Zbarkimi rus në Ballkan

0

 

Fadil Lepaja

Mjetet luftarake janë harxhuar, pozicionet janë ngurtësuar dhe barrikaduar. Asnjëra palë, pa një konflikt përmasash të paparashikueshme, nuk lëvizë tutje. Çështjet shqiptare, serbe e maqedono-veriore, janë bllokuar, përderisa çështja kroate, sidomos në Hercegovinë, ka mbetur e ngrirë e pa ndonjë intensitet të madh, duke pasë parasysh se edhe si e tillë i përshtatet në planin afatgjatë shtrirjes kroate deri në linjën e Teodosit. Pas disa qindra mijëra të vrarësh e të plagosurish, e shkatërrimit të jashtëzakonshhëm në Bosnjë dhe në Kosovë, “lufta e civilizimeve” nuk i ka dhënë formë përfundimtare Ballkanit.

Rusia, pas një periudhe konsolidimi, po rikthehet dhe po faktorizohet në Ballkan, në një rol tjetër, dhe me aleatë të tjerë. Roli i Rusisë, prej Luftës së Dytë Botërore e këndej, ka ndryshuar dhe kohëve të fundit, si duket përmes përfshirjes në Ballkan, po synon të faktorizohet në përmasa globale, duke ndikuar në konfigurimin e vet BE-së, Euroazisë dhe Ballkanit si zonë e ndërmjetme e cila jo domosdoshmërisht do të synonte BE-në. (Mos)Marrëveshja Kosovë-Serbi është momenti historik të cilin duket se e ka pritur gjatë, për t’u legjitimuar si palë pa të cilën nuk arrihet asgjë.

Deri në Berlin në lindje dhe deri në Bullgari e Maqedoni në jug, ishte dikur, para rënies së Murit të Berlinit, pushteti, fuqia e dukshme apo e padukshme e Rusisë në Evropë. Asokohe ne ishim në Zonën e Kuqe. Edhe kur pushteti nuk ishte i drejtpërdrejtë, dora ruse shtrihej thellë brenda botës së lirë, përmes ideologjisë dhe organizatave revolucionare të cilat ku me armë e ku me veprimtari politike synonin të ndërronin idenë e qytetarisë dhe demokracisë me ideokracinë dhe me diktaturën e proletariatit. Partitë e majta kishin një armik të përbashkët – botën perëndimore dhe veçanërisht SHBA-në si lidere të botës së lirë.

Rusia si qendër e bolshevizmit, u listua si armiku numër një i botës së lirë dhe u krijua rreth saj, dhe brenda vet Perëndimit, një front i hapur lufte me çka synohej një luftë totale deri në shuarjen e vetë komuniste dhe të Bashkimit Sovjetik – kurrizin e së cilës e përbënte Rusia.

Me shpërbërjen e përgjakshme të Federatës socialiste jugosllave dhe rrënimin e idesë së socializmit politik në vet qendrën e saj, u tkurr ajo që dikur në Perëndim njihej si murtaja e kuqe dhe u soll në kufijtë e Rusisë së sotme, duke i shkëputur pjesën më të madhe të republikave joruse dhe duke i shkëputur të gjitha shtetet vasale të Evropës Qendrore dhe Juglindore nga orbita e saj.

U deshën decenie që Rusia të gjente flamur të ri, përpos atij nacional, sepse po të mos ringjallej ortodoksia do të shpërbëhej edhe Rusia që si shtet nacional vështirë se mund të funksionojë në kufijtë e Federatës Ruse të mbetur, ashtu si nuk mund të funksionojë as Serbia e mbetur në kthetrat e kishës ortodokse. Përpos ortodoksisë si ide të parë pas të cilës u kap Rusia, Euroazija ishte ideja tjetër që synonte të krijonte një qendër të re politike dhe ekonomike, si kundërpeshë e idesë evropiane e cila u afrua, në fillim të shekullit XXI, deri në kufijtë e ish-BRSS-së. Aleanca e ortodoksisë me islamin do të përbënte boshtin e një politike që do të bllokonte idenë evropiane dhe do të tentonte që Ballkanin ta mbante për vete. Demokracia, bota pa kufij, po sfidohej seriozisht nga ideokracia dhe nga shtetet autoritare të dominuara nga oligarkia.

Përderisa Lufta e Ftohtë ishte e ashpër, por krejtësisht e qartë në rrafshin e ideve, ajo që pasoi do të sillte konfuzion në kokat e njerëzve dhe në kokat e ideatorëve, sidomos në Perëndim. Me rënien e socializmit pra, lista e (ar)miqve u rishkrua, ndërsa në Ballkan ajo u bë krejtësisht kaotike. Liderët komunistë ndërruan retorikën brenda nate, u bënë edhe besimtarë të devotshëm. Vendet më të vogla u kapën për idenë e nacionalizmit, ndërsa ish-perandoritë për idetë integruese dhe një qendre të moçme ideologjike.

Doktrina e re Trump, e cila mbizotëron SHBA-në pas zgjedhjeve të fundit, e rihapi çështjen e armiqve dhe miqve dhe të koalicioneve globale. Edhe pse e akuzuar se erdhi në fuqi me ndihmën kibernetike ruse, ajo e rikonsideroi rolin e Rusisë jo vetëm në Ballkan. Përderisa çështja serbe ishte barrikada e fundit ruse, përtej të cilës ajo nuk u tërhoq, çështja shqiptare dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi ishin mekanizmi i cili u kap për t’u faktorizuar dhe rikthyer në skenën globale, me tendencë që çështjen me e heq prej agjendës evropiane dhe me e bartë sërish në OKB duke devalvuar çështjen e pavarësisë pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Pavarësinë e Kosovës.

“Pa Rusinë dhe miratimin nga Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara, cilado qoftë marrëveshja mes dy shteteve, nuk do të vlejë”, deklaroi këto ditë, ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko. Sidomos ishte me rëndësi pjesa ku ai pohonte se Rusia do të përfshihet në bisedimet Serbi-Kosovë, nëse Beogradi do ta kërkojë.

Nuk vonoi shumë dhe ambasadori Richard Grenell e konfirmoi një mundësi të tillë duke thënë se pjesëmarrja e Rusisë në bisedime varet nga kërkesa e Serbisë. Analistët, këtë e panë si një qasje të koordinuar dhe me synime të pengojnë rrugën evropiane të Serbisë dhe Ballkanit perëndimor në përgjithësi. Kjo u jepte kuptim edhe fjalëve se marrëveshja tashmë është bërë, vetëm se duhet nënshkruar.

Kështu, Përderisa aleanca e NATO-s po marshon drejt kufirit me Rusinë, në ushtrimet e kushtueshme dhe gjithëpërfshirëse “Mbrojtja e Evropës 2020”, ku pritet të mbërrijnë në gjysmë të verës, Rusia përmes administratës Trump e sfidon konjukturën evropiane dhe të NATO-s me një aleat të ri, super të fuqishëm në Uashington. Synimi i saj duket se është defaktorizimi i BE-së dhe të riaktualizimi i OKB-së.

Atë që janë konfuz në krejt këtë situatë, janë qytetarët të cilët 20 vjet pas lufte janë përgjakur pikërisht nëpër luftëra mediatike dhe lagje më lagje kundër armikut rus, serb dhe për miqtë evropianë dhe amerikanë. Kur vet arkitektura euro-atlantike është përpara sfidës sesi të mbijetojë në konjukturat e reja globale, çështja e Kosovës si duket do të shërbejë si rasti i parë për të matur forcat mes dy kandidatëve presidencial në SHBA, të cilët përfaqësojnë modele të kundërta të konfirgurimit global dhe aleancave të këtij shekulli. Është vështirë, jo vetëm për qytetarët por edhe për shtetet e vogla, të kapin përmasat e lojës aq më tepër kur jemi figura në tabelë.

PËRGJIGJU