Muzgu i ngjajshmërive historike

0

 

Fehmi Ajvazi

Çekosllovakia kishte një fat të ngjashëm me ish-Jugosllavinë: ditëlindjen shtetërore! Të dy vendet u themeluan në vitin 1918, në vigjilje të përfundimit të Luftës së Parë Botërore (1914-1918). Formimi i tyre erdhi si rezultat i “prerjes cezariane” të hartës së Evropës nga vetë evropianët. Madje lindja e tyre u vendos qysh në embrion nga fuqitë e mëdha që dolën fitimtare në njërën prej luftërave më të pakuptimta të historisë njerëzore. Pak a shumë, ngjashmëritë pastaj s’ishin të rastit: të dyja këto federata u përbën nga shumica e popujve dhe e komuniteteve sllave. Pati veç një përjashtim dallues: se në territorin e Jugosllavisë, që prej themelimit të saj si mbretëri, u la të jetonte një popull aspak minoren: shqiptarët!
Historia e shqiptarëve që mbeten jashtë Shqipërisë ka një histori voluminoze (të vështirë e tragjike) që lidhet direkt me Beogradin. Edhe sot kjo “histori” riciklohet brenda korpuseve ku goditet liria dhe e drejta e Kosovës e cila, përgjatë shekullit XX, u shndërrua si njëra prej çështjeve më tragjike kombëtare shqiptare. Në këtë shkrim s’kemi për qëllim shtjellimin e tragjedisë së Kosovës, po pse çështja e Kosovës lidhet sot me ish-Çekosllovakinë?
Këtë verë bëhen 28 vjet qëkur ish-Jugosllavia federale pushoi (zyrtarisht) së ekzistuari si shtet me vendim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (1992). Në anën tjetër, përgjatë fazës së shpartallimit si shtet, ish-Jugosllavia me kohëra në një agoni të thellë prej rrëmujave politike dhe nga luftërat e përgjakshme mes kombeve dhe komuniteteve që e kishin përbërë këtë federatë. Fiks një vit më vonë, më 1 janar 1993, edhe Çekosllovakia pushoi së ekzistuari. Ajo u nda në mënyrë paqësore në dy shtete. Kështu, bilanci i shpartallimit të Çekosllovakisë dhe sidomos bilanci i “vdekjes” së ish-Jugosllavisë pati për rrjedhojë lindjen e 9 shteteve të reja: nga ish-federata çekosllovake lindën Çekia dhe Sllovakia, dhe nga ish-Federata Jugosllave lindën Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Kosova.
Tri nga këto 9 shtete nuk e kanë njohur Kosovën. E këto janë: Bosnja dhe Hercegovina, Sllovakia dhe Serbia. Kjo e fundit, Serbia, shkaktare e marrëdhënieve të këqija me shqiptarët dhe jo vetëm me shqiptarët, vazhdon t’i ruajë edhe sot në sirtarë të vet planet e terrorit dhe të dhunës, gjithnjë me idenë për rikthim në Kosovë, pas largimit me turp më 1999 nga Kosova. Krahas ëndrrave kolektive serbomëdha, Serbia edhe sot angazhohet me të gjitha forcat për de faktorizimin e vazhdueshëm të shtetësisë së Kosovës, angazhohet për de stabilizimin, sabotimin dhe rrënimin e Kosovës.
Defaktorizimi, domethënë mohimi dhe eliminimi i shtetësisë së Kosovës nga Serbia, lidhet edhe me politikat që ndjekin ndaj Kosovës dy “binjaket” e dikurshme: Sllovakia dhe, në një masë, edhe Çekia. Qysh? Sllovakia hynë në listën e pesë shteteve evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën. Sllovakia është edhe anëtare e BE-së, mirëpo nuk ka ndjekur rrugën e shumicës së anëtarëve të tjerë që e kanë njohur Kosovën. Mbase në thelbin e një analize të këtillë, këtu do të duhej të përfundonte rrëfimi për këtë shtet! Mirëpo, nuk është kështu! Në kontekst, edhe Çekia shfaq herë pas here qëndrime dualiste, madje edhe kundërshtuese ndaj shtetit të Kosovës. Ky shtet ka në krye një president me një emër të popullarizuar në hapësirat ortodokse ballkanike: “Milosh” (Milosh Zeman).
Presidenti çek është goxha injorues dhe mohues i pavarësisë së Kosovës. Ky jo njëherë ka deklaruar me agresivet se, mbi të gjitha, duhet të tërhiqet njohja çeke e Kosovës! Fatkeqësisht, nuk është vetëm presidenti Zemanai që e mban gjallë “historinë” e qëndrimeve të këtilla brenda çeke kundër shtetit të Kosovës. Një ish-eurodeputet çek, Richard Falbr, madje nga një parti politike me orientim demokratik, ka qenë i njohur për averzionin dhe për akuzat e tij të hapura kundër UÇK-së dhe drejtuesve të saj. Prototip i vërtetë i Dick Martit, Falbr ka mbllaçitur në opinion asgjë më shumë se paragrafët me prejardhje njëqind për qind serbe. Ja, përmbajtja e një paragrafi “serbo-falbrian” kundër ish-kryeministrit Hashim Thaçi: “Ai, kur rekrutonte njerëz për UÇK-në, në një rast në një fshat u tha prindërve: ose më jepni 10 mijë marka gjermane ose birin tuaj. Dhe në qoftë se dikush refuzonte, ai i vinte zjarrin shtëpisë” (6 shkurt, 2014. I NDNES.cz).
Siç thashë më lart, rrëfimi për Sllovakinë nuk do të kishte kuptim të stërzgjatej. Meqë ky vend nuk e ka njohur Kosovë mirëpo, pse duhet të merremi më tej me Sllovakinë?
Ndryshimet e fundit që kanë ndodhur në hierarkinë e lartë të Bashkimit Evropian, në fakt ardhja e strukturave të reja qeverisëse në Bruksel, ka sjellë një atmosferë politike kontradiktore lidhur me Kosovën. Ndonëse nuk po flasim për një “Bolton” evropian, disa nga këto figura me kompetenca të larta brenda hierarkisë qeverisëse të BE-së, vijnë nga “pesëshi” i shteteve evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën. Ndër më kryesorët, është spanjolli Josep Borell, përfaqësues i lartë për politikë të jashtme i BE-së. Tjetri është sllovaku Miroslav Lajçk, i cili është emëruar s’i i ngarkuar i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi (3 prill 2020).
Me kaq nuk mbaron rrëfimi: Thomas Szunyogun është emëruar shef i ri i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë. Vendi prej nga vjen Szunyogun është Çekia. Por, a mbaron këtu “rrëfimi”? Jo. Pse vallë?
Çështja se kush zgjidhet në hierarkinë më të lartë udhëheqëse të Bashkimit Evropian s’do të duhej të ishte shqetësimi ynë. Aq më pak kur ne as nuk jemi pjesë e BE-së. Veçse një duzinë figurash aktuale të BE-së, gjithandej na krijojnë dilema me qëndrimet e tyre “pro et contra” relacioneve Kosovë – Serbi. Mendoj, pa të keq, se që të tri figurat që i përmenda më lart, meqë do të jenë të përfshira në procesin e dialogut Prishtinë – Beograd, që besohet se do të zhvillohet këtë vit, në një apo tjetër dimension na shkaktojnë dilema, madje edhe dyshime lidhur me përfaqësimet dhe përgjegjësitë e tyre. Pse?
Po t’iu referohemi biografive të Lajçakut dhe Szunyogut, kuptojmë se ata janë njohës të mirë të relacioneve ballkanike dhe evropiane, janë figura të sprovuara në politikë dhe diplomaci dhe tejet komplementarë për kompetencat me të cilat janë ngarkuar nga BE-ja. Mirëpo, ritmi i zhvillimeve dhe ngjarjeve të fundit për dhe rreth Kosovës, na shtyn të jemi paksa të shqetësuar për faktin nëse Lajçak dhe Szunyog, do të jenë konsekuentë në procesin e dialogut Prishtinë – Beograd. Pra, a do të jenë Lajçak dhe Szunyog parimorë dhe konsistentë në suaza të qëndrimeve të tyre politike dhe diplomatike? Me një fjalë, a do ta mbrojnë ata realitetin e krijuar në Kosovë: pavarësinë e shpallur të Kosovës dhe verdiktin e GJND-së kundrejt aktit të pavarësisë të realizuar në Prishtinë, më 17 shkurt 2008?
Kushedi, por ka diçka që na nxitë sërish që t’i referohemi titullit të këtij shkrimi: përgatitja arsimore dhe shkencore e Lajçakut dhe e Szunyogut. Të dy këta kanë qenë doktorantë në “Moscow State Institute ofInternational Relations”, pranë Universitetit “Komenski” të Moskës. Çuditërisht, Lajçaku dhe Szunyog kanë një të kaluar të përbashkët (ekskluzive) profesionale dhe shkencore. Por, a mund të kenë ata edhe ndonjë të kaluar tjetër “të përbashkët”…?
As kjo çështje s’do të duhej të ishte preokupimi ynë, ndonëse si “pyetje a tezë”, mund ta shtrojmë për analizë më të gjerë dhe debat. Në anën tjetër, ndonëse kemi përpara një bazë solide për ndërtimin e një narracioni të cilin nuk kemi shumë nevojë që ta imagjinojmë, shpresojmë se Lajçaku dhe Szunyog nuk do të ulen në tavolinën e dialogut Prishtinë – Beograd për të zbatuar një mision politik dhe diplomatik të BE-së që do t’i pëlqente Serbisë, me insistimin dhe përkrahjen e Rusisë!
Ngjashmërive të historive kontradiktore dhe tragjike duhet dhënë fund. Muzgu i tyre duhet të largohet përfundimisht nga kontinenti ynë…

PËRGJIGJU