numërimit ndaras prej të tjerave.

E ka bërë kryefjalë të këtyre zgjedhjeve gara e ngushtë për vendin e parë mes VV-së e LDK-së, e po ashtu edhe “ecja nëpër teh” e koalicionit Nisma-AKR-PD.

Pak më shumë se gjysma e votave të vlefshme të diasporës i kanë shkuar në llogari VV-së.

Përqindje më të lartë sesa nga votimi i rregullt ka marrë edhe Nisma, për fatin e së cilës ka shumë shanse të vendoset me “photo-finish”. Të parës ia ka vulosur fitoren, e të dytës ia ka shtuar “ymytin” se mund të futet në Kuvend.

Vota e diasporës nëpërmjet postës ishte më e qartë për ndryshim sesa e qytetarëve që votuan në Kosovë. Ndërsa votuesit brenda shtetit e shpërndanë votën proporcionalisht tek të gjitha partitë si dy vjet më parë, mërgimtarët u vunë me shumicë në anën e VV-së, duke mos i besuar jo vetëm PAN-it, por as LDK-së, që, ndonëse ka hisenë e madhe në pushtetet, e para dhe pasluftës, në zgjedhjet e fundit u shfaq me petkun e partisë së pastër dhe pa mëkate.

E mira e daljes në rritje e votuesve të diasporës është se ajo ul mundësinë që dikush “me ua votu votën”. Ajo rrit proporcionalisht përqindjen e përgjithshme të votuesve dhe u jep më shumë legjitimitet të zgjedhurve dhe institucioneve që ata drejtojnë.

Mobilizimi i tyre për të qenë pjesë e jetës politike e bën më pak dramatike gjendjen e rëndë demografike nëpër të cilën kalon Kosova. Me tkurrje të madhe të popullsisë (Kosova është në nivelet e vitit 1981 të popullsisë dhe me trend të uljes drastike të natalitetit), përfshirja e mërgatës në jetën politike, ekonomike, kulturore e sportive kompenson boshllëkun e krijuar nga paaftësia e institucioneve për të zhvilluar politika zhvillimore, për të siguruar mirëqenien e qytetarëve, për të afirmuar ndërkombëtarisht vlera nacionale, e për të përshpejtuar integrimin.

Një shoqëri konsumuese në shkallën 90 për qind do ta kishte të vështirë të mbijetonte pa asistencën financiare dhe investuese të mërgatës. Për pasojë i gjithë zinxhiri institucional do të vuante pasojat e ekonomisë provinciale dhe të izoluar.

Kosova nuk do ta kishte afirmimin politik ndërkombëtar gjatë viteve ‘90, por edhe pas kësaj periudhe pa mbështetjen e gjithanshme të komunitetit shqiptar në Perëndim. Nuk do të ishte afirmuar në rrafshin kulturor pa shpërthimin e madh të artistëve me origjinë nga Kosova.

Nuk do ta kishte një skuadër të madhe futbolli pa fëmijët e mërgimtarëve që punuan në katër fronte – për të rritur fëmijët, për t’iu përgjigjur detyrimeve të shtetit pritës, për ta mbështetur familjen e gjerë në vendlindje dhe për ta ndihmuar shtetndërtimin e Kosovës.

Roli i diasporës shkon përtej proceseve të ndara politike dhe statistikave të ngurta. Studimet kanë treguar se aktivitetet politike dhe diplomatike në vendlindje dhe në vendin e emigracionit, dhe përfaqësimi edhe i njërit, edhe i tjetrit janë pjesë e repertorit politik të shumë diasporave.

Krijimi i urave të bashkëpunimit midis dy ose më shumë vendeve është gjithashtu pjesë integrale e programeve politike të diasporave të organizuara. Diaspora ka ndikuar tek shumë vende “pritëse”, që të ndërtojnë marrëdhënie të fuqishme me vendin e tyre të origjinës.

Anëtarët e diasporës shpesh kanë nënshtetësi të dyfishtë, e edhe rreshtim politik të dyfishtë, i cili i bën ata më të pjekur politikisht e më të emancipuar kombëtarisht.

Për të përmirësuar statusin e tyre politik në komunitetin e vendbanimit, ata përpiqen për të arritur një nivel të qytetarisë, dhe kjo përvojë i shërben shumë marrëdhënies së tyre me qasjen politike të vendit të lindjes. Anëtarët e diasporës lidhin ekonomitë dhe ndihmojnë në bashkimin e tregjeve më shpejt se institucionet e ngadalta nacionale.

Ata kanë avantazhin e ndërtimit të rrjeteve të bizneseve për shkak të qasjes globale. Anëtarët e diasporës janë kreatorët e shkëmbimit të përmbajtjeve kulturore mes vendit të origjinës dhe vendeve të dyta.

Janë “importues” dhe “eksportues” të identiteteve kulturore. Ata, për shkak të përvojës jetësore, imagjinojnë botën në të cilën kufijtë janë më shumë kryqëzime sesa ndarëse të kulturave të ndryshme. Studimet thonë se diaspora gjithashtu ndikon në mënyrë aktive në de- batin mbi institucionalizimin e multikulturalizmin, si të shoqërive së origjinës ashtu edhe shoqërive pritëse.

Ata kanë forcën për të eliminuar ndarjen në “ata” dhe në “ne”, një paragjykim që zë vend në një pjesë të diskursit publik në Kosovë. Ata kanë investuar shumë në të drejtën për vendimmarrje.

/Opinion i publikuar në Koha Ditore/

PËRGJIGJU