Ç’po ndodhë me Kosovën?!

0

 

Mirishahe Limani Hiler

Më 20 gusht Kosova ka arritur shifrën 12’006, gjithësejt, të rasteve të të infektuarve me Covid 19 dhe 438 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

Në mungesë të testeve, që nga Kosova qytetarët rrëfejnë se ata nuk bëhen me kohë, megjithatë shifra e rasteve aktive (raste të identifikuara me Covid19) është tejet shqetësuese,3.639 raste, duke pasur gjithnjë parasysh numrin e përgjithshëm të popullatës në vend.

Edhe më shqetësuese në të gjithë këtë fatkeqësi është edhe numri i personelit mjekësor të infektuar me Covid 19.

Që nga fillimi i pandemisë, sipas Pleurat Sejdiut, kryetar i Odës së mjekeve në Kosovë janë përafërsisht 500 punonjës mjekësorë të infektuar, prej tyre 13 të vdekur dhe sot, mbi 200 raste aktive.

Këto shifra dhe vet vdekjet e personelit mjekësor dëshmojnë edhe për kushtet në të cilat ata punojnë, meqë edhe mbrojtja e tyre nuk është në nivel të duhur.

Sejdiu na flet gjithashtu edhe për moshën e mjekëve të infektuar dhe problemet e tyre gjë që na lë të kuptojmë se vdekje të reja të personelit mjekësor do të kemi edhe në ditët e ardhshme.

Mosha mesatare e mjekëve në Kosovë është ndër moshat më të larta në rajon.

Kosovën kjo pandemi e ka gjetur me një sistem shëndetësor në të cilin nuk ka qenë kurrë prioritet të investohet edhe pse shëndeti publik kishte kërkesa nga më të ndryshimet, duke filluar nga post traumat e luftës, rritje e sëmundjeve kronike dhe një numër jashtzakonisht i lartë i fëmijëve e të rinjëve të prekur nga llojet më të lehta e deri tek ato më të renda të kancerit.

Sot, përballë luftës me pandeminë edhe sistemi ekonomik i dy dekadave shihet lakuriq në sytë e të gjithë popullatës.

Me një popullatë prej 1,845 milion (2018), Kosova sot gjendet në një situatë tejet të rëndë në të gjitha sferat.

Në planin politik ajo udhëheqet nga një qeveri e dobët mbase situata në këtë shtet të vogël është pothuajse krejtësisht jasht kontrollit!

Qytetarët e kësaj Republike të re nuk janë “të rinjë” në përvojën e tyre me qeveri që kanë shpërfillur gjatë interesat e tyre kolektive. Lirisht mund të besojmë se edhe mosrespektimi i rregullave mbrojtëse që adresohen nga kjo qeveri është revoltë ndaj udhëheqësisë së vet shtetit që ka abuzuar me lirinë dhe besimin e po këtij populli.

Çdo qytetar i Kosovës sot i njeh masat mbrojtëse. Problemi thelbësor qëndron në vënjen në praktikë të asaj që i ndihmon çdo qytetari të jetojë e jo të mbijetojë në këto kushte ku dora e shtetit nuk tregohet e pranishme dhe mjet i sigurt i mbështetjes.

Po që se kjo qeveri nuk gjenë bashkëpunimin e popullit për të ndihmuar këtë luftë kundër pandemisë, ajo duhet së shpejti të dorëhiqet për t’i thënë PO Jetës dhe JO varreve të reja përballë atyre që nuk janë më e që luftuan për një Kosovë më ndryshe nga ajo që kemi sot!

 

PËRGJIGJU