Tuesday, September 29, 2020
Sociopatët

Sociopatët

0

 

Emin Azemi

Shpesh më bie tërthorazi të dëgjojë copëza rrëfimesh që transmetohen nga shoferë autobusësh, kamionësh, vullkanizerësh, leblebigjinjësh, bëllumbagjinjësh, të cilët paskan thënë se “nuk ekziston virusi… krejt kjo është politikë… biznes…”

Kur të ndodhë të biesh në kontakt me publikun e këtyre rrëfimtarëve të pajisur me dhuntinë e gjithologjisë që e paskan zbulu (mos)ekzistimin e virusit, të del vetja nga huji. Bëhesh vet i katërdheti dhe të bëhet bajat ajo pak shkollë që ke krye.

Kemi ardhë në këtë derexhe që leblebigjinjtë dhe pëllumbagjinjtë të bëhen opinionbërësit dhe kot bëhesh nervoz me ata që nuk të besojnë se megjithatë virusi ekziston, madje edhe ekziston vdekja si pasojë e këtij virusi.

 

Sociopatia është devijim i zhvillimit normal të një shoqërie, kurse nusporodukt i këtij devijimi janë sociopatët që po shumohen gjithnjë e më tepër. Sociopatët nuk pyesin për ekspertë të shëndetit, për mikrobiologë dhe infektologë. Ata i dinë të gjitha. Ata nuk kanë nevojë të ndjekin raportet e OBSH-së mbi zhvillimin e epidemisë globale.

Sociopatët janë oponenca e mendimit shkencor, kurse sa më shumë që sociopatia bëhet pjesë e jetës sonë, aq më pak jetojmë shëndetshëm. Sepse të jetosh shëndetshëm, sipas sociopatëve, don të thotë të shërohesh me hajmalia dhe me shkrirje plumbi.

Përhapja e mendësisë sociopate në mesin tonë ka edhe koston e vet. Jo pak njerëz bëhen pre e një botëkuptimi pirat mbi sëmundjet dhe marrin guximin prej injoranti të shkruajnë vet receta sipas porosive që ua ka dhënë ‘një farë moleri.’

Si pasojë e kësaj mendësie sociopate, shumë njerëz refuzojnë të mbajnë maska dhe mjete tjera mbrojtëse. Si të tillë ata paraqesin rrezik për rrethin dhe çdo sjellje e tyre shton shkallën e pasigurisë kolektive dhe rrënimin e besimit ndaj institucioneve kompetente shëndetësore.

Në fund të ditës, kur të bëhet bilanci i pasojave fatale, socioptatët nuk marrin kurrfarë përgjegjësie për dëmin që kanë shkaktuar. Edhe atëherë kur virusi korona brenda ditës merr dhjetëra jetë njerëzish, ata e kanë në maje të gjuhës një justifikim idiotik: “Kështu e ka shkru Zoti…” .

A kemi llogari të bëhemi pre e kësaj mendësie sociopate që po nxjerr krye në mjediset tona? Gjithsesi jo. Bile, njerëzit duhet të kenë edhe më shumë kurajo, që krahas betejave kundër pandemisë, të zhvillojnë edhe beteja kundër këtyre njerëzve të shkalluar që përhapin turli teorish konspirative dhe në fund, kur vije puna të ballafaqohemi me pasojat, ata i sheh me pamje të mjerë e kokulur nëpër kortezhe varrimi me dy, tre njerëz.

 

PËRGJIGJU