Ismajli: Kam kërkuar që të mos shpallet gjendja e jashtëzakonshme

0

 

Pas përfundimit të takimit virtual të kryeministrit Avdullah Hoti me krerët e komunave të Kosovës ku shumica ishin pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ka reaguar nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

Ismajli thotë se ka bërë kërkesën që të mos shpallet gjendja e jashtëzakonshme për shkak të implikimeve të mëdha, siç i ka quajtur ai socio-ekonomike në vend.

“Përgjatë takimit të sotëm virtual me kryeministrin e Republikës, Dr. Avdullah Hoti, bashkëbiseduam lidhur me situatën e krijuar në vend. Kam bërë kërkesën imediate që të mos shpallet gjendje e jashtëzakonshme, për shkak të implikimeve të mëdha socio-ekonomike në vjeshtën e vonshme, si në biznese, po ashtu, edhe tek qytetarët, sepse ne si vend edhe ashtu jem në një gjendje të rënduar ekonomike”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, Ismajli thotë se kërkesën e bizneseve ia ka përcjellë Hotit për mos kufizimin e orarit të operimit.

Ismajli thotë se kjo kërkesë është marrë në konsideratë.

“Z. Hoti, e kam lutur dhe i kam përcjellë kërkesën e bizneseve tona, që të mos iu kufizohet orari i operimit, për shkak të rrezikut të mbylljes së tyre, por të monitorohen vazhdimisht lidhur me respektimin e kushteve të vëna nga IKSHP dhe Ministria e Shëndetësisë. E mira e gjithë kësaj, është se z. Hoti e ka marrë në konsideratë shqetësimin tonë dhe garantoi që do të gjejë modalitete për ta tejkaluar edhe këtë brengë”, ka deklaruar ai duke thënë më tej se ka kërkuar që të rriten kapacitetet në shëndetësi dhe rritjen e numrit të inspektorëve sanitarë.

PËRGJIGJU