Vizitori

0

 

Muhamet HALILI

Me ditë të tëra ishte i lidhur në aparat respiratori. Parametrat të cilat pritej të përmirësoheshin, herë pas here jepnin shpresë, por fatkeqësisht ajo dinte edhe të mbytej nga komplikimi që shfaqej në moment. Gjendja e tij shëndetësore shkonte duke u rënduar sa që për të mund të thuhej se ishte për fije të perit! Vetëm pritej që aparatura kryesore ta lëshonte sinjalin tmerrues “vijuuuuuu…”, që sjellë mërzi për çdokënd në këtë rruzull, e që nuk do të donte ta dëgjonte askush, dhe pastaj të vijë mjeku apo motra t’ia mbulojë fytyrën.
Bora e vonshme fjollë-fjollë, po e zbardhte tokën mu si çarçafi i shtratit ku ishte i shtrirë pacienti. Ato flluska të kristalta sikur të kishin qenë të bllokuara nga ajri i ndotur për të rënë atëherë kur pritej me kalendar dhe ja tani, kur rrezet e diellit ishin më se të mirëseardhura, ato si me inat binin me rënie të lirë…!
Ditë e re. Parametrat në aparaturë sërish tregoheshin shpresëdhënëse.
Paqja me veten e tij, mbështetur në atë se çfarëdo përfundim i mundshëm është i gatuar nga fati i tij i paracaktuar ia jepte qetësinë, e mendimet e bukura ia nxisnin guximin përbrenda që ia rriste dëshirën për të jetuar. Ndonëse fizikisht i robëruar nga shtrati, gjente prehje në lirinë e shpirtit andaj nuk dorëzohej përkundër gjendjes në të cilën e kishte prurë sëmundja, sa e papritur aq edhe e paimagjinueshme.
Nuk ishte akoma momenti që pacienti të dorëzohej para një armiku të padukshëm dhe që vija valore në monitor të drejtohej pasi shifrat të binin krejtësisht në zero. Bile, për çudinë e zotit, pacienti, i vetëm në këtë dhomë të kujdesit intensiv, sikur kishte marrë forcë, këtyre orëve të fundit, pasi fliste, ndonëse në jermi. Fjalët i dilnin të pakuptimta për veshin e të tjerëve. Edhe bebëzat e syrit mund t’i endte lirisht nëpër dhomë, ani se krejt çfarë priste mund të ishte një fund!
Luhej vetëm loja e gjetjes së një shkaku për të shtyrë sa më shumë fundin, e që ai me kohë e kishte gjetur një gjë të tillë, që funksiononte bukur mirë!
Ishin këto bashkëbisedat me vizitorin e vetëm që i vinte në vizitë tani e sa ditë. Nuk e njihte, po kjo nuk e pengonte aspak! Tekefundit, ishte vizitori i vetëm që i lejohej dhe nuk i bëhej vonë që ishte i huaj për të. Bile asnjëherë nuk e pyeste kah hyri, kush ishte dhe pse po i vinte në vizitë?! Iu kishte bërë tani shumë i afërt e sidomos kur ai filloi të qëndronte më gjatë. Nganjëherë i dukej se ai rrinte aty, me të, përgjatë 24 orëve.
Bashkëbiseda mes tyre zhvillohej çuditshëm!
Vizitori fliste me një zë shumë muzikal. Në të kishte edhe jehonë, derisa se ky i përgjigjej, ose interesimin e shfaqte, vetëm me anë të mendjes, por që kapej nga vizitori!
Pacientit nuk donte t’ia dinte se si ishte kjo e mundur, me rëndësi për të ishte ajo se po vazhdonte bashkëbisedimi sepse një bashkëbisedë e tillë ia shtonte kohën!
E veçantë e dialogut mes tyre ishte edhe tema. Sa herë që pacienti e pyeste për vdekjen, vizitori interesohej për jetën, e sa herë pacienti interesohej për jetën, vizitori i fliste për vdekjen. Ndërsa, në ato momente kur binte një lloj qetësie, pacienti kënaqej me bukurinë e vizitorit. I kujtohej mosha e tij e re.
Edhe për të thoshin se ishte djalosh shkuar djaloshit. Por, atë e habiste një fakt, që edhe po të vinte bast me vdekjen se do ta linte, po që se ky do të mund ta përshkruante vizitorin, nuk do të mundte të dilte assesi fitues. Ishte e pamundshme të bëhej një përshkrim për të, përkundër përpjekjeve me atë pak shpirt që i kishte mbetur, ngase krejt çfarë mundë t’i thoshte mendja, ishte ajo se, vizitori ishte si nuri, por pa mundur të jepte tutje asnjë detaj tjetër…!
Sot, sërish iu shfaq pranë shtratit, derisa nga ana tjetër infermierja kryesore kryente punën e saj me terapinë dhe në aparatura. Edhe kësaj herë, në fytyrën e saj zinte vend dhembshuria për pacientin në shtrat.
Infermieren e vlerësonte shumë sepse një përkujdesje të tillë sikur nga ajo, i dukej se nuk e kishte ndjerë nga askush as kur ishte mirë me shëndet. Por, për një gjë, zuri t’i ngelte hatri në të. Pse nuk ia bënte mall asnjëherë vizitorin?! Pse nuk i gëzohej faktit që pacienti i saj, për të cilin kujdesej aq shumë, i lejohej më në fund një vizitor, ndonëse jo familjar?!
Indiferenca e saj ishte e skajshme, të mos themi e turpshme. Hynte e dilte nga dhoma pa e treguar së paku mirësjelljen e zakonshme me një të përshëndetur në drejtim të vizitorit. Kësaj here u përpoq ta qortojë, por nuk mundi të nxirrte zë, e as ta bënte këtë me anë të lëvizjeve të bebëzave, e varianti i komunikimit me mendje nuk i “ndezi” me infermieren. Duket se vizitori ishte e vetmja qenie që mund ta kuptonte kur ky fliste me mendje…!
Ardhja e sotme e vizitorit dallonte nga ato të mëhershmet. Ishte i qetë, i padisponuar apo edhe i pa interesuar për një bashkëbisedë të hapur si më parë!
Ia tërhoqi vëmendjen edhe shikimi i shpeshtë i tij, në një pikë diku jashtë, përmes dritares që e kishte kah krahu i majtë i shtratit. Iu kujtua, se sa kishte pas pak forcë, edhe ai shikonte shpesh përmes asaj dritarja, ku sodiste çdo gjë, por mbi të gjitha në drejtim të Kishës.
– Je besimtar? – pyeti dikur, me mendje, duke aluduar në atë se edhe vizitori po shikonte pikërisht në drejtim të kishës.
– Po e shikoja orën, – ia ktheu vizitori, pa shtuar asgjë më tepër!
Bora vazhdonte të binte lehtësisht duke mbuluar pullaze dhe rrugët e boshatisura të qytetit nga një hashtag “Rri n’shpi!”.
Pacienti e kishte ngulur shikimin e lodhur te goja e vizitorit, e ai vazhdonte ta kishte të fokusuar në orën e kishës!
– A ka orë atje ku do të vemi?! – e theu heshtjen e çastit, pacienti.
– Në të përhershëm koha nuk ka rëndësi! – ia ktheu vizitori.
– E çfarë është e rëndësishme aty?! – ishte pyetja pasuese.
– Veprat e të përkohshmes! – ishte përgjigja që u dha prerë.
– Jeta pra, na qenka një lloje testi! – foli pacienti, por që ngjyra e zërit nuk ishte për pikëpyetje në fund të fjalisë. Më tepër ishte një konstatim sesa pyetje, andaj edhe nuk pati përgjigje nga vizitori.
– A është kjo që po ndodh tani kapitull i këtij testi?! – u formulua pyetja e radhës.
Vizitori kësaj here shkëputi shikimin nga ora, për t’u kthyer kah pacienti dhe në vend të përgjigjes, vetëm i rrudhi krahët!
Pacientit i qeshi buza e tharë, sikur deshi që qeshja ta përmbyll “intervistën blic”, për ta fokusuar shikimin prapë në gojën e vizitorit, i cili tani më kishte kthyer shikimin jashtë dritares, në pikën e tij të mëparshme të vrojtimit.
– A pyetëm unë fare?! – megjithatë vazhdoi interesimin.
Kjo pyetje iu duk e çuditshme andaj ia tërhoqi vëmendjen sa ktheu sërish kokën në drejtim të pacientit, por sërish nuk dha përgjigje, por fytyrës iu shfaq një buzëqeshje. Ndërmend iu sollën bashkëbisedat e mëhershme, veçmas në ato ku shprehej meraku i pacientit se mund t’i mbetej shumëçka peng, e veçmas, ajo që i kishte falur shumë pak dashuri kësaj bote dhe vetëm tani e kishte kuptuar këtë!
– A nuk ke ndonjë punë tjetër?! – ngulmoi me pyetjen e radhës.
Duke tundur kokën në shenjë mohimi, i tha se ishte profesionist dhe se ishte e vetmja detyrë që i përshkruhet në kontratë!
– A ke së paku diku tjetër ku tani mund ta bësh këtë të vetmen punë?!
Sërish me një të tundur koke, por tani me kuptimin që edhe mund ta ketë, vizitori u përgjigj shkurt, – Po!
Pas një shikimi të shkurt sy me sy, u zgjerua në përgjigje.
– Koha, hapësira janë irelevante për mua! Mund të jem kudo, kurdo…!
Flluskat e borës po binin kurorë – kurorë, por që kishin thyer ftohtin për ta detyruar të futej brenda, bile edhe në dhomën kur ndodhej pacienti. Ishte një ftohtë morti.
Pas pak, nga goja e vizitorit doli fjala, – Është koha tani!!!
Pacienti po përpiqej të merrte frymë me gulçim!
Monitori zuri të luante me shifra. Ato po lëviznin prapthi!
Një shqetësim e trazojë aparaturën digjitale, e filloi të paraqes ndryshime më të mëdha në të dhëna, sa që e ndezi edhe alarmin.
Dhoma u mbush me profesionistë shëndetësorë. Vetëmohim i pamohueshëm i mantelbardhëve i bëri përshtypje të jashtëzakonshme vizitorit i cili tani më ishte larguar nga dritarja dhe po i qëndronte tek koka pacientit.
Derisa sa mjekët vepronin, duke komunikuar me terminologjitë mjekësore, për të mos e humbur pacientin, mendja e tij sërish foli në drejtim të vizitorit!
– A e luajmë një lojë, e që ne e quajmë dogërxhik?! – e luti pacienti.
Kjo pyetje nuk prodhoi ndonjë përgjigje, por bëri që vizitori të filloi të lëvizë rrotull shtratit pa e hequr shikimin asnjëherë nga veprimet që bënin mjekët për të shpëtuar jetë.
– E kuptova, ndoshta nuk ka kohë për këtë lojë. Atëherë, a luajmë një lojë më të thjesht për t’u luajtur, e lehtë dhe shumë popullore kudo në botë?! – provoi sërish pacienti.
Vizitori magjepsej nga duart e mjekëve, sa që bëri që sërish të mos i kushtonte vëmendje tentimit të pacientit për të vënë bast me të, përmes lojës së propozuar.
– Quhet “guri, letër, gërshërë”.
– E luajmë me dorë deri në dhjetë fitore.
– Kush fiton, fiton me ka krejt! – insistojë pacienti, duke vënë theksin në fundin e fjalisë “…fiton me ka krejt!”, me idenë se vizitori po e kuptonte edhe se çfarë po vihej në bast!
– Ja, nisja ti i pari, – ishte përpjekja e radhës për ta bindur ta niste lojën…
Më në fund, vizitori nisi t’ia kushtojë vëmendjen, së pari me shikimin që e ktheu kah ai, pastaj me një qeshje të lehtë dhe më pas edhe me fjalët që i rrodhën lehtësisht nga goja.
– E kot! E kanë provuar edhe me shah! A ke diçka më origjinale?!
Pavarësisht refuzimit, pacienti e ndjeu vetën për pak, ndërsa fuqi mori edhe nga fakti që vizitori i bëri një pyetje, që nënkuptonte bashkëbisedë, e bashkëbiseda shtyrje të fundit.
– A rrëfejmë tregime të vërteta të dashurisë! Ai që prek shpirtin më në thellësi, del fitues!
Nuk e di se si i erdhi ky propozim, por që doli të jetë i qëlluar pasi fjala: “Fillo ti i pari! – e thënë me lehtësi nga vizitori ishin konfirmuese e pranimit të lojës, e me këtë edhe të bastit…!
Shifrat po rikthehen drejt parametrave të stabilitetit – doli fjala nën maskën e njërit prej mjekëve. Të dhëna pozitive po konfirmoheshin edhe nga të tjerët. Një lehtësim bashkë me djersët po shkarkohej nga fytyrat e tyre…!
Dita e re kthjelloi qiellin. Të reshurat e borës, që natën ishin shoqëruar edhe me shi të imtë, ishin ndalë e rrugët pothuajse të boshatisura ishin bërë shkret nga skllota. Po ashtu ishin ndalë edhe bashkëbisedat në një dhomë intensive ku ndodhej i shtrirë vetëm një pacienti, i cili posa i hapi sytë, i rrotulloi ato me të shpejtë anekënd dhomës. Po kërkonin dikë dhe kur e panë që nuk po e gjenin dot u ndalen te dritarja. Aty po qëndronte infermierja me shikim të hutuar jashtë, por me veshët e koncentruar në një folëse lajmesh, zëri i të cilës dilte nga një telefon i mençur që ajo mbante në duart të mbuluara me doreza të bardha.
Po jepej më në fund një lajm i mirë.
Ministri konfirmonte se dy testet kontrolluese te një pacient në infektivë, në intervalin kohore ndërmjet 24 orëve, kishin rezultuar negative. Po ashtu edhe një pacient tjetër po shkonte drejt shërimit vetëm se pritej të kryheshin testet kontrolluese.
Lajmi tani zyrtar bëri që infermieres t’i shndritej fytyra dhe t’i afrohej shtratit të pacientit për ta ndarë atë shndritje, gjë që edhe kjo ishte ngjitëse, sepse fytyra e pacientit u vesh me një buzëqeshje të lehtë. Kjo, ia përloti sytë asaj për ta qarkulluar brenda gojës disa herë fjalën – “I lumi Zot!!”
Në maksimum ishte përkujdesur për të, duke mos u kursyer fare, por nëse nuk do t’ia dilte, do t’i mbetej peng një gjë! Për shkak të rrethanave, nuk iu lejua kush në vizitë, as një i vetëm vizitor, kushdo qoftë ai, edhe pse po bëheshin javë prej se pacienti ishte shtrirë në spital, duke sfiduar të padukshmen, që po e trazonte krejt globin…!

PËRGJIGJU