​Diplomojnë 15 kadetë të FSK-së ​

0

 

Dije, disiplinë, punë dhe shërbim ndaj vendit u kërkua nga 15 kadetët të FSK-së, të cilët u diplomuan sot në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Eprorët e tyre po kërkojnë nga ta që të gdhendin në zemrat e tyre fjalët detyrë, nder dhe atdhe. Nga 1000 kadetë, të hënën u diplomuan 15 prej tyre, një nga ta është edhe oficerja e ardhshme nga Shqipëria.

Komandant gjenerallejtënant, Rrahman Rama kërkoi nga oficerët e ri të ruajnë kodin dhe nderin dhe vlerat e Ushtrisë së Kosovës. Rama duke inkurajuar të diplomuarit që t’i qëndrojnë besnik synimeve, tha se respekti ndaj të tjerëve eliminon çdo frymë paragjykimi.

“Keni për obligim që të ruani dhe kultivoni frymën dhe shpirtin luftarak. Të qëndroni të fortë në themelin e vlerave tona të shenjta: detyra, nderi dhe atdheu. Misioni juaj ishte të bëheni udhëheqës parimor, jo vetëm për ushtrinë, por për të gjitha fushat e jetës. Tani ju keni njohuri të mëdha për të çdo çështje, prandaj nga ju kërkoj dije, disiplinë, punë dhe shërbim ndaj të tjerëve. Kodi, nderi është themeli i punës suaj. E keni detyrim të përjetshëm, të shërbeni me nder, integritet duke bërë gjithmonë gjënë e duhur dhe kurrë askush nuk ju sheh. Respekti ndaj të tjerëve eliminon çdo frymë paragjykimi dhe diskriminimi, prandaj duhet të keni respekt dhe t’i trajtoni tjerët me dinjitet ashtu siç ju dëshironi të ju trajtojnë”, deklaroi ai.

Rama gjatë ceremonisë së diplomimit të oficerëve të ri, theksoi se kanë vizion të zhvillohen duke u bazuar në standardet e NATO-s.

Ai tha se familjarët e oficerëve të ri duhet të jenë krenarë për 15 të diplomuarit.

Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni tha se kadetët e diplomuar sot, për katër vjet janë përballur me stërvitje të vështira dhe kushte klimatike të rënda, duke qëndruar larg familjes dhe jetës civile.

“Unë ju besoj juve që nuk do të lejoni, që në asnjë vend të Kosovës të parakalojnë ushtri të cilat pas vetës lënë shkatërrim dhe mjerim. Ju besoj juve që do të jeni afër çdo qytetari që ka nevojë për ndihmën tuaj, në rast të fatkeqësive natyrore, epidemive. Pa asnjë paragjykim për etnitë, besimet, regjionet e tjera. Unë besoj se ju edhe më shumë do t’i forconi urat e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Turqinë, Kroacinë, Britaninë e Madhe dhe shumë partnerë tjerë strategjik dhe miqtë tanë”, ka deklaruar Quni para familjarëve dhe oficerët e ardhshëm.

Gjeneral brigade, komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Irfete Spahiu tha se kjo ngjarje është më e rëndësishmja në kalendarin e KDS-së. Spahiu shtoi se të jesh kadetë nuk është e lehtë, por që kërkoi të jenë gjithmonë në shërbim të vendit.

“Për ju kadetë të nderuar keni edhe një moto tjetër të cilën e brohorisni në çdo marshim, e vrapim, e ajo është “E ardhmja fillon këtu”. Jo më kot është krijuar kjo moto, pasi këtu në këtë institucion shkollor fillon gjithçka për karrierën tuaj ushtarake. Këtu në këtë institucion ju mësoni të përmbushni detyrat e para, në mënyrë që kur të vini në këtë ditë që jeni sot, të mundeni që të ndryshoni dhe plotësoni, përmbushni dhe zhvilloni Ushtrinë e Kosovës por edhe gjendjen sociale në Kosova. Nga ajo që kam parë deri më tani në programin tuaj katër vjeçar është që të gjithë ju gjërat e para që mësoni në këtë institucion janë respekti dhe bindja. Duke bërë që në javën zero, të përgjigjeni vetëm me po zotëri, ose zonjë, dhe jo zotëri dhe zonjë. Kjo kuptimin e saj që ju të kuptoni që në ushtri nuk ka debate të kota, por zhvillim të mirëfilltë, respekt ushtarak dhe komandim të duhur”, theksoi ajo.

Ajo ka theksuar se kadetët të diplomuar do të jenë pjesë e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për çka tha se duhet të jenë shembull ushtarak.

Nga 15 oficerët e ardhshëm është edhe një nga Shqipëria. Lirza Dollomajës i është ndarë mirënjohje si kadetja më e dalluar.

Ajo tha se që nga ushtria e Arbërit e deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u dëshmua vendosmëria dhe civilizimi. Duke kujtuar stërvitjet e vështira katër vjeçare, ajo tha se në mendjen e secilit oficerë të ri është ngulitur dita e betimit, njohjes dhe diplomimit.

“Sot po bëhem oficerë në ushtrinë e paqes dhe stabilitetit. Ashtu siç na mësuan prindërit, e gjyshërit. Për gjatë katër viteve jo thjeshtë të një shkolle ushtarake, por të një shkolle jete siç është kjo akademi, ne kemi përjetuar sfida dhe momente të bukura. Ku secili prej nesh ka lënë një gjurmë të veçantë këtu. Një shkollë jete ku jo vetëm krenohesh, shpërblehesh apo edhe ndëshkohesh, ky është vendi ku bashkohet çdo trevë, çdo gjini e çdo karakter për të vepruar si një trup i vetëm, për të vetmin qëllim më madhor: mbrojtjen e kombit”, u shpreh ajo.

Dollomaja shprehu besimin e saj që kjo gjeneratë do t’i prij kombit për një të ardhme më të mirë se dje, dhe më të keqe se nesër.

Instruktor i dalluar i kësaj gjenerate është zgjedhur Shpend Hajdini.

PËRGJIGJU