Kthimi nga kopshtijet dhe bujqësia!

0

 

Tani po vjen pranvera! Në syrin e pranverës nisin të punohen kopshtijet! Mbillen qepë e hudhra, spinaq e marulla, e bimë tjera si këto. Kush ka tokë, sëpaku pakvend për kopsht, mirë është të punohet kjo pjesë dhe të mbillen perime sa më shumë, sepse pasja e perimeve në kopsht tek shtëpia ka shumë të mira!

Kush ka më shumë, mirë është të mbjell më shumë, e kush ka mundësi shumë, të mbjell edhe për shitje. Kopshtijet janë shumë të lehta për t’u punuar e mbajtur e sjellin mjaft fitime. Nga kopshtijet bëhen perimet gjithë verën me një pjesë për vete e tjetra pjesë ofrohet për shitje. Një levërdi e dyfishtë dhe shumë e dobishme.

Në kohën më të re ka shumë bujqë që kultivojnë mbjelljen masive të perimeve në serra, tanimë të njohura te ne, ku perimet rriten shpejt e shumë dhe nga të cilat kultivuesit fitojnë mjaft, sadoqë çmimet janë shumë të ulëta. Kultivuesit e tillë e japin mallin e tillë me shumicë, me çmime shumë të ulëta, sa mezi mbahet puna, mirëpo masa e madhe e mbjellur sjell sidoqoftë një fitim solid, që i mjafton kultivuesit për ta mbajtë punën të përvitshme, e duke mbajtë vetën me punën e tillë.

Pranvera kështu te ne vjen me fusha të punuara sa më shumë dhe me shumë serra, të mëdha, të gjata e të kombinuara, me mjetet më bashkëkohore të punimit dhe ujitjes, të sistemit elektrik e të shërbimeve teknike. Në këtë edhe pushteti vendor bën këtu –atje ndonjë ndihmë, ndonjë dhënie falas e ndonjë lehtësim.

Në plan afatgjatë ndokush ka fatin të sigurojë tregun Ndërkombëtar me ndihmën e Ministrisë së Tregëtisë e ministrive tjera. Ndokush siguron tregun masiv vetë në një qytet dhe e goditë mallin, qoftë vetë –qoftë me ndonjë kompani shpërndarëse. Të tjerë dalin vetë kur bëhen perimet për treg dhe shesin vetë! Dosido nga puna ka diçka fitim gjithmonë -dhe sa të ketë punë nuk do të ketë uri, -kanë thënë të moçmit!

Perimet janë fillestaret e nismave bujqësore në pranverë, me punë të mbarë e me llogari. Pas tyre vijnë punët tjera në ara, në mbjellje të shalqinit e pjeprit dhe –edhe këto fryte shkojnë tok me perimet në shpërndarje e shitje dhe që sjellin mjaft fitime për ata që i kultivojnë. Mandej me radhë vijnë patatet, fasulja, e më pas drithrat. Rend vijnë njëra pas tjetrës frytet e prodhimet që janë standardizuar më veç për vete edhe për shitje dhe këto prodhime zgjasin deri në vjeshtë të vonë. Marrja me bujqësi e kopshtije veçmas, mandej me të gjitha punët e fushës ka siguruar gjithmonë jetët e njerëzve prejse është njerëzimi.

Nuk është vetëm industria, administrata e kafiteritë që punësojnë masivisht njerëz e ku janë përqëndruar njerëzia te ne tani. Bujqësi, blegëtoria e kopshtijet i kanë mbajtë njerëzit gjithmonë. Sigurisht se ka një pjesë e mirë e popullsisë te ne që i është kthyer bujqësisë, por në këtë sektor ka shumë hapësirë, sa ka mundësi të punësohet e tërë masa e papunë në Kosovë, vetëmese duhet pushteti në sektorët gjegjës të ndërmjetësojë me ndihmë në punë dhe në sigurimin e tregjeve të shpërndarjes e të shitjes. Sigurimi i tregut për shpërndarjen e prodhimeve nga sektori i gjërë i bujqësisë është kushti kyq i kthimit të njerëzve në bujqësi. Pushteti edhe këtë punë ka, me sektorin gjegjës. Natyrisht se pushteti duhet të sigurojë këtë përkrahje e-sigurisht se si të sigurohet tregu, gjithçka për shpejt do të kthehet mbarë./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU