Arrestohen 22 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale

0

 

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka mbajtur konferencë për media, lidhur me aksionin e zhvilluar sot, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, në disa rajone të Kosovës, përfshirë rajonin e Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit, Podujevës, Pejës, Suharekës dhe Vitisë.

Ky aksion ka qenë  vazhdimësi e operacionit të zhvilluar më 18 Shtator 2020, në zonën e Karaçevës dhe rajone tjera, i cili ka rezultuar me 37 persona të ndaluar.

Operacioni i sotshëm është zhvilluar për shkak të dyshimeve të bazuara se në lokacionet e lartcekura janë zhvilluar veprimtari kriminale, përfshirë kontrabandimin me mallra, vënien në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, blerjen, pranimin ose fshehjen e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale dhe organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Si rezultat i aksionit të sotshëm janë ndaluar gjithsej 22 persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orëve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në aktivitete kriminale, ndaj të cilëve brenda afatit ligjor do të kërkohen masat për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, nga Gjykata kompetente në Gjilan.

Gjatë ekzekutimit të urdhërkontrolleve, në 11 lokacione që lidhen me subjekte ekonomike dhe 17 lokacione që lidhen me persona fizik, janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e gjedheve, armëve, sendeve dhe artikujve të dëmshëm ushqimor, mjete që kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale, si dhe prova tjera që do të shërbejnë në procedurë të mëtejme penale.

Ndërsa, numri i personave të ndaluar që nga fillimi i këtij aksioni ka shkuar në 59.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU