Gjilan: Rektori i UP “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, nderohet me çmimin “Idriz Seferi”

0

 

Në kuadër të shënimit të ditëve të Çlirimit të Gjilanit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i ka ndare çmimin “Idriz Seferi”, rektorit të Universitetit “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, në nderim të kontributit të dhënë për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Në vijim fjala e plotë të rektorit Kosumi me rastin e marrjes së Çmimit “Idriz Seferi”.

Fjala falënderuese e rektorit Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi me rastin e marrjes së Çmimit “Idriz Seferi” nga kryetari i Komunës s Gjilanit, z. Lutfi Haziri:

Falënderoj kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri për nderimin, qeverinë komunale, Kuvendin Komunal dhe gjithë qytetarët e Gjilanit.

Me kryetarin e Komunës së Gjilanit kemi qenë bashkëpunëtorë në një pjesë të rrugëtimit tonë për liri e pavarësi.

Në vitet 2005-06 ne kemi punuar bashkë në Qeverinë e Kosovës dhe kemi përgatitur Kosovën në hapjen e procesit të zgjidhjes së statusit final. KS i OKB emëroi ambasadorin Kai Aide për të hartuar raportin për vlerësimin e përmbushjes së standardeve që Kosova të ecën drejt zgjidhjes përfundimtare.

Qeveria e Kosovës, të gjitha institucionet e administratës së qeverisë dhe gjithë shoqëria ka qenë në gatishmëri për të qenë pozitiv dhe për të pasur sukses ky raport. Në tetor të vitit 2005 ky raport u miratua nga KS i OKB dhe me këtë u dha drita e gjelbër për fillimin e procesit të pavarësisë së Kosovës.

Dua të theksoj edhe faktin se në shekullin XX Gjilani me rrethinë u bë qendër e aktiviteteve e luftërave clirimtare në shekullin XX. Nga luftërat kundër ormanëve me Idriz Seferin, gjatë LDB, dhe sidomos pas vitit 1945, ku Gjilani dhe pjesët tjera të Gollakut e Anamoravës u bënë strumbullari i lëvizjes ilegale dhe veprimtarisë së grupeve patriotike për lirinë e Kosovës.

Kur e kujtoj sot vitin 1981, 1992, 1999 po edhe shumë vite të tjera e kam më të qartë se prej nga buronte gjithë ai besim i paluhatur dhe gjithë ajo fuqi veprimi? E kuptoj më mirë cka na shtynte dhe motivonte aq shumë sa të mund ta bënim edhe atë që duke e pabëshme!

Cili është ai besim që na nxiti neve, një shoqëri e vogël, me pak së dy milionë, kundër një prej shteteve më të forta të kohës, Jugosllavisë, kundër një prej armatave më të forta dhe kundër një diktature dhe një politike anti-shqiptare të perfeksionuar për një shekull?

Cili qe motivi i Kadri Zekës, bashkë me Jusufin dhe Bardhoshin, të vdesin në një mëngjes të hershëm të 17 janarit 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë?

Cili qe motivi i Rexhep Malës e Nuhi Berishës të vriten duke kënduar, të vetmuar në një shtëpi të Prishtinës, në një luftë të pabarabartë, më 12 janar 1984?

Cili qe motivi i Agim Ramadanit ta lërë pikturën dhe të marr pushkën e ta shemb gurin e kufirit Jugosllav në Koshare dhe të vritet më 11 prill 1999?

Cka e shtyri me aq forcë e vendosmërinë e Isa Kastratit e të Bejtullah Tahirit të cilët pjesën më të madhe të jetës së shkurtër e çuan ose në burg ose në luftë dhe u sakrifikuan për lirinë e Kosovës?

Të gjitha këto pyetje dhe krahasime kanë vetëm një përgjigje: besimi në lirinë.

Liria është përmasa pa të cilën nuk mund të jetojë një njeri i ndërgjegjshëm dhe një shoqëri e ndërgjegjshme.

Sot e kuptoj edhe më mirë se pse këta që përmenda, edhe dhjetëra mijëra të tjerë burra e gra shqiptarë sakrifikuan për lirinë.

Sot i takoj rrugës, njerëz si ju këtu, të lumtur ose jo të lumtur, të hareshëm ose të heshtur, të realizuar ose të dëshpëruar, dinamikë ose përtacë, punëtorë ose të papunë, të ri e të vjetër, burrë e grua…, por të gjithë këta njerëz, të cilët sot na duken të zakonshëm, para njëzetenjë e më shumë vjetëve qenë në gjendje të sakrifikonin edhe jetën e tyre për lirinë!

Liria krijohet çdo ditë, çdo minutë dhe është vepër e çdo personi. Secili anëtar i shoqërisë sonë e ka përgjegjësinë për lirinë dhe për demokracinë dhe secili duhet të sillet me përgjegjësi ndaj saj. Ajo është i vetmi burim që na shuan urinë dhe etjen dhe na bën të mundur të jetojmë me dinjitet.

Të gjitha të tjerat i kemi provuar, i kemi vuajtur, i kemi sakrifikuar dhe, ja ku jemi, në lirinë tonë.
Ju faleminderit dhe urime të gjithëve përvjetori i njëzetenjë i clirimit të Kosovës sonë! /GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU