Mesazh urimi i Kryetarit të KBI në Gjilan me rastin e Fiter Bajramit

0

Naim ef Aliu

Me emrin e Zotit të Mëshirshëm Mëshirplotë

Falënderimet i takojnë Allahut të vetëm. Ai është i lavdëruar mëngjes e mbrëmje, dhe vetëm Atij i takon Madhëria e pafundme.

Salatet e selamet tona qofshin për të  dashurin e Zotit Muhamedmustafanë, familjen e tij te pastër e shokët e tij besnik.

Të dashur besimtarë

Qytetarë të nderuar

Vëllezër e motra

Jemi në vigjilje të festës së madhe të Fitër Bajramit. Vetëm edhe pak orë na ndajnë nga përfundimi i muajit të bekuar të Ramazanit.

Falënderojmë të madhin Zot që kemi arritur të agjërojmë edhe këtë Ramazan.

Edhe pse ky muaj i bekuar na erdhi në kohë të vështira kur njerëzimi mbarë po përballet me pandemi globale, e mbase nuk arritëm të shijojmë bukuritë e Ramazanit sikur herave tjera, me ibadet nëpër xhamitë tona bashkë me familjarët, me të dashurit dhe miqtë tanë , megjithatë besoj se ia dolëm të kompensojmë këtë mungesë me kujdesin që treguam ndaj familjes dhe me kujdesin ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën dhe bamirësinë tonë.

Prandaj me lejoni që në emër te Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan dhe në emrin tim personal të falënderoj, të gjithë besimtaret që gjatë kësaj kohe emergjente kanë treguar qytetari dhe kulturë të lartë duke iu përmbajtur të gjitha udhëzimeve të dala nga institucionet tona kompetente që për qëllim kryesor kanë ruajtjen e shëndetit dhe mbrojtjen e jetëve të qytetarëve , e në veçanti të falënderoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë dhe bamirësit  që iu përgjigjen thirrjes së Bashkësisë Islame të Kosovës, që përmes Shoqatës bamirëse “Bereqeti” dhe aksionit “Sofra e Ramazanit” ndihmuan  familjet që kanë nevojë për mbështetjen e kujdesin tonë. Pejgamberia.s. ka thënë: “Kush i del në ndihmë vëllait tij, atij do t’i dalë në ndihmë Allahu i Madhërishëm.

Dega e shoqatës “Bereqeti” në  Gjilan gjatë kësaj kohe ka ndihmuar me qindra familje nevojtare nëpër çdo cep të komunës tonë përfshi këtu edhe komunitetet pakicë pa asnjë përjashtim.

Ne si popull gjatë historisë kemi dëshmuar se  solidaritetin e bamirësinë e kemi  të kultivuar ndër breza saqë ky solidaritet është kthyer në virtyt, dhe fal këtij virtyti, si komb kemi arritur të përballojmë shumë vështirësi e furtuna.

Duke i dhënë  lamtumirën dhe duke u përshëndetur me muajin e bekuar të Ramazanit, besojmë fuqishëm se Mëshira dhe begatitë e Zotit në këtë muaj e veçanërisht vet agjërimi si ibadet e shtyllë e islamit na kanë bërë neve më të devotshëm, me t ë ndjeshëm për një ri tjetrin me solidar e me bujar.

Të dashur besimtarë ,

Kemi shpresuar shumë se Ramazin e Bajramit do ta falim së bashku, por ja që kushtet për hapje të xhamive akoma nuk janë pjekur.

Ne si besimtarë kemi për obligim të tregohemi të kujdesëshëm e të disiplinuar dhe t’i përmbahemi udhëzimeve dhe rekomandimeve tona institucionale për formimin e të cilave, bashkë si komb kemi luftuar e kemi derdhur gjak.

Lutemi që Zoti i gjithëfuqishëm të ketë mëshiruar gjithë ata që kanë ndërruar jetë nga virusi covid 19 , gjërsa për të infektuarit lutemi që të gjejnë shërim sa më shpejtë.

Të nderuar qytetarë ,

Besoj se edhe festën e Bajramit do ta kalojmë si më mirë me familjarët tanë në ambientet e shtëpisë , sikur edhe kemi pritur dhe po e përcjellim muajin e bekuar të Ramazanit.

Ju lutem mos të lejojmë që në fund të kësaj beteje me virusin covid 19 të pësojmë dhe të kemi rritje të të infektuarve si pasojë e mosrespektimit të udhëzimeve të eksperteve tanë.

Shtëpitë tona na mjaftojnë që të krijojmë atmosfere festive e t’i mbushim me gëzimin e Bajramit.

Në fund lusim Allahun që të pranoj të gjitha ibadetet tona, agjërimin, duatë, sadaken e zekatin që kemi dhënë vetëm për emrin e Tij. Gëzuar e përhajr na qoftë të gjithëve festa e Fitër Bajramit./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU