Mustafa: E pakuptimtë të vonohet tre muaj Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike, pas rishikimit të buxhetit

0

 

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike Kosovës dhe profesori universitar i shkencave ekonomike, Muhamet Mustafa ka thënë se po humbet një kohë e çmueshme për zbatimin e programit të rimëkëmbjes ekonomike, ndërsa sipas tij kjo humbje kohe është e pakuptimtë pas aprovimit të rishikimit të buxhetit.

Mustafa përmes një postimi në Facebook, është shprehur se Ligji i Rimëkëmbjes do të duhej të aprovohej me procedurë urgjente si diçka që krijon mundësitë teknike për zbatimin e asaj që tanimë është aprovuar.

“Zëvendës Kryeministri Tahiri deklaroi sot se do të duhen edhe së paku tri javë që Ligji mbi Rimëkëmbjen ekonomike, lexo ligji që krijon gjithë kushtet për zbatimin e komponentëve të Programit te Rimëkëmbjes, do të vonohet të zbatohet tërësisht deri në fillim të shtatorit. Janë së paku tre muaj vonesë. Gjithë kjo vonesë është e pakuptimtë pas aprovimit të rishikimit të Buxhetit. Nëse partitë politike kanë pas dilema rreth Programit të Rimëkëmbjes , elementet e tij qenësore janë në buxhetin e aprovuar. Andaj gjithë kjo humbje kohe është pa kurrfarë sensi. Ligji i Rimëkëmbjes do të duhej të aprovohej me procedurë urgjente si diçka që krijon mundësitë teknike për zbatimin e asaj që tanimë është aprovuar. Vërtetë është për tu habitur me këtë lloj logjike veprimi në Kuvendin e Kosovës”, shkruan Mustafa.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Tahiri pas vizitës që i bëri sot Trustit Pensional ka bërë të ditur se në bazë të planifikimeve, diku pas tre jave mund të nisin aplikimet për tërheqjen e kursimeve, prej 10 për qind.

Tahiri pas takimit me drejtorin e Trustit, Ardian Zalli tha se procedura e aplikimit do të jetë online, e thjeshtë, duke e marrë parasysh situatën me pandeminë. /Telegrafi/

 

PËRGJIGJU