Strakosha u përgjigjet kritikëve: E thjeshtë të gjykosh gabimet nga TV

0

 

Thomas Strakosha u përgjigjet të gjithë kritikëve pas fitores së thellë me shifrat 1-5 që arriti Lazio në transfertën ndaj Veronës në javën e 36-të të Serie A. 

Portieri i kombëtares shqiptare thumboi ata persona që e kanë kritikuar për gabimet e tij në fushë duke e parë nga televizori apo nga celulari. Strakosha është i kënaqur me paraqitjet e tij në aspektin personal gjatë kësaj periudhe dhe sidomos me ato të Lazios që arriti të sigurojë edhe matematikisht kualifikimin në Champions League.

“Lazio e meritoi fitoren duke luajtur shumë mirë. Më vjen keq që pësuam gol, sipas meje as penalltia e Veronës nuk ishte. Ia krijuam vështirësitë vetes. Pas kualifikimit në Ligën e Kampioneve kemi qenë më të qetë mendërisht dhe u pa edhe ndaj Veronës kur fituam me një rezultat kaq të thellë që mungonte prej shumë kohësh. Kritikat nuk i dëgjoj, nuk më interesojnë. Trajnerët më thonë gjithmonë kur gaboj dhe unë dëgjoj vetëm ata. E di se ku duhet të përmirësohem. Është e thjeshtë të kritikosh para televizorit apo një celulari. Do të dëshironin që të ishin në vendin tim. Unë jam shumë i lumtur që jam këtu te Lazio dhe mundohem që të mos humbas kurrë përqendrimin deri në minutën e 95-të. Unë jam i lumtur, futbolli është jeta ime. E di se kur paraqitem mirë dhe kur jo”, tha Strakosha.

PËRGJIGJU