Bankat shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës

0

 

Shoqata e Bankave të Kosovës merr pjesë në manifestimin e shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së.

Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së, anëtarët e Shoqatës së Bankave të Kosovës morrën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të nivelit të lartë “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik-rruga zhvillimore” të organizuar nga BQK. Kjo ngjarje bëri bashkë drejtuesit më të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare ndërkaq u nënshkrua Memorandumi i mirëkuptimit në mes vendeve të rajonit në fushën e qeverisjes korporative bankare.

Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Z. Petrit Balija me këtë rast, përcolli urimet tek Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës për punën, angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Banka Qendrore e Kosovës përgjatë këtij rrugëtimi në zhvillimin dhe avancimin e sektorit financiar dhe bankar në Kosovë.

“Angazhimi i juaj dhe i stafit të Bankës Qendrore të Kosovës përgjatë këtyre dy dekadave për krijimin e një sistemi të mirëfilltë dhe stabil financiar, padyshim që ka krijuar një momentum të ri për Republikën e Kosovës, i cili ka mundësuar krijimin kornizës rregullative për mbrojtjen e depozitorëve dhe rritjen e qasjes në financim si dhe infrastrukturës së nevojshme për ndërtimin e sistemeve moderne të pagesave në shërbim të ekonomisë së vendit. Përkushtimi i personelit të Bankës Qendrore të Kosovës, padyshim që ka qenë determinues në krijimin e kornizave rregullative financiare të cilat janë në përputhje me standardet ndërkombëtare ndërkaq gatishmëria e vazhdueshme për të ofruar shërbime bankare për institucionet dhe qytetarët e Kosovës ka bërë që institucioni të cilin Ju e udhëheqni, të tregoi efikasitet të lartë, i cili është për t’u vlerësuar”, tha Z. Balija.

Në këtë manifestim, krahas prezantimit të të arriturave nga BQK dhe memorandumit të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, u lansua edhe logo e re e Bankës Qendrore të Kosovës.

PËRGJIGJU