Kosova pa të dhëna të sakta për dëmet ekonomike nga pandemia

0

 

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë arritur të nxjerrin një shifër të saktë se sa mund të ketë qenë dëmi që i është bërë ekonomisë që nga vendosja e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Kjo shifër, sipas zyrtarëve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, nuk mund të nxirret tani, derisa ende Kosova po përballet me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.

Megjithatë, sipas parashikimeve që janë bërë në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, zëvendësministri në detyrë Agim Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në ditë ekonomia e Kosovës mund të ketë shënuar humbje deri në 6 milionë euro.

“Askush nuk mund të japë një të dhënë është kjo apo ajo shifër, pasi që nuk ka një analizë të saktë, por sipas disa indikatorëve që ka ministria, humbjet ditore në ekonomi mund të jenë prej 5 deri në 6 milionë euro. Këto shifra janë bazuar në disa faktorë, siç është rreth të hyrave të rregullta që ka Administrata Tatimore e Kosovës dhe Doganat si dhe faktorë të tjerë”, thotë Krasniqi.

Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e koronavirusit në ekonominë e Kosovës janë të zymta. Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë, nëse masat kufizuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit.

 

PËRGJIGJU