Lëvizja Besa në koalicion parazgjedhor me partinë e Zaevit

0

 

Lidhja e koalicionit të parë parazgjedhor mes një partie maqedonase dhe një partie shqiptare, ka nxitur reagime të shumta në opinion mbi pasojat që mund të ketë në raportet ndëretnike, por edhe në ato mes partive politike. Lidhja Social Demokrate (LSDM) që është aktualisht në pushtet, e që drejtohet nga ish-kryeministri, Zoran Zaev, ka arritur marrëveshje me Lëvizjen Besa për pjesëmarrje me lista të përbashkëta në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill.

Në deklaratën e miratuar dy partitë janë zotuar se do të angazhohen për “integrimin evropian të vendit si dhe forcimin dhe kultivimin e vlerave mes bashkësive etnike në vend, duke i llogaritur si një pasuri e cila vetëm mund të lehtësojë integrimin e shtetit drejt Bashkimit Evropian”.

LSDM-ja dhe Lëvizja Besa kanë theksuar se do të angazhohen për zhvillim të barabartë në të gjitha sferat dhe gjithë territorin e shtetit pa dallim të përkatësisë etnike, luftimin e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet e pushtetit dhe reformim të gjyqësorit, si dhe për çështje tjera.

Lëvizja Besa në zgjedhjet e vitit 2016 kishte fituar pesë deputetë, por pas ndarjes së saj kishte mbetur me tre deputetë, pasi dy të tjerë kanë kaluar në partinë e re Alternativa e cila ka hyrë në koalicion parazgjedhor me Aleancën për Shqiptarët që drejtohet nga Ziadin Sela.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që drejtohet nga Ali Ahmeti, e që është në koalicion me LSDM-në, koalicionin e partnerit të saj me Lëvizjen Besa e ka quajtur “të dëmshëm për shqiptarët” pasi sipas kësaj partie, shqiptarët koalicionet me partitë maqedonase duhet t’i bëjnë pas zgjedhjeve.

Duke komentuar reagimet në opinion, në veçanti ato të partive tjera ndaj një koalicioni të tillë, njohësit e çështjeve politike thonë se bëhet fjalë më tepër për demagogji sesa që ato në plan të parë kanë interesat kombëtare.

Muhamet Haliti, ish-deputet në disa përbërje parlamentare, ka thënë se është realitet se shqiptarët vetë të grumbulluar në një parti, pa një koalicion me partitë maqedonase, nuk do të mund ta bëjnë qeverinë sikur edhe maqedonasit që nuk do të mund të formojnë qeveri pa partitë shqiptare sepse, thotë ai, Maqedonia e Veriut është shoqëri dhe shtet shumetnik bazuar në Kushtetutë.

Halili nuk sheh asgjë të keqe nga një koalicion i tillë nëse, siç thotë, është i ndërtuar mbi parime të qarta programore.

Por, disa njohës të tjerë të çështjeve politike, kanë thënë se koalicioni parazgjedhor mund të sjellë pakënaqësinë në radhët e dy komuniteteve, i nxitur edhe nga partitë tjera të cilët për të mbrojtur pozicionet e tyre hedhin akuza nga më të ndryshme ndaj një koalicioni të këtillë.

“Mund të ketë, për shembull, rezistencë në disa prej zonave elektorale të vendit për një koalicion të tillë, por edhe në një pjesë të elektoratit shqiptar, i cili nuk preferon ose refuzon të shkojë në një koalicion me një bllok tjetër etnik. Për momentin është vështirë të parashikohen zhvillimet pasi është hera e parë që ndodh diçka e tillë, pasojat janë të mundshme”, ka thënë Gjorgji Spasov, ish-deputet dhe njohës i çështjeve politike.

Ai ka thënë se koalicioni më tepër është arritur nga këto dy parti për të përfituar vota se sa për ndonjë qëllim tjetër.

Ndërsa kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, kishte deklaruar ditë më parë se partia të cilën ai e drejton më nuk është parti maqedonase, por parti shumetnike. VMRO-DPMNE-ja ka përjashtuar mundësinë që në këto zgjedhje të shkojë në koalicion me ndonjë parti shqiptare, por pa përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor nëse fiton në zgjedhjet e 12 prillit.

 

PËRGJIGJU