Diaspora vazhdon të mos kursehet, mban gjallë ekonominë e Kosovës

0

 

Padyshim diaspora mbetet infuzioni kryesor i mirëqënies në Kosovë

Dërgesat nga diaspora në Kosovë vazhdojnë të paraqesin një prej burimeve kryesore të financimit të konsumit të ekonomive familjare, pavarësisht pandemisë, transmeton albinfo.ch.

Gjermania dhe Zvicra janë dy shtetet nga ku kosovarët më së shumti dërgojnë para në vendlindje.

Referuar statistikave të fundit, në gjashtëmujorin e 2020-ës del se dërgesat nga diaspora janë një prej burimeve kryesore në Kosovë.

Së fundi, eksperti i financave nga Fractyle Survey, Emrush T. Shkodra, është shprehur se me gjithë vështirësitë e krijuara si pasojë e covid19, mërgata jonë prapë se prapë del të jetë burimi kryesor në mbajtjen në jetë të shtetësisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Sipas, ekspertit Shkodra, dërgesat nga diaspora, në Kosovë vazhdojnë të paraqesin një prej burimeve kryesore të financimit të konsumit të ekonomive familjare. Po ashtu, ato paraqesin burime që sigurojnë gjendje stabile sociale.

“Remitencat janë pagesa parash në formën e dërgesave, pa kundër shpërblim dhe janë pjesë përbërëse e bilancit të pagesave në llogarinë korente të sistemit monetar. Ato, në mbarë botën, llogariten të jenë fluksi i dytë më i rëndësishëm financiar pas ndihmave ndërkombëtare apo prodhimit vendor. E kur kemi parasysh të ne që s’kemi asnjërën e as tjetrën (as ndihmën ndërkombëtare e as prodhimin), atëherë remitencat dalin të jenë burimi i vetëm financiar i qëndrueshëm i buxhetit të Republikës së Kosovës” është shprehur ai.

Gjermania është shteti nga ku kosovarët dërgojnë më së shumti para. Shtetet kryesore prej nga vijnë këto dërgesa janë kryesisht ato shtete ku është e koncentruar diaspora jonë dhe ku prin Gjermania, e përcjellë nga Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Italia, Franca, Suedia, Britania, Belgjika etj., përcjell albinfo.ch.

PËRGJIGJU