Kujt t’i besojë Kosova?

0

Genc Burimi

Të gjithë e dinë sesi u sakrifikuan “vëllezërit” kurdë, të cilët, nga mburojë e Perëndimit kundër ISIS-it, u shndërruan në plaçkë negociatash gjeostrategjike brenda vetë aleatëve të NATO-s midis turqve, amerikanëve dhe evropianëve. Në politiken ndërkombëtare ka vetëm ‘Real politikë’.

A po merr Kosova si kurdët trajektoren e një plaçke për larje hesapesh brenda kampit perëndimor me në sfond ariun rus dhe dhelprën serbe, që presin pa nxitim momentin më të përshtatshëm, pas një viti, pas një dhjetëvjeçari apo pas një shekulli për të ripushtuar Kosovën?

Në Ballkan filloi Lufta e Parë Botërore, e cila shkaktoi të Dytën. Po në Ballkan, me dosjen katërçipërisht të pazgjidhshme Kosovë-Serbi, qëndron sërish fara e fermentimit të një konflikti të ardhshëm ushtarak në Evropë.

Vjen një moment që gjërat duhen emërtuar me emrat e tyre. Kosova, ashtu si Shqipëria, nëse kjo e fundit e konsideron fatin e saj të lidhur pazgjidhshmërisht me Kosovën, duhet të fillojnë të mendojnë për vetëmbrojtjen e tyre. Koha, nëse e marrim këtë nocion si element strategjik, punon në favor të kampit sllav. Për aq kohë sa do të ketë një bazë ushtarake amerikane në Kosovë, shqiptarët në Ballkan nuk duhet t’i frikohen as edhe një gjëje.

Por, kush do ta mendonte se administrata Trump do të thyente edhe tabunë e fundit, fillimin e transferimit të një pjese të trupave amerikanë nga Gjermania në Poloni, thjesht për t’u hakmarrë ndaj Gjermanisë që guxon dhe sfidon ShBA-të në dosjen e gazsjellësit rus, të Iranit apo ndoshta edhe të Kosovës. Kush do ta mendonte se shprehja e famshme e Kenedit “Ich bin ein Berliner”, gati 60 vjet më vonë do të shndërrohej në gojën e Trumpit, “Gjermania të paguajë ose le të mbrohet vetë”

Kjo katastrofë strategjike që po ndodh në këtë moment në marrëdhëniet ShBA-Gjermani, duhet t’i shërbejë si mësim edhe faktorit shqiptar në Ballkan. Asgjë nuk është e gdhendur në mermer. Amerikanët i kemi sot aleatë më pak të sinqertë sesa realistë. A do të vazhdojë Evropa të jetë prioritet i tyre strategjik, apo, përkundrazi, Evropa po shndërrohet në një rival gjeostrategjik dhe ekonomik të ShBA-ve? A e kanë më fuqinë botërore amerikanët të shpërndajnë forcat e tyre kudo në planet siç e bënin pa sforco kur kishin statusin e xhandarit të botës apo sot prioriteti i tyre është Azia e largët, pikërisht në detin e Kinës Jugore, ku fuqia e re botërore po i sfidon pa asnjë kompleks, duke pushtuar sot institucionet e Hong Kongut dhe nesër Tajvanin? Në atë zonë të largët, ShBA-të janë fillikat vetëm, ndërsa në Evropë, edhe sikur Rusia të sulmojë një ditë, evropianët e kanë një nivel vetëmbrojtjeje para se të thërrisnin në ndihmë amerikanët.

Këto reflektime gjeostrategjike globale të ethshme, të frikshme, të panjohura që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore a janë karakteristike vetëm për administratën Trump, gjë që i bën evropianët të shpresojnë shume te largimi i tij në nëntor, apo është një tendencë e thellë e mendimit strategjik amerikan, pavarësisht administratës në fuqi?

Çfarë ndodhi me Thaçin?

Kjo panoramë e shpejtë çon në një përfundim paraprak: e pamundur të kuptohet në rrethanat aktuale se çfarë ndodhi realisht me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Është e sigurt se operacioni në komunikacion që u ndërmor nga Gjykata për Kosovën në Hagë (pasi realisht nuk qe mandat arresti ndërkombëtar), kishte vetëm një synim, të pengohej takimi i presidentit kosovar në Uashington me homologun e tij serb, nën hyqmin e bujtësit të tyre amerikan. Thuajse tërësia e analistëve në spektrin shqipfolës dhe atë ndërkombëtar, panë në këtë zhvillim dorën e evropianëve. Domethënë, evropianët, kryesisht Gjermania dhe më pak Franca, donin ta sabotonin këtë takim, pikësëpari për ta ruajtur dosjen e Kosovës në kuadrin e një zgjidhjeje evropiane dhe jo amerikane dhe së dyti për të evituar një marrëveshje të papranueshme simbolikisht për gjermanët siç do të ishte formula e shkëmbimit të territoreve si vulëvënëse e paqes midis Serbisë dhe Kosovës. Me sabotimin e përkohshëm të këtij takimi, evropianët fitonin kështu kohë të vyer deri në vitin e ardhshëm për të parë më pas sesi do të rridhnin zgjedhjet presidenciale në ShBA.

Por, mundësia tjetër se kush e sabotoi këtë takim, që mund të ishin ShBA-të vetë, nuk është përmendur nëpër analizat e botuara. Hipoteza mund të ngrihen fare mirë edhe për ShBA-të, siç u ngritën për evropianët. E para mund të jetë kërcënimi rus dhënë amerikanëve. Një kërcënim që dihet që funksionon, sepse ishte telefonata e Putinit ndaj Obamas më 30 gusht 2013, pak orë para se avionët gjuajtës amerikanë dhe francezë të fluturonin për të bombarduar pallatin presidencial sirian me Basharin brenda, i cili e bëri Amerikën e madhe të tërhiqej turpshëm nga ai i operacion, që do ta kishte ndërruar rrjedhën e ngjarjeve në Siri, ku sot Rusia është ulur këmbëkryq. Në rastin e Kosovës, ditët e fundit, një gjë është e mirëditur. Rusia ndërmori një balet diplomatik të pacipë pak ditë para nisjes së Vuçiqit për në Uashington. Gjë që do të thotë se kur Trumpi e imagjinonte të lehte operacionin bindës ndaj Vuçiqit, ose me shkop, ose me karotë, asnjë nga të dyja nuk mund të funksiononte. “Shkopin tregoja kujt të duash, por jo Serbisë sime”, mund të ketë qenë mesazhi i Putinit ndaj amerikanëve në favor të Vuçiqit, siç e bëri dhe në Siri në ndihmë të Basharit. Sa për karotën që Trumpi mund t’i tundte Vuçiqit, “atij mund t’i premtosh ç’të duash, por jo hyrjen e Serbisë në BE, sepse atë e vendosim ne”, mund të ketë qenë në krahun tjetër mesazhi i evropianëve për Trumpin.

Në këto kushte, çfarë vlere do të kishte që administrata amerikane ta mbante takimin Thaçi-Vuçiq? Çfarë mund të vinte në peshore Trumpin për ta çuar Vuçiqin të bënte të pamundurën për një lider serb, aktin e tradhtisë kombëtare për një lider serb, njohjen e Kosovës si shtet i pavarur? Shkëmbimin e territoreve? Por, kjo është pak për Serbinë, ndërkohë që ajo mund të marrë, përveç territoreve në Kosovë, edhe integrimin e menjëhershëm në BE, gjë që nuk e kanë në dorë ShBA-të. Nëse mbahet parasysh kjo hipotezë dhe nëse amerikanëve u duhej një alibi e përshtatshme që të mos mbahej ky takim që vetvetiu do të dështonte, atëherë është një lojë fëmijësh për amerikanët që t’i thoshin prokurorit amerikan në Hagë të bënte publike komunikatën ndaj Thaçit, pa pasur fare nevojë për “sabotimin” e evropianëve apo të Gjermanisë në veçanti. Nëse amerikanët donin t’i shkonin deri në fund takimit, të mos jemi naivë, ata nuk pyesnin për një komunikatë pa pikë vlere juridike. Ajo komunikatë i beri punë Uashingtonit dhe jo i prishi punë.

Me Serbinë “kërbaçi” nuk funksionon

Ç’do të ndodhë mbrapa? Dosja e Kosovës, duke rënë peng e mosmarrëveshjeve brenda aleatëve perëndimore, mosmarrëveshjeve që e tejkalojnë gjerësisht kuadrin e Kosovës, do të rivihet në rend të ditës kur sinkronizimi diplomatik të rivendoset në të dyja anët e Atlantikut. Gjatë kësaj kohe, Vuçiqi e Putini buzëqeshin, si në atë shprehjen ‘ju mirëpresim kur të jeni prapë gati’. Serbia nuk është fare e nxituar. Për aq kohë sa ajo “e mban” në Kushtetutë Kosovën si territor të saj, kjo është një deklaratë lufte ndaj Kosovës pa limit kohor. Serbia u tregon amerikanëve dhe perëndimorëve se politikën e “kërbaçit” ta harrojnë. Ajo nuk e nxjerr Kosovën nga Kushtetuta e saj, asgjë nuk e detyron legalisht dhe plus që ka forcën ushtarake ruse me vete. Domethënë, në planin e shantazhit asgjë nuk e tremb Serbinë. Përkundrazi, nëse perëndimorët kanë një monedhë shkëmbimi me vlerë të jashtëzakonshme për t’i propozuar Serbisë, pse jo, u thotë me cinizëm Beogradi ulemi dhe bëjmë pazar. Deri tani mendohej se integrimi evropian i Serbisë do të ishte elementi mbi 50% i këtij pazari. Por, që nga (ri)fitorja e fundit e Presidentit serb në zgjedhje nuk është më e sigurt se integrimi sade i pëlqen më Vuçiqit. Të hysh në Evropë, do të thotë të transformohesh në një vend demokratik me një shtet të drejtë real dhe jo formal.

Por, demokracia është armike dhe jo objektiv për Vuçiqin. Ashtu si dhe për Putinin, demokracia nuk i garanton pushtet. Vuçiqi fitoi pikërisht sepse mbyti opozitën dhe mediat e lira. Atëherë, çka i duhet një personazhi të tillë integrimi evropian? Por, nga ana tjetër, paratë e evropianëve i interesojnë jashtëzakonisht shumë liderit serb. Por, dhe këtë ngërç, presidenti serb po e zgjidh fare lehtë pa u detyruar të bëjë lëshime mbi Kosovën. Kjo falë formulës së re franceze për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë, që dashje pa dashje do t’u shërbejë interesave personale politike të Vuçiqit dhe Ramës.

Procesi i ri i integrimit sipas modelit francez, që po u imponohet evropianëve, është ky: i fusim vendet e Ballkanit Perëndimor në negociata integrimi pa fund dhe pa garanci integrimi, por njëkohësisht ua zgjidhim qesen që tani (aksesi në të famshmet fonde strukturore evropiane) pa pritur që këto vende të bëhen anëtare. Nëse ky model realizohet për Shqipërinë dhe Maqedoninë në vjeshtë, ndërkohë që Serbia dhe Mali i Zi nuk janë të detyruara ta pranojnë këtë formulë meqenëse i kanë hapur tashmë negociatat, është për të vënë bast që dhe Serbia do të thotë se i pëlqen edhe asaj modeli i ri për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Domethënë, fonde evropiane pa garanci integrimi (modeli francez) në vend të garancisë për integrim pa fonde evropiane që është modeli aktual, në të cilin ndodhen Serbia dhe Mal i Zi.

Dhe, ja sesi Vuçiqi do të fitojë atë që shpreson. Ta mbajë gjithmonë juridikisht Kosovën në Kushtetutën e Serbisë, të mos e integrojë vendin e tij në BE që të vazhdojë në rruge jodemokratike dhe njëkohësisht të mjelë lopën Evropë për aq kohë sa kjo e fundit ka qumësht për të dhënë. Dhe, ditën kur BE-ja nuk do të ekzistojë më, ditën kur ShBA-të të preokupuara nga Kina në Azinë e largët do ta kenë braktisur Evropën në hallet e saj, atë ditë Serbia do të përgatisë me kushërinjtë e saj rusë ushtritë drejt Kosovës, për të marrë atë që ajo konsideron se i takon në shekuj. Ekzakt si skenari i 1914-ës që konsiderohej i pamundur, por që ndodhi, kur Serbia lilipute, falë vëllait të saj rus, mori guximin të mobilizohej ushtarakisht kundër perandorisë më të madhe të asaj epoke që nga Perandoria Romake, kundër Austro-Hungarisë.

Konkluzion: për të siguruar paqen, përgatit luftën

Në këtë shkrim ka shume supozime. Por, një gjë është e sigurt si dita me diell, që nga intervista e fundit e kancelares Merkel në prelud të presidencës gjashtëmujore gjermane të BE-së. BE dhe ShBA nuk mund të konsiderohen këtej e tutje (të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme amerikane) si aleate të lidhura si mishi me kockën me njëra-tjetrën, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Inati i Amerikës së Trumpit është pa fund tani që Gjermania po fut gazin rus në Evropë (si mund të mbrojë Amerika një aleat që pasuron armikun e Amerikës), inat i shumëfishuar nga negociatat tregtare midis Evropës dhe Kinës, një tjetër fuqi armike e Trumpit, apo inati dhe nga poshtërimi që Merkel i bëri Trumpit duke bojkotuar samitin e fundit të G7-ës në Camp David. Qartazi, interesat globale të ShBA-së dhe të evropianëve po divergjojnë nëse merret parasysh edhe dosja e tretë e nxehtë (përtej Rusisë dhe Kinës), ajo e Iranit.

Procesi i hakmarrjes reciproke ka filluar. Hakmarrje amerikane që fillon me transferimin e një pjese të trupave amerikane nga Gjermania në Poloni, për t’i futur evropianët në sherr me veten e tyre dhe që mund të përfundojë me krijimin e një vullkani në Ballkan për të parë se sa fuqi do kenë evropianët për ta shuar pa ShB-Anë. Kosova ushtarakisht varet nga ShBA-ja, ndërsa në jetën e përditshme “civile” varet nga evropianët (vizat, integrimi, ndihma ekonomike). Merkel e ka tani një plan për Gjermaninë dhe Evropën, përballë kësaj Amerike që po del nga binaret: të bashkojë evropianët. Bashkimi bën fuqinë, sidomos bashkimi rreth Gjermanisë së pasur. Kurrë më parë nuk e kishim dëgjuar zonjën Merkel aq pro evropiane, sesa te kjo intervistë e së shtunës se kaluar. Ajo është tani gati t’u japë edhe Italisë e Spanjës jo koronabondet që këto vende i lypnin me dorë në zemër, por subvencione puro. E paimagjinueshme dy muaj më parë. Do ecë apo nuk do ecë plani gjerman për forcimin e kohezionit të evropianëve ndaj Amerikës, që po i tradhton në një botë plot rreziqe, këtë e ardhmja do ta tregojë. Por, ama, një shtet i përgjegjshëm tenton diçka, nuk rri duarkryq.

Po shqiptarët, sidomos ata të Kosovës, të cilëve u kanoset rreziku më i madh që mund t’i kanoset një shteti në botë, një sulm ushtarak një ditë nga një fuqi rajonale dhe nga një tjetër botërore (Serbi e Rusi), çfarë mendimi strategjik kanë për veten e tyre, për të ardhmen, për vitet dhe dekadat e ardhshme? Kosova është sot Izraeli i Ballkanit, një vend që fqinjët nuk e njohin (Serbi, Rumani, Greqi). Ashtu si Izraeli që ishte dhe është pafundësisht më i vogël në territor dhe popullatë ndaj fqinjëve arabë, që kërkonin dhe kërkojnë t’i bëjnë varrin dhe Kosova në këtë pozitë si Davidi me Goliatin është ndaj dyshes Serbi-Rusi. Që nga krijimi i tij, Izraeli ka besuar vetëm te një gjë, te forca e tij për t’u vetëmbrojtur, ndonëse vend i vogël. Aleancat të mbrojnë për njëfarë kohe, por jo në shekuj. Kosova duhet të fillojë të investojë për mbrojtjen e saj e t’u tregojë të gjithëve, serbëve dhe rusëve, amerikanëve dhe evropianëve se pavarësia e saj e fituar me gjak nuk negociohet, por ruhet deri në piken e fundit të gjakut.

Shqiptarët kanë qenë në histori plaçkë tregu e plaçkë luftërash, le të marrim një herë në histori në dorë fatet tona. Këtë duhet të meditojnë Hashim Thaçi dhe Albin Kurti, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Jemi shqiptarë, jemi të pakët, jemi të vetëm, para se të jemi opozitarë

PËRGJIGJU