Hoti: Paniku është shumë më infektiv se Coronavirusi

0
Intervistë me drejtorin e Informimit në Ministri të Shëndetësisë dhe anëtarin e Komitetit për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse

Konfirmimi i ndonjë rasti tek ne me Coronavirus realisht nuk përbën më as lajm, sepse është konfirmuar e konsumuar në shumë shtete të botës para nesh. Popullata nuk duhet të ketë frikë, por duhet të bëjë shumë kujdes. Ajo që është mësuar deri tani është se Koronavirusi ka vdekshmëri shumë të ulët, afër 2% dhe prek kryesisht njerëzit që kanë probleme tjera bashkëshoqëruese shëndetësore. Kosova ka miratuar dhe po zbaton Planin e Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Coronavirusit Covid-19 dhe ka mobilizuar kapacitetet që i ka.

Kosova.info: Në shumë shtete të botës është përhapur Corona virusi. A është Kosova e rrezikuar nga ky Virus?

Hoti: Po, aq sa edhe shtetet e tjera të prekura. Fakti që disa shtete, përfshirë edhe të atilla që kanë sisteme shëndetësore shumë të mira, siç është Italia, po përballen me sfida serioze të menaxhimit të një emergjence të këtillë të shëndetit publik, tregon se Coronavirusi, i emërtuar zyrtarisht nga OBSh si Covid-19, duhet të merret shumë seriozisht dhe të ndërmirret çdo masë që ka mundësi për t’u përgatitur ballafaqim me raste të mundshme.

Kosova.info: A është marrë kështu seriozisht edhe në Kosovë?

Hoti: Besoj që po. Kosova ka filluar të përgatitet për raste eventuale të Corona virusit që nga 31 dhjetori 2019 kur OBSh njoftoi zyrtarisht për përhapjen e një virusi të ri nga grupi i korona virusëve në krahinën Hubei të Kinës me vatër të shpërthimit në qytetin Wuhan.

Përgatitjet u intensifikuan pas 30 janarit, kur Coronvirusi u shpall zyrtarisht nga OBSh-ja si një emergjencë globale e shendetit publik. Kur flasim për përgatitjet, po flasim për ato që janë të mundshme brenda kapaciteteve që i ka Kosova, për mobilizimin e çdo resursi i cili mund të përdoret.

Kosova.info: E derisa nuk jemi ballafaquar ende me raste, çfarë masash konkretisht janë vënë në funksion?

Hoti: Çdo reagim duhet të bazohet në një plan. Për këtë qëllim, Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse në Kosova ka hartuar dhe miratuar Planin e Gatishmërisë dhe të Reagimit në Aeroportin “Adem Jashari” dhe pikat e tjera kufitare hyrëse (tokësore) në Kosovë, udhëtarëve  që vijnë nga vendet që kanë regjistruar Corona virus dhe vendet e tjera u bëhet skeningu në temperaturë dhe atyre që manifestojnë shenja të dyshimta, testimi i rasteve të dyshimta; hulumtimi epidemiologjik për rastet e udhëtareve që i plotësojnë kriteret për hulumtim për Covid-19 si raste të dyshimta; mobilizimi dhe fuqizimi i kapaciteteve klinike; informimi ditor i popullatës dhe këshillimi praktik për t’u mbrojtur nga virusi përmes mesazheve të emetuara në mediat elektronike dhe të shkruara, shpërndarja e  materialeve informuese të shtypura; përdorimi i rrjeteve sociale, sesione informuese në mesin e profesionistëve dhe në komunitet, ligjërata në shkolla për nxënës, si dhe aktivitete koordinuese shërbimet e tre niveleve të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë edhe aktivitetet me Policinë e Kosovës, AUVK-un, Aeroportin dhe institucionet e tjera mbështetëse.

Kosova.info: Cilat janë këto kapacitete në Kosovë?

Hoti: Profesionistët shëndetësorë, infrastruktura shëndetësore, pajisjet, planet e reagimit në raste të emergjencave të shëndetit publik, koordinimi me institucionet mbështetëse, bashkëpunimi me partnerët lokalë e ndërkombëtarë; burimet financiare, etj. Këto kapacitete në Kosovë, janë solide. Ndihmesë është përvoja e fituar nga menaxhimi i situatave të ngjashme më parë si ajo me Gripin AH1N1 në vitin 2009-2010; menaxhimi çdo vjet i situatës epidemiologjike me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo; me Gripin Sezonal dhe situatat e tjera që e kërcënojnë shëndetin publik, edhepse Coronavirusi është një emergjencë e re, me shumë të panjohura, që e bën ta paparashikur edhe efektivitetin e masave që janë ndërmarrë pa u ballafaqur drejtpërdrejt me të.

Të gjitha këto masa kanë një qëllim: vonimin e shfaqjes dhe përhapjes së virusit në Kosovë në masë dhe zvogëlimin e ngarkesës së infrastrukturës së kujdesit shëndetësor. Sa më shumë që vonon paraqitja e rastit të parë në Kosovë, aq më të përgatitura do të jenë institucionet dhe më të vogla shpenzimet dhe dëmet.

Kosova.info: Po thoni vonimin e shfaqjes së virusit, a do të thotë kjo që do të ketë raste?

Hoti: Gjasat janë që të ketë. Nuk ka asnjë kontinent tashmë që nuk është përfshirë, edhe Evropa. Gjithashtu shtetet në afërsi si Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Kroacia… Konfirmimi i ndonjë rasti me Corona virus në Kosovë, realisht më nuk përbën më as lajm, sepse është konfirmuar e konsumuar në shumë shtete para nesh. Lajm mund të jetë mënyra se si do të reagojmë ne si shtet dhe si shoqëri. Shpresojmë të reagojmë me maturi e kujdes, pa bërë panik, por duke i mbështetur e lënë profesionistët shëndetësor që ta bëjnë punën e tyre si duhet dhe duke u dhënë atyre mundësinë që të veprojnë të përgatitur e të mbrojtur.

Me paraqitjen e rasteve të para në Kinë, e sidomos pas shpelljes së Coronavirusit si emergjencë kombëtare nga OBSh, në Komitetin për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse, bazuar në disa indikatorë, është vlerësuar se rastet e para në Kosovë mund të paraqiten 3 muaj pas paraqitjes në Kinë. Nëse pra, në mars paraqiten raste në Kosovë, i bie që Komiteti ka qenë i saktë në parashikim e tij.

Kosova.info: A duhet popullata të ketë frikë nga ky virus?

Hoti: Popullata nuk duhet të ketë frikë, por duhet të bëjë shumë kujdes. Ajo që është mësuar deri tani është se Koronavirusi ka vdekshmëri shumë të ulët, afër 2% dhe prek kryesisht njerëzit që kanë probleme tjera bashkëshoqëruese shëndetësore si sëmundje kronike të mushkërivë, të zemrës, persona me imunitët të dëmtuar, etj, por që ka shkallë më të lartë të infektimit se virus të tjerë. Por, paniku është shumë më infektiv se virusi. Është armiku më i madh në raste të tillë, prandaj në çdo komunikim që po bëjmë me publikun, me qytetarët, po përcjellim mesazhin që nuk ka nevojë për panik, por për një kujdes të shtuar.

Kosova.info: Pse thoni që paniku mund të jetë armiku më i madh?

Hoti: Është fakt i njohur ky kudo. E kemi provuar më 2009 me epideminë e AH1N1 që asokohe quhej “Gripi i derrit”, megjithëse ja patëm dalë ta menaxhojmë shumë më mirë se shtetet përreth. Me shfaqjen e rasteve të para, alarmi qe përshkallëzuar shumë. Edhe në Kosovë kishte panikë dhe presioni ishte shumë i madh ndaj institucioneve dhe asokohe bëheshin edhe pyetje absurde: pse nuk mbyllen kufijtë, pse nuk po mbyllet aeroporti, pse nuk ka vaksina në Kosovë (në fakt vaksina kundër AH1N1 nuk kishte në fillim askund në botë, sepse ajo ishte zhvilluar disa muaj pas shpërthimit të epidemisë), por paniku gradualisht ishte larguar dhe menaxhuar me sukses. Edhe vaksinat, shumë të kërkuara asokohe, Kosova i siguroi e para në rajon me ndihmën e Turqisë, por befasisht, pikërisht ata që bënin presion që nuk i kishim, kur i siguruam filluan të bëjnë fushatë pastaj kundër vaksinimit!

Kosova.info: Kur jemi te lajmet, si po raportojnë sipas jush mediat në Kosovë këtyre ditëve për Corona Virusin?

Hoti: Shumica prej tyre po japin kontribut të madh, duke informuar drejt dhe duke përcjellë mesazhet e duhura në popullatë. Na kanë ndihmuar që ta sensibilizojmë popullatën dhe ta komunikojmë rrezikun me kohë. Ajo që ndoshta po pasqyrohet pak në media është ana tjetër e Coronavirusit: Ka shumë të infektuar që do ditë lëshojnë spitalet kudo në botë, pasi kanë luftuar me kurajo dhe e kanë mundur këtë virus. Njerëzit kanë nevojë ta shohin edhe këtë anë, sepse kjo ndikon pozitivisht dhe u jep kurajo për t’u ballafaquar me virusin nëse preken.

Kosova.info: Po nëse paraqitet ndonjë rast si do të reagohet?

Hoti: Profesionistët shëndetësor do ta trajtojnë sipas protokolleve për menaxhimin klinik të rasteve. Klinika Infektive në QKUK ka kohë që ka përfunduar planin e veprimit për këto raste, i cili është vlerësuar pozitivisht edhe nga OBSh. Ata, gjithashtu, kanë marrë edhe udhëzimet e në formë të protokolleve (nga Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, të përkthyera e adoptuara nga MSh e IKSHPK) se si ta menaxhojnë me rastet e dyshuara apo të konfirmuara me Coronavirus; Protokollin e Detektimit të Coronavirusit me RT-PCR (ECDC), sikur edhe Udhëzuesin e përkohshëm të OBSh-së për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve gjatë kujdesit shëndetësor për rastet e dyshimta për infeksionin Covid-19. Këto përgatitje kanë të bëjnë edhe me nivelin dytësor dhe primar dhe këtë javë vazhdon trajnimi i stafit tjetër në KPSh (me asistencën e OBSh-së) për të gjitha procedurat, që nga skreningu i pacientëvë të dyshuar me corona virus, transporti i tyre në qendrat e mjekimit, marrja e mostrave për testim, izolimi dhe trajtimi i mëtejmë.

Kosova.info: A ka mjaft personal, aparatura, terapi?

Hoti: Në këtë fazë, kur ka testime të rasteve të dyshimta për Coronavirus por jo raste të konfirmuara apo të izoluara, kapacitet janë. Por, një epidemi asnjëherë nuk mund të parashikohet saktë në përmasat e saj. Klinika Infektive ka një Repart izolimi me 25 shtrëter dhe me mjekim intensiv brenda tij; spitalet e përgjithshme në qendrat kryesore jashtë Prishtinës gjithashtu i kanë repartet infektive që mund të shërbejnë, derisa sipas nevojës kapacitetet në kuptim të hapësirave mund të shtohen duke bërë riorganizime të klinikave apo repartave të ndryshme. Ka edhe një numër të konsideruar respiratorësh (mbi 60) të cilët mund të shërbejnë për rastet më të komplikuara. Për coronavirus, sikur dihet, nuk ka ende vaksinë të zhvilluar, derisa terapia mbështetëse ekziston. Po bëhen përjekje të mëdha që të sigruohen mjete shtesë mbrojtëse për personalin shëndetësor që në këtë rast janë vija e parë e frontit, dhe në të njëjtën kohë më të rrezikuarit. Kjo është prioritet. Sa u përket kapaciteteve diagnostike, IKSHKP i ka kapacitetet për testimin e mostrave në kohë reale me RT-PCR, ngjashëm sikur shembull këtë testim e bëjnë laboratoret referentë në Evropë.

Kosova.info: Po Karantina, a do të përdoret?

Hoti: Karantina bie në mesin e masave jo-farmaceutike që përdoren për të penguar përhapjen e virusit. Sa kemi vërejtur nga pyetjet që po bëhen rreth kësaj çështje, ka një ngatërrim midis izolimit dhe karantinës dhe shumëkush nuk po e bën dallimin. Izolimi është ndarja apo lëvizja e kufizuar e personave të dyshuar me Coonavirus apo e atyre me shenja të qarta të sëmundjes. Në rastin konkret, izolimi bëhet në një repart të Klinikës Infektive për rastet që duhet izoluar, qoftë edhe për një qëndrim të shkurtër.

Kurse, Karantina e nënkupton kufizimin e lëvizjes së personave të cilët nuk janë të sëmurë, por janë të ekspozuar ndaj virusit apo infeksionit. Karantina mund të improvizohet në shtëpi apo vennde të dizajnuara për këtë qëllim.

Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve ngjitëse në Kosovë e ka diskutur këtë temë dhe ka vlerësuar, që tash, për tash, kur nuk ka raste të konfirmuara të Coronavirusit, një masë e tillë nuk është e nevojshme të ndërmerret. Sepse, do të kishte ndikime edhe jashtë rrafshit shëndetësor. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të aplikohet nesër. MSh, bashkë me institucionet mbështetëse në kuadër të Qeverisë kanë identifikuat disa lokacione që do të mund të shërbenin si Karantinë, nëse do të duhet të ndërmerret si veprim.

Kosova.info: Pra, tani për tani nuk ka karantinë?

Hoti: Jo. Ajo që dihet deri tash është se në Kosovë nuk ka korona virus. Deri me datë 1 mars 2020, në laboratoret e IKSHPK janë testuar 33 mostra të dyshimta në Coronavirus dhe që të gjitha kanë rezultuar negative.

Kosova.info: Atëherë çfarë duhet bërë popullata?

Hoti: Duhet të bëjë kujdes, të mos alarmohet pa nevojë, të marr këshilla praktika nga profesionistët shëndetësor dhe të ndërmarr veprime që janë aq të thjeshta, por që vlejnë me jetë. Duke filluar nga pastrimi sa më shpesh dhe i mirë i duarve me sapun dhe dezinfektues si dhe të zbatojnë masat e higjienës individuale dhe kolektive. Kur jemi të pastrimi duarve, më 15 tetor të vitit të kaluar në Ditën Botërore të Larjes së Duarve, më ka rënë të lexoj një hulumtim në një revistë shkencore që tregonte se kosovarët bëjnë pjesë në mesin e popujve me higjienën më të lartë të duarve në në Ballkan dhe Evropë. Të vazhdojmë që ta përmirësojmë edhe më tej këtë shprehi të mirë.

Intervistoi: Mentor BARANI

PËRGJIGJU