Poeti i lindur i dashurisë

0

 

Nga: Preç Zogaj “Nga Moska ika se duhej ikur/ Kush me polic e rregullon!/ Për çdo skandal prej pijaniku/ Arrest Sergej, marsh në rajon.”

Këto vargje të poetit të madh rus të viteve njëzetë të shekullit të kaluar, Sergej Esenin (Sergei Yesenin), i recitonin në rrethet letrare të viteve tetëdhjetë, herë si çlirim, herë si blasfemi përkundrejt zymtësisë dhe kufizimeve të jetës sonë. Me Besnik Mustafaj, Remzi Lanin, Teodor Kekon, Ilirian Zhupën, Bujar Xhaferrin… Qëllonte të kthenin ndonjë gotë me paratë e honorarëve apo duke lënë peng në banakun e birrarisë stilolapsa a çfarë na gjendej me vete e që pranohej nga banakieri. Nganjëherë mblidheshim në shtëpitë e njëri-tjetrit. Të ardhur në qejf aq sa për t’i hapur valvulin rebelimit, po asnjëherë të dehur tamam, djalli e mori, ia fillonim me vargjet e poetëve më të dashur. Esenini i zbulohej ndër të parët gjendjes sonë, humorit, lirizmit, mërzisë, dëshirës për t’ia mbathur e s’dinim se ku. Me atë lirinë, çiltërsinë, spontanitetin dhe rebelizmin e tij të hijshëm, Esenini ishte një idhull me vete i brezit tonë dhe kishte qenë edhe i brezit para nesh ky poet që nuk ishte bërë kurrë me shumë sesa i ri, pasi kishte vrarë veten në moshën tridhjetëvjeçare.

Çuditërisht njeriu që dinte me shumë vargje nga Esenini në grupin tonë ishte dikush që nuk shkruante vetë poezi ose shkruante vetëm për qejfin e tij; dikush që nuk pinte dhe nuk tundohej në joshjet e jetës skandaloze. Ky ishte Remziu.

Gjallë je ti nënokja ime/
gjallë jam dhe unë me ty të përshëndes
Paqja mbuloftë këtë mbrëmje
Izbën tënde gjer në mëngjes.

Kot ti nënë pret me gjak të ngrirë,
Ky nuk është veç një vegim i zi.
S’jam një vagabond i pamëshirë
që të vdes pa të shikuar ty.

Poezinë e famshme “Letër nënës” të përkthyer nga disa përkthyes e poetë (ne preferonim përkthimin e Kadaresë), e kisha mësuar përmendësh herët duke ia dëgjuar Remziut. Unë që mbahesha kampion i të mësuarit të poezive përmendësh kisha mësuar nga Lani edhe disa poezi dashurie të Eseninit, si “Shagane”, përkthyer nga Dritëro Agolli, apo “Bukuroshe që Tanusha”, lirika të tjera me vargje si këto: “Ç’mi përdhje buzët/ Nazemadhe moj/ Unë kam një tjetër/ Ty s’të dashuroj”.

E dashuronim Eseninin, donim t’i ngjanim, e recitonim, po asnjëri prej nesh nuk kishte marrë guximin të priste venat, të bënte “bis” më vetëvrasjen e tij, edhe pse shumica e krijuesve e mendojnë një gjë të tillë në moshë të re dhe besoj se disa nga ne e kishim menduar.

Rasti i Eseninit në letrat shqipe të kujton lëvizjen e kometave, të cilat dalin për disa kohë jashtë vështrimit dhe pastaj shfaqen përsëri me shkëlqimin e tyre të përjetësisë, që nuk është vetëm ai i vjetri, i mëparshmi, por është edhe i ri. Të tillë e ka shkëlqimin poezia e tij, poeti më i mësuari përmendësh mes poetëve modernë, siç thoshte Majakovski, një poet që nuk lexohet, por këndohet si bardët e vjetër, “një organ i lindur vetëm për poezi”, siç e ka quajtur Maksim Gorki, krijesa më origjinale, më natyrore, më e bukur dhe më mirë e tokës ruse, siç ka thënë Boris Pasternaku, “modeli i lirikës intime, një foshnje e pambrojtur që ra në greminë”, siç ka shkruar në vdekjen e tij të parakohshme, tragjike dhe me hije misteri Leon Trocki.

Esenini erdhi në shqip nga poetë dhe përkthyes të shquar, si Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Vedat Kokona, Dritëro Agolli, Jorgo Bllaci, Esat Mekuli, Dhori Qirjazi e të tjerë. Të gjithë cilët sollën në versione të ndryshme përkthimi, poezi dhe poema nga më të njohurat e korpusit eseninin. Disa prej poezive, si “Letër nënës”, “Shagane”, “Bir i qenit”, “Rusia sovjetike”, “Skandalisti”, i gjejmë të përkthyer në dy, tre apo edhe katër variante.

Lirizmi i kulluar i Eseninit, finesa e tij si këngëtar i dashurisë dhe natyrës, aftësia e tij për të përcjellë me vargje të thjeshta ndjesi dhe gjendje të ndërlikuara, fryma e tij e lirisë e shprehur herë si rebelim, herë si ikje dhe arratisje nga realiteti, nostalgjia për vendlindjen, nënën dhe natyrën, ku ka shpërthyer dhe ushqehet dendur bisku i talentit të tij, dhimbja konkrete dhe filozofike për të braktisurit, për të vuajturit, për zhgënjimin, për iluzionet, për hiçin – të gjitha këto cilësi plotësojnë imazhin e poetit si një krijesë e dëlirë e natyrës, që u nis me vrull qysh i ri fare për të kënduar siç fliste dhe për të folur siç këndonte. Ai, si rrallëkush tjetër, ishte fryma, fytyra, karma dhe materia e artit poetik.

Është vështirë të gjendet një shembull i ngjashëm në poezi ku shkrepja providenciale e artit të jetë njësuar e shkrirë kaq fort me qenien dhe fatin e qenies-poet. Ndoshta në muzikë mund të jetë rasti i Mozartit. Eseninit i ra shorti të jetonte në vitet e triumfit të pushtetit të sovjetëve. U rrit mes kundërthëniesh dhe iluzionesh të mëdha, por nuk mund të ishte bir i asaj kohe, madje as thjeshtër i saj. Thirrja e artit e kërkonte në lartësi të tjera që nuk ishin ato të kohës së tij. Këtu zuri fill zhgënjimi i Eseninit me të ashtuquajturën “botë të re”, pastaj filloi rënia e tij në dëshpërim dhe depresion, të dhënët pas pijes, distancimi i tij estetik dhe shpirtëror nga mjedisi i helmuar i Rusisë. Në këtë rrokullisje, poeti i ngazëllyer i dashurisë, rilindjes dhe berliozave përfundoi herët në një spital psikiatrik, prej nga doli për të shkruar apo për t’u ofruar për aktin e fundit të jetës së tij të stuhishme, që do ta shënonte fatin e tij po aq sa vepra e tij poetike.

Në një hotel të Leningradit të atëhershëm, më 27 dhjetor të vitit 1925, preu një venë dhe shkroi me gjakun e tij poezinë e lamtumirës. Të pasnesërmen vari veten në tubin e kaldajës. Më vonë janë ngritur dyshime për një vrasje nga shërbimi i fshehtë sovjetik. Gjithsesi, përtej këtij misteri, Esenini e kishte bërë zgjedhjen e tij duke shkruar me gjakun e venës së prerë “të vdesësh nuk është e re/ por as të jetosh e re nuk është”. Nuk ishte një predikim për të tjerët. Ishte një autoepitaf për një shpirt poetik të harxhuar në këngën e pastër të rinisë. Që nuk mund të vazhdonte më. Që nuk mund te plakej kurrë.

PËRGJIGJU