Mos më ngacmo, mushkonjë!

0

Agron Shala

(Parathënia e monodramës “Vrasja e mushkonjës”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, Prishtinë, 2020)

Vrasja e mushkonjës është monodramë poetike. Dikush mund të thotë se me Henrik Ibsenin, që nga fundi i shekullit XIX, vargu poetik u bë teatër i tejkaluar. Por, të tejkaluar kurrë nuk do të jenë emrat e njohur të dramaturgjisë botërore si Eskili, Sofokliu, Shakespeare, Racine… madje as Ibseni që ka thënë se skena është veç për artin dramatik dhe deklamimi nuk është art dramatik. Me këto fjalë që ia thotë një aktoreje, u thyen konceptet e dikurshme se dramat serioze shkruhen në vargje e se komeditë shkruhen në formën prozaike. Por, veprat e tij deri te Peer Gynti, që janë shkruar në vargje, kanë bërë që kritiku i teatrit, Richard Hornby, ta cilësojë Ibsenin si një dramaturg poetik – më të mirin që nga Shakespearei. Sepse, sado që mund të duken forma të ndryshme arti, teatri ka nevojë për ndjesinë poetike siç për të ka nevojë muzika, fotografia, filmi, koreografia… madje edhe matematika. Pastaj, artet ndërthuren, ndaj poezinë e gjen kudo tek e bukura – si dëshmi të estetikës, si dëshmi të jetës (Leonard Cohen).

Dikush tjetër mund të thotë se monodrama është tekst i vështirë për t’u vënë në skenë, mbi të gjitha nëse është i shkruar në vargje. Por, janë plot tituj modernë – si Die Hamletmaschine (HamletMakina nga Heiner Mueller) apo Die Zeit und das Zimmer (Koha dhe oda nga Botho Straus) – që janë më të vështirë për inskenim. Këtë të fundit pati dije dhe guxim ta inskenojë, p. sh., i madhi Ingmar Bergman. Prandaj, në rastin shqiptar problemin duhet kërkuar tek aktorët dhe regjisorët trima deri në marrëzi; tek të gjithë ata që dinë të lexojnë shkronjat dhe fjalët, por jo edhe kuptimin. Në këtë aspekt ia vlen të ceken pikëpamjet e regjisorit të njohur të filmit Andrei Tarkovsky (poetit të madh të kinematografisë, për të cilin kinemaja autor – regjisori i cili krijon botën e tij, pa riprodhuar realitetin rreth tij – është e përbërë nga poetët). Për Hamletin e Shakespeareit ai ka deklaruar se nuk ka nevojë për interpretim, se veç është e nevojshme ta lexosh atë që Shakespearei e ka thënë. E përderisa Shakespearei ka folur për problemet absolutisht të përjetshme, të cilat gjithmonë kanë rëndësi, Hamleti në çdo kohë mund të vihet në skenë. Por, Tarkovskyt nuk i pëlqenin inskenimet që i janë bërë, qoftë në film apo në teatër, madje edhe ato të regjisorëve të njohur – si Grigori Kozintsev, Laurence Olivier apo Peter Brooke – për të cilët ka thënë se nuk kanë ditur ta lexojnë këtë vepër të madhe të dramaturgjisë botërore!

Vrasja e mushkonjës duhet lexuar sepse është vepër e Xhevdet Bajrajt – një prej poetëve tanë më të çmuar e më të veçantë. Por, si vepër e dedikuar për skenën, duhet lexuar tamam mirë, duke i bërë edhe një analizë jetës dhe veprës së autorit: një rokeri të hershëm, me flokë të gjata, që vishte këpucë ushtrie, xhinse dhe vietnamkë, e që me vëllanë e vet, Fadilin, ishte një nga koleksionistët e parë e ndër më të mëdhenjtë shqiptarë – jo vetëm në Kosovë – të disqeve të muzikës rok. Pra, i theu shabllonet që imponoheshin nga rrethi dhe nga ajo që sistemi komunist kërkonte, duke zgjedhur të jetonte sipas asaj që besonte.

Rokerët janë ëndërrimtarë. Ata akoma besojnë në një revolucion shpirtëror që do t’i zhdukte ndasitë mes njerëzve. Por, teksa e proklamojnë lirinë, paqen dhe dashurinë, janë edhe kritikët më të mëdhenj të së keqes, në cilëndo shoqëri qoftë ajo. Në këtë aspekt duhet parë Bajrajn e poezinë e tij – si homazh për të mirën e të bukurën, dhe si reagim ndaj çdo padrejtësie (me të gjallët e me të vdekurit). Prandaj, kur i ke parasysh këto, te Burri – karakteri i monodramës së tij – menjëherë vërehet një rebel. Ai nuk përshkruhet me fotografi, por imazhet për të dhe për botën e tij dalin nga vargjet e Bajrajt. Kështu, tek ai shihet Pinku (personifikimi i rokerit tragjik Syd Barret, te filmi The Wall/Muri) apo Henry Chinaski (alter egoja e Charles Bukowskit në filmin Barfly/Pijaneci); shihet fatkeqësia e artistit dhe artisti bohem; shihen artistët e guximshëm që assesi nuk bëjnë kompromise; shihen rolet mjeshtërore të bëra nga Bob Geldof dhe nga Mickey Rourke; shihet një rok-operë dhe një dramë… shihen sharlatanët tanë të artit skenikë dhe një dëshirë e madhe për të pasur sa më shumë idealistë e regjisorë si Alan Parker dhe Barbet Schroeder.

Xhevdet Bajraj ka vite që jeton në Meksiko Siti. Është profesor i Letërsisë dhe i Shkrimit Kreativ në Universitetin Autonom të Meksiko Sitit – një prej qyteteve më të mëdha në botë dhe më i vizituari në Amerikën Latine. Në fakt, Meksika gjendet çdo vit në listën e 30 shteteve më të vizituara në glob. Një nga vizitorët e shpeshtë të shtetit dhe qytetit ku jeton Bajraj, është Robby Krieger – kitaristi i rok-grupit legjendar poetik, The Doors. Gjatë një vizite të tij në Meksikë, në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, teksa e dëgjonte një këngë të interpretuar prej tre mariaçëve, që flisnin diçka për mushkonjat, Krieger merr frymëzimin për këngën eklektike The Mosquito (Mushkonja). Kënga ka veç tri vargje të shkurtra, ku kryesori është: Mos më ngacmo, mushkonjë. Ky varg e zbërthen bezdisjen që shkaktojnë mushkonjat në një vend me klimë subtropikale. Por, edhe natyrën e së keqes që këmbëngul në diçka, pa çka që irritohet apo lëndohet tjetri.

Në Meksiko Siti u shkrua edhe monodrama e Bajrajt, por ky frymëzim vjen nga mushkonjat 11 mijë kilometra larg: nga ato të Kosovës (apo të Shqipërisë), që nuk i lënë të qetë shqiptarët e drejtë, shumicën, kudo ku janë ata. Prandaj, Vrasja e mushkonjës është një lloj proteste, me mesazhe dhe mendime që tejkalojnë kufijtë gjeografikë të shqiptarit të Ballkanit. Sepse, mushkonjat janë të njëjtat kudo: krijesa të vogla, fort të shëmtuara, që bartin viruse dhe parazitë nga njëri tek tjetri; janë krijesat më vdekjeprurëse dhe më gjakpirëse në Tokë, që thithin tri herë më shumë lëngje se pesha që kanë…

Po çfarë u bënë shqiptarëve “mushkonja” e Bajrajt?

Teksti dramatik nga shumëkush shihet si tekst i hapur, pra se përfundimin e jep regjisori. Kjo është e arsyeja se pse, p. sh., ekzistojnë shumë interpretime të Hamletit. E njëjta mund të vlejë edhe për Vrasjen e mushkonjës, ku Burri është një anti-hero, heroizmi i vetëm i të cilit duket se është “shpëtimi” i verës e i rakisë së Rahovecit nga ngujimi në shishe – si një mekanizëm mbrojtës dhe si reagim ndaj realitetit të keq që ka kaptuar vendin e tij. Ai nuk vepron, por as nuk rri i heshtur e as nuk bëhet aleat i së keqes dhe i të keqit. E jeton jetën siç do vetë. Flet dhe rrëfehet. Për hallet e të vërtetën. E kush i shpreh këto më mirë se një i dehur? Sidomos ai që i përmbush tre “eliksiret” e Charles Baudelaireit për dehje (si një kthim në normalitet në një shoqëri të vlerave inverse): Me verë, me poezi apo virtyt, si të duash. Por, dehu!

Kështu, Vrasja e mushkonjës mund të perceptohet si një rrëfim për konfuzionin në shoqëri (Nuk e di nëse unë jam duke qëndruar kokëposhtë/ apo bota është përmbys), për mungesën e vetëbesimit (Zot i asgjësë dhe më shumë se kaq/ jam vetë asgjëja), për mungesën e shpresës (me barkun plot dhe shpirtin bosh/ e ndërsa koha ikën duke ia vjedhur ditët/ ardhmërisë), për kërcënimin nga pushteti autoritar (që ua ledhatonte flokët fëmijëve/ edhe pse mund t’i vriste që të gjithë), dhembjen (vaji i pëllumbeshës nënë/ kur e sheh djalin e saj/ me fluturimin e ngecur në fyt), zhgënjimin nga politika dhe nga partitë (qofshin pozitë apo opozitë/ janë mut i njëjtë… partitë kryesore kanë rënë dakord/ për të mos njohur vullnetin e popullit), për injorancën (Se duke lexuar mbeturina duke ngrënë mbeturina/ jemi shndërruar në mbeturina), njerëzit me maska (me role të njëjta/ në të njëjtin teatër/ vetëm maskat do të jenë të ndryshme)… Aty shihet edhe dhembja për Atdheun pa dashuri, përplot tradhti e gënjeshtra; me mashtrues kudo – nëpër organizatat joqeveritare, tek “përfaqësuesit” e Perëndisë në Tokë, nëpër institucione, nëpër rrugë, në shtëpi…

Te Vrasja e mushkonjës shihet frika për fatin e poetit, sepse sa herë që shteti rrëshqet e sundohet nga politikanët që vuajnë nga kulti i personalitetit, atëherë ndodhë ajo që ka parashikuar poetja Lenore Kandel: Kur një shoqëri fillon të ketë frikë nga poetët e vet, kjo do të thotë se ka frikë nga vetja! Në rastin e tillë rrezikohet e bukura dhe secili artist, meqë mund ta ketë fatin e poetëve që përmendën në monodramë – viktima të regjimit totalitar komunist në Bashkimin Sovjetik: Daniil Kharms e luajti rolin e të çmendurit për të mbijetuar, por vdesë nga uria në Sanatorium gjatë rrethimit të Leningradit; Osip Mandelstam u internua dhe vdiq nga uria në gulag; Vladimir Mayakovsky, Sergei Yesenin dhe Marina Tsvetaeva bënë vetëvrasje; e Anna Akhmatova, pas shumë e shumë vuajtjeve, dha shpirt nga zemra e plastë.

Meqë Poezia është më afër të vërtetës jetike se historia (Platoni), monodrama e Bajrajt e pasqyron kohën kur u shkrua. Por, fatkeqësisht, është aktuale edhe sot. Sepse, mushkonjat dhe të ligat e tyre akoma janë mes nesh! Një e keqe, një mushkonjë. Një mushkonjë me shokë shumë. Luftë kjo e pamundshme për një njeri.

Por…

Njëherë e një kohë, një luan nuk u soll mirë me mushkonjën. Mushkonja hakmarrëse i thirri miqtë e vet e me ta i turret luanit. Mbreti i shtazëve ikën i frikësuar. Teksa lutet për jetë, bie turpshëm në ujë. Ndërkohë, mushkonja e lumtur, por e ekzaltuar nga fitorja, bie papritmas në rrjetën e merimangës! Morali i kësaj përralle indiane është: mos i nënvlerëso gjërat e vogla e as mos e hup mendjen me fitoret e mëdha!

Deri atëherë, pra kur mushkonja prijatare do të bie në rrjetën e merimangës, ti rri i dehur (normal), jeto siç ndien (si roker) dhe hakmerru (injoro, si Burri në fund të monodramës). Por, vazhdo të shpresosh si ai poeti që thoshte në një gazetë: Pasi që jemi të rrethuar me errësirë/ unë e kafshoj atë dhe pastaj dhiej dritë/ natyrisht/ dritë e arsyes!

Për fund, vlen të ceket edhe diçka për vargun e bardhë, pa rimë e pa masë të rrokjeve me të cilën identifikohet poezia e Xhevdet Bajrajt. Në një debat për dramaturgjinë në vargje, kritikja e teatrit, Lyn Gardner, ka thënë së voni se vargu i bardhë është i lehtë për veshin dhe mrekullisht modern. Vrasja e mushkonjës është vepër e tillë. Prandaj, lexojeni!

PËRGJIGJU