Cilat janë “të gjitha” përgatitjet e bëra nga komuna për fillimin e vitit shkollor?!

0
Nevzad Isufi
Nuk ka mbetur as një javë kur do të duhej të filloj viti i ri shkollor, ndërsa kreu i komunës së Gjilanit thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet për rikthimin e nxënësve në objektet shkollore, në shtator.

Po për cilat përgatitje bëhet fjalë a thua? Janë rinovuar e janë riparuar shkollat, janë zgjeruar hapësirat shkollore apo është ndërtuar ndonjë shkollë e re, e cila do të krijonte mundësinë për të kthyer në proces normal mësimin me orë mësimore standarde e për të shkarkuar punën e shkollave në tri ndërrime. Asnjë fjalë, asnjë fakt se për këto është punuar diçka.

Kjo do të duhej bërë në kushte normale, por në këtë kohë pandemie, për rikthim të nxënësve në objektet shkollore është dashur të bëhet shumë më tepër, ndërsa sa për këshillime e fjalë nuk po mbesim keq, por punët nuk janë askund. Nëse edhe nxënësit do të “mbrohen” sa janë “mbrojtur” edhe qytetarët prej pandemisë, besoj se është e kuptueshme se çfarë do të ndodhë.

Para më shumë se një jave, apo më saktë më 18 gusht, patëm të reshura të mëdha e të rrëmbyeshme, me erëra të fuqishme, të cilat si në shumë vende edhe në komunën tonë ka bërë dëme në prona publike e private.

Një objekt publik është edhe shkolla profesionale teknike “Mehmet Isai”, që është njëra ndër shkollat më të vjetra në qytet, e së cilës iu dëmtua kulmi, madje rënia e pjesëve të tij bëri edhe dëme tjera në objekte për rreth. Madje pjesë të kulmit edhe sot kanë mbetur të varura në një skaj të çatisë, e të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët. A duhet të pritet edhe më për të intervenuar për të eliminuar këtë rrezik, apo pritet që dikush të pësojë dhe kur të ndodhë fatkeqësia, pastaj kryetari do të thotë se do t’u qëndroj afër personave e familjeve, siç thotë në raste të tilla.

Ku është Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, a është e aftë dhe e zonja të kryej detyrat e saja?! Me qëndrim në zyrë e deklarime, pamflete e fotografime nga zyra nuk rregullohet asgjë.

Shiu dhe rrebeshi i javës së kaluar, me dëmin e shkaktuar në kulmin e shkollës teknike ka shpërfaqur edhe cilësinë e punimeve të kryera dhe dukurinë e “tenderomanisë”. Pra mbikëqyrësit dhe pranuesit teknik të punimeve, atëherë ose kanë mbyllur njërin sy ose realizuesi i punimeve me “marifet” ua ka hedhur atyre me rastin e pranimit teknik. Por ja që koha e zbuloi, foli vet. Objekti i shkollës nuk është i vetmi, por për rreth ka edhe objekte të tjera, por ato nuk janë të dëmtuara.

Por duhet të rikujtojmë se punimet patën zgjatur relativisht gjatë, edhe me rastin e punimeve të aneksit të shkollës teknike dhe Zviceranët, si financues, disa herë kanë mohuar të pranojnë realizimin e atij projekti, duke paraqitur vërejtje dhe duke mos nënshkruar realizimin e përfundimin e projektit.

Për këtë shkollë ne edhe në Kuvend të komunës, disa herë kemi kërkuar që të bëhet publik vlerësimi i Komisionit për qëndrueshmërinë dhe përmasat e dëmtimit të këtij objekti nga tërmeti i vitit 2004, me ç’ rast është konstatuar se ky objekt është i dëmtuar aq shumë, sa do të duhej të ishte i pa përdorshëm. Ky vlerësim mbahet sekret dhe nuk bëhet publik.

Komuna si qëllimshëm ka anashkaluar këtë shkollë, duke bërë vetëm disa intervenime kozmetike, ndërsa nuk është përfunduar as projekti për kompleksin e shkollave të mesme, nga të cilat vetëm kjo shkollë nuk e ka kantinën e saj (siç e ka Gjimnazi dhe shkolla ekonomike “Marin Barleti”), ku nxënësit do të mund të shërbeheshin me ushqime. Por kjo tashmë është harruar nga komuna dhe përgjegjësi e punëkryesi i këtij projekti.

Në vazhdim përmes fotografive, mund ta shihni se si “janë bërë të gjitha përgatitjet për rikthim në nxënësve në objekte shkollore”, edhe në këtë shkollë, ku zhvillohej mësimi në tri ndërrime nga dy shkolla profesionale, shkolla profesionale teknike “Mehmet Isa” dhe shkolla e mesme e Bujqësisë “Arbëria”.

Në fund edhe njëherë i bëjmë thirrje Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Drejtorisë së Arsimit dhe institucioneve tjera përgjegjëse në komunë, që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të eliminuar rrezikun që u kanoset qytetarëve, nga pjesë e kulmit që edhe më tutje qëndron varur dhe një erë pak më e fuqishme se e zakonshmja mund ta hedhë poshtë. Po ashtu të ruhet edhe prej dëmtimeve të mëtutjeshme objekti edhe ashtu i dëmtuar nga shirat, por do të dëmtohet edhe nga ato që mund të bien në vazhdim.

Nëse fjalët tona s’ua mbushin mendjen, ju lutemi shikoni fotografitë e  mëpoashtme që flasin vet.

(Autori i tekstit është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan)

PËRGJIGJU