Zgjidhja e konfliktit me Serbinë është parakusht i çdo progresi

0

 

Fadil Sahiti

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të shqyrtojë racionalizmin si rrymë filozofike, por si mënyrë apo si metodë e zgjidhjes së problemeve shoqërore. Fjalori i Kembrixhit racionalizmin e definon si besim përmes së cilit mendimet dhe veprimet bazohen në arsye e jo në emocione ose në religjion. Me fjalë të tjera, racionalizmi është metodë apo qasje e të menduarit dhe vepruarit, që synon të zgjidhë problemet përmes arsyes, mendjes dhe përvojës, e jo përmes emocioneve dhe pasioneve.

Racionalizmi mund të kuptohet më mirë nëse e vendosim në një rrafsh praktik, si sjellje e përditshme njerëzore. Kështu, person racional mund të jetë dikush që s’është rigjid apo dogmatik, por i hapur karshi kritikës. Njeriu i arsyeshëm e pranon që është gabim, që nuk ka gjithmonë të drejtë, por beson se përmes arsyetimit të përbashkët mund të jemi më afër së vërtetës. Për më tepër, i arsyeshmi e di që kërkesat dhe interesat mes njerëzve janë të ndryshme dhe ato shpesh përplasen me njëra-tjetrën. Por, gjithashtu, e di se gjithmonë është e mundur të arrihet një kompromis, i pranueshëm për shumicën, nëse jo për të gjithë.

Të menduarit racional është shumë i ngjashëm me të menduarit shkencor, me besimin se në kërkimin e së vërtetës njerëzit kanë nevojë për bashkëpunim, të ndihmojnë njëri-tjetrin me fakte empirike dhe argumente. Dikush me mendësi racionale dhe shkencore e di se nuk ka të vërtetë absolute, por racionaliteti na ndihmon të afrohemi më afër së vërtetës.

Si rrallëherë gjatë historisë së saj, Kosova ka nevojë për mendim racional, e sidomos për politikanë racionalë. Kjo sepse politikani racional e di që politika nuk është qëllim më vete, por mjet për zgjidhjen e problemeve. E, shoqëria kosovare ka shumë probleme që kërkojnë trajtim racional dhe shkencor.

Sipas pikëpamjes sime, problem më i madh i Kosovës është konflikti i hapur dhe i ngrirë me Serbinë. Tërë kjo zallamahi politike e këtyre muajve të fundit, këtu e ka thelbin. Për nga relevanca, ky konflikt duhej të zgjidhej dje – as sot, por as nesër. Shteti ynë, politika jonë është peng i këtij konflikti. Kurrë nuk do të mund ta përmbyllim procesin e shtetësisë sonë pa një marrëveshje me Serbinë. Kush mendon ndryshe, e ka gabim.

Fakti që ShBA-ja dhe BE-ja janë thelbësisht të interesuara të na ndihmojnë të adresojmë këtë konflikt, duhet konsideruar si një fat i madh. Të kalkulosh në ndryshime kontekstuale politike ndërkombëtare, që do të ndodhnin nesër (si ato me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në ShBA), për mua është infantilizëm politik. E konsideroj krejtësisht irracionale tendencën që analizat dhe pikëpamjet politike – të kujtdo, qoftë ai amerikan, gjerman, anglez, e të tjerë – të merren si reference me përqasjen tonë karshi konfliktit me Serbinë. Nuk më duken që analizat e këtyre njerëzve reflektojnë gjendjen ku jemi katandisë si shoqëri. As nuk besoj që brenga e tyre është e njëjtë me brengën e një qytetari që çdo ditë jeton realitetin kosovar.

Politikanët shqiptarë të Kosovës duhet të kuptojnë se zgjidhja e konfliktit me Serbinë është parakusht i çdo progresi, në veçanti i atij ekonomik. Ata që kuptojnë vetëm pak nga ekonomia dhe ndërmarrësia e dinë se siguria dhe stabiliteti politik është premisë themelore për investime private. Ndërkaq, vetëm investimet private mund të sjellin zhvillim ekonomik.

Shkrimin po e mbyll me një parafrazim të një mendimi mbi racionalitetin të filozofit dhe nobelistit anglez, Bertrand Russell: “Racionaliteti, në kuptimin e një standardi universal dhe objektiv në kërkim të së vërtetës, ka një rëndësi supreme… dhe si i tillë na duhet jo vetëm në periudhat ku ai mbizotëron lehtësisht, por gjithashtu, dhe madje edhe më shumë në ato periudha më pak fatlume në të cilat njerëzit e arsyeshëm përçmohen apo refuzohen…”

PËRGJIGJU