Shqiptarja 27-vjeçare që zotëron shumë profesione në Zvicër

0

 

Ndër shumë vajza dhe gra shqiptare që po tregohen të suksesshme në fusha të ndryshme në botë, është sigurisht edhe Fjolla Berisha me prejardhje nga qyteti i Ferizajit, e lindur dhe e rritur në Zvicër.

Të përshkruash portretin e Fjolla Berishës, tek e cila vërehen shumë veçanti, qoftë në sjellje, në formimin intelektual, profesional dhe etik, qoftë në qëndrimet e saj dhe, para se të gjithash në të menduar, nuk del e lehtë. Kjo ngase perspektiva e qasjes së personalitetit të saj të nxjerrë para dilemave të shumta, nga t’ia fillosh, cilin element të saj ta marrësh si bazë, cilës veçori t’i kushtosh rëndësinë parësore, kjo të krijon dyshime dhe pavendosmëri. Sepse te secili element gjejmë shumëçka që mund t’i qasemi për ta trajtuar sipas një pikëshikimi të caktuar, shkruan albinfo.ch.

Secili prej nesh takon personalitete që shquhen për sjelljen e tyre më ndryshe, që fillimisht mund të na duken të çuditshme, por që në të vertetë kanë karaketeristika dalluese reale, sepse bota e tyre, angazhimet dhe tërë jeta e tyre ka të tjera dimensione. E tillë është edhe Fjolla Berisha.

Pa dyshim që shumë femra shqiptare janë duke arritur suksese të mëdha në botë, jo vetëm në fushën e muzikës dhe të sportit, por edhe në shumë fusha të tjera profesionale akademike. E patjetër njëra nga këto është edhe 27-vjeçarja shqiptare, Fjolla Berisha, me prejardhje nga qyteti i Ferizajt.

Fjolla Berisha është 27-vjeçare, ka një biografi të jashtëzakonshme. Thuajse të pamundur për një person të moshës së saj. Duke qenë se ajo është lindur dhe e rritur në qytetin Wellis të Zvicrës, ajo ka përfundur shkollën “Commerciale” po në këtë qytet dhe ka përvojë pune në sektorin e Zhvillimit Ekonomik. Ajo është orientuar edhe në zhvillimin dhe specializimin profesional në fushën e “Marketingut dhe Online Marketing”, që përfshin mediat sociale, shkruan albinfo.ch.

Fjolla fillimisht kishte punuar rreth tre vjet si konsulente në degën e “Swisscom”, në njërën nga korporatat më të mëdha. Pas udhëtimit tremujorësh në Indi, Sri Lankë, Malaysi, Indonesi dhe Hong-Kong, ajo ishte kthyer në Zvicër për të zhvilluar karrierën dhe formimin e saj intelektual në Zurich, duke integruar “Canada Goose International” të Zyrës Internacionale (Selisë) që gjendet në Zug dhe Global Headquarter në Toronto.

Por jo vetëm kaq!

Fjolla Berisha tani punon në një kompani të njohur në Zvicër, e quajtur “Customer Experience” në menaxhimn e përvojës së klientit për Evropë dhe në shumë pjesë të tjera të botës.  Duke qenë se menaxhimi i përvojës së klientit i referohet krijimit për të ndërtuar një lidhje emocionale midis përdoruesit dhe produktit ose ofruesit, kjo kompani monitoron komunikimin përmes kanaleve të ndryshme profesionale.

Ajo tani punon kryesisht me grosist në Evropë /NON-EU/ ROW (rest of the world), si në qendrat e shitësve, qendrat e riparimit (në Portugali dhe Skotlandë), dhe po ashtu monitoron “Call center” (rreth 30 punëtorë) që gjenden në Holandë, shkruan albinfo.ch.

Asistente në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë

Fjolla Berisha gjithashtu ka qenë edhe asistente në seksionin diplomatik në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, duke asistuar dhe ndihmuar në agjendat politike të ambasadorit në detyrat e tij, përkthimet, në notat verbal dhe në shumë punë të tjera.

Duke qenë se puna e saj në këtë ambasadë ishte bashkëveprimi midis Departamentit të Punëve të Jashtme dhe ambasadave të tjera, në veçanti në seksionin konsullor, veçmas në lidhjet me pasaportat dhe certifikatat e lindjes.

Po ashtu pjesë e punës së saj në këtë ambasadë ishte edhe gjuha diplomatike, pra ajo frenge, duke punuar për më shumë se një vit.

Njohëse e mirë e gjuhëve të huaja

Thuhet se nëse një person flet një gjuhë të huaj, vlen sa një njeri, e nëse flet tri gjuhë të huaja, vlen sa gjithë njerëzimi, thotë një proverb afrikan. E në aspektin e njohjeve të gjuhës, Fjolla Berisha është njohëse e katër gjuhëve. Gjuhën shqipe e ka shumë për qejfi, pasi që është edhe gjuha e nënës, pra gjuha amtare, të cilën e ka perfeksionuar shumë gjatë periudhës sa ka punuar në ambasadë.

Ndërkohë edhe gjuhën frenge e njeh si gjuhë amtare, pasi që është shkolluar dhe rritur në këtë gjuhë. Po ashtu Fjolla e njeh mirë edhe gjuhën gjermane edhe pse për të në fillimet e saj nuk ishte e lehtë, por që pas qëndrimit në një kanton gjermano-folës, ajo e kupton dhe di të flasë.

Nga ana tjetër, duke qenë se gjuha angleze është bazike në gjithë botën, për Fjolla Berishën kjo është gjuha më e lehtë për ta mësuar dhe praktikuar. Pra, ajo zotëron katër gjuhë të ndryshme që e ndihmojnë shumë në zhvillimin e saj profesional.

Udhëtimet, një mundësi jo vetëm për të njohur botën, por edhe vetveten

Sigurisht që udhëtimet e kanë ndihmuar Fjollën të mësojë gjuhë të huaja dhe kjo pa dyshim se do t’i duhet shumë gjatë gjithë jetës. Ajo ndryshe nga të tjerët, është shumë kureshtare dhe ambicioze për jetën, duke mësuar dhe zhvilluar veten në aspektin profesional.

Ajo gjatë rrugëtimit të saj ka jetuar dhe punuar në disa qytete të ndryshme të Zvicrës. Përveç vendlindjes së saj në qytetin Wellis, ajo pas studimeve është larguar për një vit në Bazel, në një familje anglisht-folëse dhe njëkohësisht ka ndjekur kursin e gjuhës angleze dhe asaj gjermane.

Pastaj është shpërngulur edhe në Bernë, ku punoi për një kohë në Ambasadën e Republikës së Kosovës, për më shumë se një vit. Ndërsa tani jeton dhe vepron në Cyrih që katër vjet.

Po ashtu, Fjolla Berisha për një periudhë kohore ka udhëtuar në Indi, Sri Lanka, Malaysi, Indonesi, Hong-Kong dhe në disa shtete evropiane. Të gjitha këto kanë ndikuar në hapjen e perspektivave të reja në zhvillimin e saj.

Kosova, vend i dëshirës dhe punës

Fjolla është shumë e lidhur me Kosovën, ajo tregon se zemra i rreh ndryshe kur prek tokën e Kosovës, ku atje jetojnë edhe shumë familjarë të saj, duke e bërë një lidhje të ngrohtë me ta.

Pothuajse çdo vit ajo viziton katër herë Kosovën, pasi është edhe mbështetëse e fuqishme e një shoqate kundër kancerit të gjirit. Andaj Fjolla është shumë e lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht me Kosovën dhe e njeh mirë kulturën e këtij vendi.  /Albinfo.ch

PËRGJIGJU