Ekzekutivi kërkon të votohet sa më shpejt pakoja ekonomike

0

 

Pakoja për rimëkëmbjen ekonomike e cila përfshin edhe tërheqjen e 10% të kursimeve nga Trusti Pensional , nuk ka arritur të votohet në kuvend.

Ekzekutivi po kërkon që ligjvënësit ta votojnë sa më shpejt këtë pako pasi që ajo u ndihmon direkt qytetarët. Ndërkaq, në PDK nuk tregojnë nëse do ta votojnë atë projektligj, veçse thonë se qeveria ta kalojë sa më shpejt. Deri më 15 shtator, kuvendi është në pushim.

Zv/kryeministri i parë i Kosovës Besnik Tahiri, po e cilëson një lëshim dhe gabim të madh mosvotimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike.
Sipas zv/kryeministrit ajo pako ndihmon direkt qytetarët.
“Argumentet që kanë qenë atë dit ditë kam qëndru 10 orë në kuvend kanë qenë shumë të mangëta, kanë qenë puro politike dhe ky ligj nuk është politik për qytetarët e Kosovës ligj që pak a shumë ka qenë i përafërt edhe me rekomandimet edhe të LVV edhe të PDK dhe unë i lus deputetët ta miratojnë sa më shpejt pasi që benefitet nuk shkojnë te qeveria por shkojnë direkt te qytetari”, tha ai. Raporton RTK.

Tahiri madje ka një lutje për deputetët. “Kërkesa jem lutja jem është votone se nuk ka asjnë qështje elektorale ose politike. Ka të bëjë me vet qytetarin në këtë kohë të vështirë pandemie”

Por PDK-ja deklaron se fajtor për mosvotimin e pakos janë vetë deputetët e koalicionit qeverisës.
“Pjesa më e madhe e deputetëve që kanë qenë në qeveri nuk kanë qenë prezent fare në mbledhjen kur është diskutuar ligji mbi rimëkëmbje ekonomike, dhe kemi dëgjuar ministra nga qeveria duke folur për papërgjegjësinë e deputetëve, ndërsa edhe vet ata ministra nuk kanë qenë të pranishëm ditën kur është diskutuar ligji mbi rimëkëmbjen ekonomike në Kuvend”, tha Sejdi Hoxha, deputet i PDK-së.

Hoxha nuk ka treguar nëse do ta votojë PDK-ja pakon e rimëkëmbjes, por ka theksuar se është obligim i qeverisë ta kalojë atë ligj.
“Është obligim i qeverisë që sa më shpejt ta kalojë ligjin për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët dhe bizneset kanë shumë nevojë dhe kanë marr përgjegjësi me udhëheq qeverinë dhe kanë obligim që sa më shpejt ta aprovojnë ligjin mbi rimëkëmbjen ekonomike”, tha ai.

Ndërkohë, deputetët nuk do të kthehen në kuvend deri më 15 shtator në sesionin vjeshtor, pasi që më 14 gusht e kanë mbyllur sesionin pranveror dhe kanë shkuar në pushim.

PDK nuk tregon nëse do ta votojë, kërkon nga qeveria ta kalojë sa më shpejt

PËRGJIGJU