Balzaku dhe kritikja anonime

0

 

Nga: Emily Temple
Përktheu: Granit Zela

Në mars të vitit 1832 Balzaku (Honore de Balzac) mori një letër në adresën e tij në Paris. Vula e postës lexonte Odesa, asokohe një qytet shumë i largët në Ukrainë, por s’kishte asnjë adresë kthimi. E hapi, natyrisht, dhe brenda ishte një kritikë për romanin e tij më të fundit, “Lëkura e shagrenit”. Vetë letra ka humbur me kohë, “për fat të keq”, shkruan biografi i Balzakut, Graham Robb, “pasi është e lehtë ta quash letrën më të rëndësishme që Balzaku ka marrë ndonjëherë”. Por, nga përgjigjja e Balzakut mund të nxirret përfundimi se letra përqeshte “cinizmin dhe ateizmin” e romanit të tij të fundit dhe mënyrën si trajtoheshin gratë, të cilat ishin “portretizuar si monstra të liga”. Letra e nxiste “të kthehej tek idetë më të larta të Skena nga jeta private me viktimat e tyre engjëllore” (Letra ishte nënshkruar thjesht “E huaja”).

I prekur, i intriguar e i impresionuar dhe siç thekson Robbi, shumë i ndjeshëm në lidhje me akuzat se ishte jofetar, Balzaku nxori një reklamë të koduar në një gazetë, “Gazette de France”, duke shpresuar se mund të lexohej nga kritikja e tij anonime. Numri i 4 prillit të atij viti botoi mesazhin e tij të fshehtë: “M. de B. e ka marrë letrën që iu dërgua më 28 shkurt. Ai shpreh keqardhje që mundësia e përgjigjes nuk i është dhënë dhe megjithëse dëshirat e tij nuk janë të një natyre që i lejon të botohen këtu, shpreson që të paktën heshtja e tij të kuptohet.”

Nuk është e qartë nëse autorja e letrave e ka parë ndonjëherë këtë mesazh, por ajo i shkroi përsëri Balzakut. Emri i saj ishte Ewelina (Eveline) Hańska, konteshë polake, admiruese e veprave të shkrimtarit dhe e martuar me një burrë shumë të moshuar. Rridhte nga një familje që e vlerësonte letërsinë; motra e saj Karolina ishte mësuese e Pushkinit, por, në fund të fundit, edhe ajo ishte admiruese e madhe e Balzakut. Ishte admiruese e veçantë e mënyrës si ai i portretizonte gratë deri te “Lëkura e shagrenit”, natyrisht. Por, duke qenë një grua fisnike, e arsimuar, vendosi të bënte diçka për ta ndryshuar këtë lloj portretizimi dhe kështu u bë “E huaja”.

“E huaja” i shkroi Balzakut përsëri në maj dhe shumë herë atë vit. Madamë Hańska siguroi një korrier privat në mënyrë që t’i shkruanin drejtpërdrejt njëri-tjetrit, por Balzaku ishte gjithashtu i detyruar të shkruante “letra qesharake” që të dukej sikur letërkëmbimi ishte me një mike të familjes. Në fillim të letërkëmbimit Balzaku u marros pas saj. Filloi të fantazonte për këtë princeshë misterioze. I shkroi:

“Po galopoj nëpër hapësirë dhe po fluturoj drejt asaj toke të panjohur në të cilën ti, E huaj, jeton, e vetmja qenie e racës sate. Ju kam imagjinuar si një nga pasardhëset e pandryshueshme dhe të pakënaqura të një populli që u copëtua dhe u shpërnda anembanë kësaj toke, mbase i internuar nga parajsa, por secili me gjuhën dhe ndjenjat e veçanta të racës dhe krejt ndryshe nga ato të njerëzve të tjerë”.

Ajo ia ktheu me të njëjtin stil:

“Shpirti yt përqafon shekuj, Monsieur; konceptet e tua filozofike duket se janë fryt i studimit të gjatë, të pjekura nga koha; megjithatë, më është thënë që ju jeni akoma i ri. Do të doja t’ju njihja, por ndiej se nuk kam nevojë ta bëj këtë. Ju njoh me anë të instinktit tim shpirtëror; ju përfytyroj në mënyrën time dhe mendoj se, nëse do të më dilnit para syve, do të bërtisja: ‘Ky është ai!’ Pamja juaj e jashtme ndoshta nuk zbulon imagjinatën tuaj të shkëlqyeshme; duhet të trazohesh, zjarri i shenjtë i gjenialitetit tuaj duhet të ndizet, nëse dëshiron të shfaqesh ashtu siç je në të vërtetë, dhe ju jeni ajo që unë mendoj se jeni, një njeri sipëror në njohurinë e tij për zemrën e njeriut”.

Vazhduan të shkëmbenin letra dashurie, pa rënë në sy. Dalëngadalë mësuan më shumë për njëri-tjetrin dhe megjithëse për një kohë të gjatë ajo protestoi se s’duhet të takoheshin kurrë, kur ajo vajti në Francë me të shoqin në shtator të atij viti, s’mundi ta përmbante veten. E lanë të takohen në Besançon, në një shëtitore me pamje nga liqeni. Asnjëri s’u zhgënjye. Sipas Robbit, Balzaku më vonë do të thoshte se ai “u lind në shtator 1833” dhe do të shkruante: “Të gjitha pasionet e mia të tjera kishin pritur këtë ditë.”

Marrëdhënia e tyre vazhdoi, në largësi, derisa bashkëshorti i Madame Hańskas vdiq më 1841. Edhe atëherë gjërat nuk ishin të thjeshta, por më 14 mars 1850, më në fund, u martuan. Lumturia e tyre ishte jetëshkurtër: Balzaku do të vdiste në gusht të atij viti. Por, prapëseprapë, morali është i qartë: shkruajini autorit tuaj të parapëlqyer. Asnjëherë nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. /Gazeta “ExLibris”/

PËRGJIGJU