Saturday, August 15, 2020
Shqiptarët në Preshevë kanë frikë të trajtohen në spitalet e Serbisë

Shqiptarët në Preshevë kanë frikë të trajtohen në spitalet e Serbisë

0

 

Komuna e Preshevës që nga e hëna ka shpallur situatë të jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së shpejtë të koronavirusit në këtë qytet.

Frika për t’u trajtuar në ndonjërin prej spitaleve në Serbi qoftë në Vranjë, Surdulicë apo Nish si dhe mungesa e vetëdijesimit se ekziston koronavirusi, ka bërë që qytetarët e Komunës së Preshevës edhe ta fshehin që janë të prekur nga ky virus, shkruan lajmi.net.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës, Driton Salihu, ka thënë për lajmi.net, se aktualisht janë gjashtë persona të prekur me koronavirus të cilët janë konfirmuar në bazë të testit PCR.

“Të konfirmuar me PCR test janë 6 dhe ata vetëm se janë të shtrirë në spital dhe tjerëve që ua kemi bërë testin kanë dalë negativ”, është shprehu Salihu.

Ai ka thënë se ditëve të fundit është shtuar dukshëm fluksi i pacientëve dhe e gjithë kjo ka ndodhur që pas hapjes së kufijve.

“Për dallim prej muajit mars dhe prill kur kemi pasur shumë një numër të vogël të pacientëve në fillim ka qenë si një misteri kjo sëmundje si gjithkund dhe nuk kemi pasur pacientë thuajse hiq as të dyshuar e as të infektuar. Mirëpo tash këtë muajin e fundit me lirimin e masave, hapjen e kufijve, sepse Presheva kufizohet me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën dhe kontakte me Vranjë e Nish nuk kemi pasur. Do me thënë ne kemi qenë në njëfarë mënyre natyralisht të izoluar me mbylljen e kufijve dhe nuk ka pasur kontakte. Në Bujanoc ka më shumë serbë dhe ata kanë pasur më shumë kontakte dhe aty këtu ka pasur ndonjë rast mirëpo ne s’kemi pasur dhe COVID Ambulancën e kemi hapur qysh në muajin mars. Mirëpo nuk janë paraqitur pacientë dhe nuk kemi pasur raste. Kanë ardhur me temperaturë dhe janë paraqitur në emergjencë mirëpo nuk ka pasur me ndonjë simptomë të dyshuar mirëpo kohën e fundit është rritur goxha shumë numri”, tregoi ai.

Tutje ai ka treguar se në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë bëhen teste serologjike (të shpejta) mirëpo këto teste nuk janë determinuese.

“Pacientët që po paraqiten ne po ua bëjmë testet e shpejta që të gjithëve mirëpo këto (teste) nuk po janë determinues se a është pozitiv apo jo, faktikisht tregojnë vetëm nëse e ke pasur para një kohe apo jo. Mirëpo pacientët po vijnë me temperaturë të lartë dhe vetë simptomat e tyre po tregojnë që mund të jenë të infektuar. Ne testet e shpejta ia bëjmë secilit pacientë dhe e kemi të obliguar një gjë të tillë edhe ia bëjmë rëntgenin e mushkërive, matjen e temperaturës edhe analizat e gjakut do të thotë pasqyrën e gjakut ia bëjmë secilit pacientë. 18 pacientë kanë qenë me simptoma febrile, ku 8 prej tyre me test të shpejtë kanë dalë pozitivë, 7 kanë dalë negativë dhe dy me gjendje pak më të rëndë të pneumonisë i kemi dërguar në spitalin e Vranjës dhe një në Nish”, ka thënë Salihu për lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se për ta ndalur fluksin e pacientëve edhe Banja e Bujanocit është shndërruar në një spital të improvizuar mirëpo siç theksoi Salihu, mungon shumë vetëdijesimi i qytetarëve që ekziston koronavirusi, por në të njëjtën kohë siç theksoi Salihu mbizotëron edhe frika për të shkuar për të marrë trajtim në ndonjë spital të Serbisë.

Salihu thotë se në jug të Serbisë situata me koronavirus është më e rënduar dhe në këtë mënyrë edhe spitalet janë të stërmbushur.

“Ne kemi mbajtur një takim me drejtoreshën e ambulancës së Bujanocit edhe në konsultim që përkohësisht ta bëjmë një lloj spitali për pacientët me simptoma të lehta. Pak vetëdijesimi i qytetarëve po është problem sepse po janë një numër i madh i pacientëve që ende s’po besojnë që po ndodh kjo edhe po kemi problem. I vetmi qytet që e ka problemin që pacientët nuk po paraqitën, ne e kemi problemin që pacientët po shkojnë privat. Ato (ordinancat private) po i sorollatin pacientët po i mbajnë nga 5-6 ditë dhe kur po vijnë në një situatë pak më të rënduar po paraqiten tek ne, do me thënë vetëm në atë fazën e pneumonisë bilaterale, do me thënë i kanë marrë mushkëritë ndezje. Edhe ne ata pacientë po i dërgojmë në Spitalin e Vranjës apo ku po ka vende të lira sepse në jug të Serbisë spitalet janë stërmbushur edhe pacientët po i dërgojmë në Surdolicë ose në Nish. Mirëpo te pacientët tanë përveç frikës nga sëmundja është frika edhe të shkojnë e të marrin trajtim në spital në Vranjë. Shumica e pacientëve në konsulta me mjekun e koronavirusit e vendos në bazë të gjendjes simptomatike se ku me shkua pacienti sepse jo të gjithë janë për trajtim për spital mirëpo ka pacientë që janë me simptoma pak më të lehta dhe me terapi ose ampulare ose orale në përcjellje e kalojnë këtu mirëpo, ata që janë në gjendje pak më të rëndë po hezitojnë që të shkojnë nëpër spitale. Vetëm kur po vjen situata që nuk ka se ku të shkoj më. Mirëpo ekziston ajo frika që edhe me fsheh sëmundjen edhe me u frikësua me shkua në spital”, tregoi Salihu për lajmi.net.

Përveç mungesës së vetëdijesimit, Salihu thotë se edhe rezultatet e testit PCR vonohen deri në 10 ditë dhe kjo bën që qytetarët që e bëjnë këtë test të mos vetizolohen por dalin lirshëm dhe e fshehin nga të tjerët.

PËRGJIGJU