Prokuroria e Gjilanit kërkon paraburgim ndaj 4 personave

0

 

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarve A.A., SH.Z., B.K. dhe V.R., të cilët me aktvendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh.

 Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari A.A., më 25 Maj 2010, pas mesnate, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, i shtytur nga të dyshuarit B.K. dhe SH.Z. dhe i ndihmuar nga i dyshuari V.R., me qëllim të kërcënimit dhe frikësimit lidhur me një kontest pronësor, ka vendosur dy granata dore dhe një bombolë gazi, në derën e zyrave të kompanisë “ITC”, të të dëmtuarit H.K., ashtu që njëra nga granatat dhe bombola e gazit ka shpërthyer, ku me këtë veprim i njëjti ka shkaktuar rrezik për jetën e të dëmtuarit dhe qytetarëve në atë zonë, duke shkaktuar edhe dëme materiale në vlerë të pa përcaktuar.

 Po ashtu, i njëjti  më 07 Shtator 2010, pas mesnate, në të njëjtin vend dhe me të njëjtin qëllim, i shtytur dhe i ndihmuar nga të dyshuarit e lartcekur, ka vendosur granatë dore dhe bombolë plini, të cilat kanë shpërthyer, duke shkaktuar për të dëmtuarin ankth, pasiguri për jetë dhe dëme materiale.

Me këto veprime, i dyshuari A.A., dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’’.

Ndërsa, të dyshuarit SH.Z., dhe B.K., me qëllim të përfitimit material, lidhur me një kontest pronësor, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike sociale të të dyshuarit A.A., e kanë shtytur të njëjtin që të ndërmerrte veprimet e lartcekura.

Me këto veprime të dyshuarit SH.Z. dhe B.K., dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale ‘’Shtytja e veprës mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’’.

 I dyshuari  V.R., me qëllim të përfitimit material, dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin A.A., që më 25 Maj dhe 07 Shtator 2010, të vendosë granata dore dhe bombola, në derën e zyrave të kompanisë “ITC”.

 I njëjti dyshohet se ka kryer verën penale ‘’Ndihma në kryerjen  e veprës mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve’’./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU