Bislimi: Pezullimi është akt politik i koordinuar me SHBA

0

 

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, tha se pezullimi njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është akt politik i koordinuar me SHBA-të, i bërë në një marrëveshje të garantuar nga SHBA-ja në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se pezullimi nuk e cenon në asnjë moment sovranitetin e vendit, sepse sipas tij, sovraniteti assesi nuk përcaktohet nga aplikimi apo mos aplikimi në një organizatë ndërkombëtare.

Deputeti Bislimi tha se duke qenë se Kosova nuk është anëtare e OKB-së rrjedhimisht nuk e plotëson një parakusht kyç për anëtarësim në organizmat apo organizatat e posaçme që dalin nga OKB-ja.

Bislimi: pezullimi është akt politik i koordinuar me SHBA-të

“Ajo që realisht do të cenonte interesin nacional të Kosovës, rrjedhimisht edhe sovranitetin e vendit tonë do të ishte pezullimi apo tërheqja e Kosovës nga organizatat ndërkombëtare e ndërqeveritarë ku Kosova tani e sa vite është anëtare me të drejta të plota, por kjo nuk ka ndodhur dhe assesi që do të ndodh. Fundja ne e dimë fare mirë që secili anëtarësim i Kosovës në secilën organizatë ndërkombëtare apo ndërqeveritarë është arritur me sukses vetëm atëherë kur bartës kryesor të këtij procesi kanë qenë miqtë tanë amerikan dhe ata evropian. Pa ta anëtarësimi i Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare thuajse do të ishte e pamundur, kur është parasysh vërsulja e paskrupullt e Serbisë dhe miqve të saj historik me relevancë siç është Rusia kundër pavarësisë dhe fushatës së çnjohjes. Pra pezullimi është akt politik i koordinuar me SHBA i bërë në një marrëveshje të garantuar nga SHBA-të në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.

Ai tha se Kosova edhe mund të provojë që të aplikojë në cilëndo organizatë ndërkombëtare për anëtarësim, por tha se pa SHBA dhe miqtë e tjerë nuk do t’ia dalin.

PËRGJIGJU